Vaksina kundër AIDS-it redukton infektimin me 31%
Është hera e parë që një eksperiment jep rezultat në luftën kundër sëmundjes së shekullit. Shkencëtarët thonë se kanë prodhuar një vaksinë që pakëson me mbi 30 për qind gjasat e infektimin me HIV. Vaksina ofron mbrojtje të kufizuar ndaj virusit që shkakton AIDS-in. "Kjo është baza mbi të cilën ne do të vazhdojmë punën", - tha kreu i Iniciativës Ndërkombëtare për Vaksinën e AIDS-it, Seth Berkley. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ky zhvillim është premtues për të ofruar një vaksinë të sigurt për njerëzit në mbarë botën. Vaksina u testua tek 16 mijë vullnetarë në Tajlandë si një pjesë e programi të financuar nga Ushtria Amerikane. Rezultatet u njoftuan pas një pune kërkimore që zgjati 6 vjet. Rezultatet e tij sugjerojnë se personat e vaksinuar kanë gjasa 30 për qind më të vogla për t'u infektuar nga virusi. Vaksina u bazua tek shtamat e virusit që qarkullojnë rëndom në Tajlandë. Ekspertët kanë nënvizuar se personat e përfshirë në analizat përfundimtare ishin të paktë, kështu që do të duhet të mësohet më shumë për mekanizmin mbi të cilin funksionon vaksina. Krahasuar me atë që duhet të arrihet, zhvillimi i fundit, shton ajo, është vetëm hapi i parë. Rreth 33 milionë vetë janë të infektuar me HIV në mbarë botën.
Studiuesit
Rezultati i arritur ka habitur pothuajse të gjithë studiuesit të cilët shprehen se janë akoma të paqartë se si ky kombinim ka arritur të prodhojë efikasitetet. “Unë, si disa të tjerë, nuk mendonim se kjo vaksinë mund të funksiononte”, - shpjegon doktor Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një tjetër faktor që bën paksa ngatërresë është fakti që personat e infektuar dhe që janë vaksinuar, aktualisht kanë në gjakun e tyre të njëjtën përqendrim të virusit në krahasim me personat që nuk janë vaksinuar, megjithëse kanë pësuar dëme në sistemin imunitar. Kjo do të thotë se vaksina ndihmon për të parandaluar rrezikun e infektimit nga virusi i Sidës, por nuk ka efekt mbi sëmundjen në rast të infektimit. “Rruga jonë nuk përfundon këtu, - ka shpjeguar Fauci, - por ka optimizëm të frenuar për mundësinë e përmirësimit të këtij rezultati”. Bazuar në të dhënat e fundit të OKB-së dhe UNAIDS, çdo ditë në mbarë botën janë të infektuar me HIV rreth 7.500 njerëz. Në vitin 2007, dy milionë njerëz kanë vdekur nga AIDS-i.
Studimi
Studimi ka marrë përsipër kombinimin e dy vaksinave, e para merr përsipër rritjen e imunitetit nga sulmet e HIV-it dhe e dyta forcon kundërpërgjigjet e organizmit. Bëhet fjalë për Alvac të Sanofi Pasteur dhe për Aidsvaz, e zhvilluar fillimisht nga VaxGen.
Në fillim është testuar kombinimi i dy preparateve tek një grua dhe tek një burrë tajlandez, të cilët kanë rezultuar negativ ndaj testit Hiv. Çifti në fjalë ishte mes 18 dhe 30 vjeç. Një gjysmë kampioni i kombinimit të Alvac e Aidsvax i është injektuar për gjashtë muaj, ndërsa të tjerëve i është dhënë vetëm placebo. Asnjë prej vullnetarëve nuk ka qenë në dijeni për substancat që u janë injektuar deri në përfundimin e testit. Dhe jo vetëm: të gjithë vullnetarëve pjesëmarrës në testim u janë dhënë kondom dhe këshilla se si t’i shmangin infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Rezultati
Pjesëmarrësit janë ndjekur për tre vjet deri në përfundim të vaksinës. Janë regjistruar 51 infeksione të reja nga 8.197 persona që u ishin injektuar vaksina dhe në 74 prej 8.198 nga ata që i ishte dhënë placebo, nga ku ka rezultuar se vaksina kundër sëmundjes së shekullit HIV/AIDS ul riskun e infektimit me 31 për qind.
Kujdes me optimizmin
“AIDS mund të mundet duke bashkuar forcat. Edhe për sa i përket vaksinës përfundimtare, mundet të arrihet tek ajo vetëm duke punuar me kombinime, të cilat të jenë në gradë për të vendosur së bashku komponentë që stimulojnë imunitetin”. Ky koment ka ardhur menjëherë pas publikimit të vaksinës nga Giampiero Carosi, docent i sëmundjeve infektuese në Universitetin e Breshas.
“Këto rezultate, - shpjegon Carosi, - konfirmojnë se të dhënat e komunitetit shkencor, bazuar edhe në mësimet e nxjerra nga dështimet e disa studimeve me vaksinat kundër HIV-it, ne nuk mund të kemi një vaksinë të vetme, me një komponent, por ne duhet të synojmë për një koktej që vendos së bashku komponentë të ndryshëm”, - thotë eksperti duke bërë thirrje për një entuziazëm më të frenuar. “Ne nuk kemi mbërritur akoma tek vaksina - ajo e sakta - deri tani kemi reduktim vetëm prej 31%, ndër të tjera ky rezultat është shumë i ulët. Ky është një hap përpara për hulumtim, por jo për popullin”. Janë kaluar tashmë shqyrtimet e bëra mbi disa produkte. "Në disa raste, testimi i vaksinës ishte pothuajse i dëmshëm, sepse ai i jep një ndjenjë false të sigurisë vullnetarëve që nuk mbrojnë veten", - thekson Carosi.
Mbrojtje në nivele të ulët
"Mbrojtja që doli nga Tajlanda, është e ulët, por për herë të parë një vaksinë eksperimentale ka treguar se zvogëlon rrezikun për t’u kontaminuar me HIV", -komentoi Gianni Rezza, epidemiologjist për Departamentin e Sëmundjeve Infektive. "Ulja e rrezikut të infektimit me këtë sëmundje deri në 31%, e demonstruar në këtë studim është e ulët, - vazhdon epidemiologjisti, - por kjo u hap derën hulumtimeve të mëtejshme. Gjithashtu, në vendet ku incidenca e SIDA-s dhe HIV-it është e lartë, kjo vaksinë mund të ketë një efekt në popullatë për të reduktuar përhapjen e virusit, përderisa nuk ofron një mburojë në pacientin individual”.