E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktoratura, kuotat e pranimit për çdo degë

25/09/2009  Miratohen programet e reja të doktoraturës që do të hapen për 2009-2010-n

Tarifa e shkollimit do të jetë 200 mijë lekë, paguhet me këste për çdo vit

Shtohen programet e doktoraturës që do të hapen me fillimin e vitit të ri akademik pranë Universitetit të Tiranës dhe atij Politeknik, për të cilat janë miratuar edhe kuotat e pranimeve bashkë me tarifat e regjistrimit. Procedurat e aplikimit për këto kuota publikohen nga secili prej fakulteteve, së bashku me kriteret e pranimit për secilin program studimi. Pranë Fakultetit të Shkencave Sociale do të çelen për ciklin e tretë të programeve të doktoraturës 5 mastera të llojeve të ndryshme, si: në filozofi, sociologji, pedagogji, psikologji, punë sociale. Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë janë rreth 17 lloje të ndryshme degësh që do të ofrojnë këtë cikël studimesh për vitin e ri akademik. Më poshtë do të gjeni të publikuara listën e plotë të degëve dhe kuotave të miratuara për pranimet e këtij viti në secilën prej tyre.

Pranimet

Kohëzgjatja e programeve të studimeve të doktoratës është të paktën 3 vjet dhe përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara, që duhet të mbledhë secili prej kandidatëve që do të përzgjidhet fitues në bazë të kuotave të miratuara. Lidhur me tarifën e shkollimit në vendim theksohet se kjo pagesë do të jetë e njëjtë për të gjitha programet, përkatësisht në vlerën 200 000 lekë, e cila do të likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, me këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Në total për këtë vit për të dy fakultetet e Universitetit të Tiranës janë miratuar rreth 315 kuota pranimi të shpërndara sipas degëve përkatëse. Pjesa dërrmuese e këtyre kuotave u përkasin specialiteteve të mjekësisë, si: doktoratë në studime të thelluara të aspekteve epidemiologjike, diagnostiko dhe terapeutike të sëmundjeve infektive, emergjente

dhe riemergjente në Shqipëri dhe në shëndetin publik.

Universiteti Politeknik

Njëkohësisht janë miratuar dhe llojet e doktoraturave që do të ofrohen pranë Universitetit Politeknik. Për këtë të fundit është miratuar çelja në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të programit të studimeve të ciklit të tretë të doktoratës në “Gjeoshkencat, burimet dhe mjedisi”. Në përfundim të këtij programi lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në gjeoshkencat, burimet dhe mjedisi”. Ndërkohë që kohëzgjatja e këtij programi studimesh është të paktën 3 vjet dhe aplikuesi që do të shpallet fitues duhet të grumbullojë 60 kredite për studime të organizuara. Kuota e pranimit në këtë program studimi për vitin 2009 është 15 kandidatë, që do të përzgjidhen me kritere të veçanta nga vetë fakulteti. Ndërsa tarifa e shkollimit është 200 000 lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale me këste, të caktuara nga fakulteti përkatës. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i vitit 2009 miratuar për Universitetin Politeknik të Tiranës.

Tabela

Kuotat e pranimit në këto programe studimi për 2009-2010

A. Fakulteti i Shkencave Sociale:

a) Doktoratë në filozofi 24

b) Doktoratë në sociologji 30

c) Doktoratë në pedagogji 14

ç) Doktoratë në psikologji 20

d) Doktoratë në punë sociale 12

B. Fakulteti i Mjekësisë:

a) Doktoratë në studime të thelluara në farmakologji,

fiziologji, fiziologji patologjike 10

b) Doktoratë në studime të thelluara të aspekteve

epidemiologjike, diagnostike dhe

terapeutike të sëmundjeve infektive, emergjente

dhe riemergjente në Shqipëri 16

c) Doktoratë në shëndetin publik 12

ç) Doktoratë në studime të thelluara të aspekteve epidemiologjike, diagnostike dhe terapeutike të sëmundjeve të lëkurës 12

d) Doktoratë në studime të thelluara

dhe kërkime në otorinolaringologji 10

dh) Doktoratë në studime të thelluara në kardiologji 6

e) Doktoratë në studime në patologji oro-maxilo-faciale 16

ë) Doktoratë në studime në neuroshkencë 16

f) Doktoratë në studime në obstetrikë-gjinekologji 10

g) Doktoratë në mjekësi laboratorike 12

gj) Doktoratë në morfologji klinike 10

h) Doktoratë në sëmundjet kirurgjikale 20

i) Doktoratë në imazheri 10

j) Doktoratë në anatomi patologjike dhe mjekësi ligjore 10

k) Doktoratë në sëmundjet e syrit 10

l) Doktoratë në pediatri 10

ll) Doktoratë në shkencat farmaceutike 10

m) Doktoratë në sëmundjet e brendshme 12

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›