AH1N1 largohet, vaksinat mbeten stok në frigorifer
Për gati një muaj me radhë nuk kemi më asnjë rast të konfirmuar me gripin e derrit AH1N1. Fluksi i pacientëve që u raportuan se u infektuan nga ky virus u ndal në muajin janar, atëherë kur autoritetet shëndetësore, sqaruan se tashmë gripi i derrit na ka lënë dhe përhapja e tij u ul ndjeshëm.
Por pavarësisht kësaj, njësoj si në rastin e gripit të shpendëve edhe në rastin e gripit të derrit, vaksinat e blera nga shteti shqiptar kanë mbetur stoqe dhe rrezikojnë të skadojnë, në rast se nuk merren masa për asgjësimin e tyre.
Rreth 25 mijë doza të vaksinës kundër virusit AH1N1, që u siguruan nga Ministria e Shëndetësisë në kulmin e panikut për epideminë, vazhdojnë të qëndrojnë në kushte frigoriferike.
Sipas rekomandimeve të OBSH-së, vaksina kundër AH1N1 mund të futet në kalendarin e vaksinimit njësoj si vaksina kundër gripit të zakonshëm. Pipero sqaron se ndryshe nga vendet fqinje për Shqipërinë u sigurua një sasi racionale e vaksinës dhe fondi i përdorur për blerjen e saj, afro 250 mijë dollarë u ofrua nga Banka Botërore për gripin e shpendëve.
Ngurrimi i njerëzve dhe zbehja e alarmit për gripin bëri që të përdorej vetëm 5 për qind e sasisë, duke u refuzuar jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë, por edhe nga vetë personeli shëndetësor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vetëm nëse i skadon afati ajo mund të asgjësohet.
“Procesi i vaksinimit ende vazhdon. Orientimi i OBSH-së është që vaksina të përdoret. Ne kemi dy lote, njëri skadon në fund të këtij vitit dhe një tjetër që skadon vitin e ardhshëm”, u shpreh Drejtori i Planifikimit dhe Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
#