LSI: Kemi nisur konsultimet për Maturën Shtetërore
LSI-ja, nëpërmjet zv/sekretarit të përgjithshëm, Besjan Pesha, ka vlerësuar punën e bërë nga Ministria e Arsimit për maturën shtetërore. Gjatë një komunikimi me mediat Pesha është shprehur se "dua të tërheq vëmendjen e opinionit publik, por edhe të institucioneve përkatëse, për një nga proceset më të rëndësishme, që është duke u administruar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, procesin e maturës shtetërore". Sipas tij, procesi i maturës shtetërore është shumë i rëndësishëm për dhjetëra mijëra maturantë, të cilët me ankth janë duke pritur se si do të vazhdojë jeta e tyre akademike dhe profesionale. Zv/sekretari i përgjithshëm i LSI-së tha se kjo forcë politike mbështet punën e deritanishme të bërë nga MASH, në administrimin e procesit, por gjithashtu, inkurajon të gjitha institucionet e përfshira në të, që të tregojnë maksimumin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit në mënyrë të tillë që ai të jetë i shpejtë, transparent dhe mbi të gjitha i drejtë për të gjithë maturantët, për të shmangur çdo lloj konfuzioni përpara fillimit të vitit universitar. LSI do të jetë gjatë gjithë kohës në mbështetje të një procesi sa më të rregullt dhe do të garantojë çdo të ri dhe të re maturante se do të ulet në auditoret e universitetit në sajë të meritës së akumuluar gjatë viteve dhe të shprehur gjatë testimeve, por edhe preferencës që ka treguar për shkollimin e lartë. Gjithashtu, Pesha ka theksuar se LSI-ja ka filluar një tur bisedimesh dhe konsultimesh me një sërë organizatash rinore, qeveritë e nxënësve dhe faktorë të tjerë të shoqërisë civile, duke dëgjuar me kujdes të gjitha rekomandimet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me proceset e mësimdhënies, aktiviteteve të ndryshme dhe cilësinë e ambienteve shkollore, rekomandime të cilat do të reflektohen në programin e përbashkët qeverisës. Ai ka garantuar të gjithë të rinjtë shqiptarë se LSI-ja do të jetë përherë një dëgjuese, reflektuese dhe mbështetëse e kërkesave të tyre.