Maturantët, nivel të lartë klasifikimi
Pas përfundimit me sukses të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, maturantët e Qarkut të Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, i janë nënshtruar dje provimit me zgjedhje. Kjo do t‘u japë atyre mundësinë për vijimin e shkollave të larta në universitetet e vendit, sipas preferencave të tyre. Burime nga Drejtoria Rajonale Dibër bëjnë me dije se gjatë këtij viti, shkollat e mesme në rang qarku kanë arritur rezultate të larta në provimet e detyruara në lëndët e letërsisë dhe matematikës. Kështu, nga rreth 2000 maturantë në tri rrethet, nuk kanë mundur të kalojnë testin e letërsisë dhe atë të matematikës vetëm rreth 63 nxënës. Marrë në total, përqindja e kalueshmërisë është 96%, pra mbi mesataren e republikës. Nga tri rrethet e këtij qarku, përqindje më të lartë të kalueshmërisë në provimet e detyruara ka shënuar Rrethi i Bulqizës, me 97%, ku nuk kanë kaluar testin e letërsisë dhe matematikës gjithsej 13 maturantë. Ndër pesë shkolla të mesme të këtij rrethi, rezultatet më të larta i ka pasur gjimnazi i qytetit të Bulqizës, me mbi 99%, ku nga 212 nxënës kanë mbetur në provime vetëm 3 nxënës, rezultate këto rreth 20% më të larta se viti i kaluar. Sipas inspektorit të Zyrës Arsimore Bulqizë, Medin Karaj, rezultatet e këtij viti të regjistruara për Maturën Shtetërore në provimin e lëndëve me zgjedhje, letërsi dhe matematikë, janë të larta, por sidoqoftë mbetet akoma për të bërë, pasi cilësia e këtyre rezultateve mund dhe duhet të jetë akoma më e lartë. Gjithsesi, nisur nga këto rezultate, specialistë të arsimit të këtyre rretheve, si në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Dibër, ashtu edhe në Zyrat Arsimore Bulqizë dhe Burrel, janë tejet optimistë se edhe testi i sotëm i provimit me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të kalohet me sukses të plotë nga maturantët.