E Shtunë, 31 Tetor 2026

AH1N1, kërkohen 1 milion vaksina

Punonjësit e shëndetësisë kërkojnë sasi të konsiderueshme vaksinash për të parandaluar infektimin nga gripi i derrave.

Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhet të jenë rreth 25 për qind e popullsisë të vaksinuar.

Për të imunizuar popullatën nga influenca AH1N1 nevojitet vaksina apostafat për virusin e derrave, por në mungesë të saj, punonjësit e shëndetësisë shqiptare, në veçanti infeksionistët, rekomandojnë marrjen e vaksinës Tamiflu, apo në pamundësi edhe të kësaj, imunizimin me vaksinën e thjeshtë të gripit.

Të parët që do të vaksinohen me stoqet e vaksinave të kërkuara jashtë vendit, janë punonjësit e shëndetësisë, të porteve dhe aeroporteve, punonjësit që punojnë në kushte të vështira, në të njëjtin territor me mikrobet, si laborantët apo punëtorët e shëndetit publik. Më pas ata që duhet të marrin vaksinën do të jenë pacientët kronikë, moshat mbi 60 vjeç, fëmijët dhe personat me imunitet të dobët. Kërkesat për vaksinim, rekomandimet për të imunizuar organizmin vijnë nga punonjësit e shëndetësisë, të cilët po presin stoqet për t‘u vaksinuar të parët.

Mjekët e Shërbimit të Infektivit kanë mbështetur deklaratën e bërë dy ditë më parë nga drejtoresha e sektorit të epidemiologjisë, në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino. Sipas tyre, virusi AH1N1 mund të ketë ardhur në Shqipëri dhe rastet nuk janë identifikuar.

Shërbimi Infektiv

Në Shërbimin Infektiv, aty ku do të priten rastet e para të të prekurve nga virusi AH1N1, nuk ka dhoma të mjaftueshme për rastet e para. "Mund të mbulojmë 10 veta ditën e parë. Jemi përgatitur që rastet e para t‘i hospitalizojmë, por popullata duhet të jetë e përgatitur për rastet që do të menaxhohen në shtëpi", tha mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero. Shërbimi i Infektivit aktualisht ka kapacitete për të përballuar rreth 10 pacientë. Këta do të priten në hapësirat e caktuara enkas për izolim, të cilat nuk kanë sipërfaqe të madhe. Kjo, pasi reanimacioni pranë këtij shërbimi është në rikonstruksion, dhe ende nuk jepet një afat konkret se kur do të përfundojë ky proces.

Mjekët infeksionistë sqarojnë se në Shqipëri edhe mund të ketë raste të prekura me virusin AH1N1, por të pakonfirmuara.

Shenjat e para nuk janë vetëm temperatura e lartë dhe kolla, por edhe shqetësimet gastrointestinale. Organizata Botërore e shëndetësisë rekomandon që strukturat e shëndetësisë të jenë të pajisura me një sasi Tamifluje që përbën 25 për qind të popullsisë, por është e domosdoshme edhe marrja e vaksinës specifike për AH1N1, e cila do të jetë e kushtueshme.

Shëndeti Publik

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, pranë Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, ka deklaruar dje se është pothuajse e pamundur kontrolli i të gjithë qytetarëve dhe nuk përjashtohet nga mundësitë futja e virusit AH1N1 brenda territorit të vendit tonë. Nga ana tjetër, pavarësisht se dyshohet se virusi bën "ecejake" në vendin tonë, situata nuk paraqitet alarmante, si dhe qytetarët nuk duhet të jenë në panik.

Konkretisht influencat dhe virozat janë në sheshet tona, sa herë kemi ulje apo ngritje me disa gradë Celsius të temperaturave.

Dhe format e lehta të këtyre virozëve, te qytetarët që janë të sëmurë, te diabetikët apo tek ata me imunitet të dobët, stimulojnë rrezikun për prekjen nga viruset në përgjithësi, duke mos përjashtuar as AH1N1, gripin e derrave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›