E Diel, 1 Nëntor 2026

AH1N1, vaksinimi falas, sigurohen 10 mijë doza

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Brenda kësaj jave do të sigurohen 10 mijë doza të vaksinës kundër gripit të derrit AH1N1. Lajmi u konfirmua dje nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, gjendja është nën kontroll, edhe pse brenda një kohe shumë të shkurtër kanë humbur jetën 4 persona. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Politikave Shëndetësore në Ministri, Pëllumb Pipero, vaksina do të shpërndahet në qendrat shëndetësore për tu aplikuar falas nga qytetarët e përcaktuar, sipas një plani vaksinimi nga ISHP. “Besojmë se deri në fund të muajit do të kemi gati të gjithë sasinë e parë të porositur në Hungari dhe Gjermani, me të cilën mendojmë se do të përballojmë valën e parë të gripit të derrit në vendin tonë. Më pas kjo sasi do të shpërndahet në qendrat shëndetësore dhe përmes një fushate promocioni do tu bëjmë thirrje qytetarëve të aplikojnë vaksinën sa më parë”,- u shpreh Pipero. Pipero ka siguruar qytetarët se vaksina që ka porositur vendi ynë është testuar me sukses në Hungari, vendi nga i cili kemi blerë 200 mijë dozat, por gjithsesi, aplikimi i saj mbetet në dëshirën e tyre. “Vaksina e re ka efekte anësore afatshkurtra siç mund të jetë një rritje e ndjeshmërisë apo një alergji, por për efektet anësore afatgjata duhet të presim pak më shumë kohë. Detyrë e Ministrisë është të sigurojë vaksinën dhe tu japë qytetarëve informacionin e nevojshëm në lidhje me efektet e saj. Në poliklinika vihet re një rënie e numrit të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e prekjes nga gripi. Mjekët specialistë shpjegojnë se një valë tjetër pritet të ketë në fund të muajit janar ndaj u kërkohet qytetarëve të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë, por edhe atë kundër AH1N1.

Gripi i derrit, të katër viktimat ishin me sëmundje kronike

Rasti i parë

Një burrë i moshës 57-vjeçare nga Sukthi i Durrësit humbi jetën më 3 dhjetor pas prekjes me AH1N1. Viktima vuante prej shumë kohësh nga tumori beninj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe infarkt miokardi të një forme të agravuar, megjithatë shkaku i vdekjes së tij ka qenë infeksioni me virusin A H1N1.

Rasti i dytë

Ishte një 47-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga patologji të tjera. Gruaja humbi jetën ditën e shtunë dhe vuante prej kohësh nga hipertensioni në mushkëri dhe obeziteti.

Rasti i tretë

Bëhet fjalë për një 53-vjeçar me iniciale R.SH., që ndodhej prej datës 6 dhjetor në spitalin e Shkodrës dhe po kurohej nga gripi vdekjeprurës. Burri 53-vjeçar humbi jetën po ditën e shtunë dhe mjekët thanë se vdekja është shkaktuar nga virusi A/H1N1. Mësohet se pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale.

Rasti i katërt

Mbrëmjen e së shtunës është shënuar viktima e katërt në Shqipëri që humbi jetën nga gripi i derrit. Ai ishte 30 vjeç nga qyteti i Vlorës, dhe sapo ishte kthyer nga emigracioni. I riu ishte trajtuar vetëm në shtëpi me antibiotikë, ndërsa ditët e fundit ishte shtruar në spital për shkak se nuk kishte pasur përmirësime. Ai ishte shtruar në gjendje të rëndë në Senatoriumin e Tiranës, ku edhe ndërroi jetë.

ISHP: Çdo javë 16 mijë të prekur nga gripi sezonal
Muaji nëntor ka shënuar pikun e rasteve të rënda të shtruara në spital si pasojë e gripit stinor dhe gripit të derrit. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, kryesisht fundi i nëntorit ka regjistruar gati çdo javë mbi 16 mijë të prekur nga gripi, përfshi këtu dhe 4 viktimat e fundit të gripit të derrit. “Fundi i muajit nëntor mund të themi se ka shënuar pikun e fluksit të qarkullimit të virusit në vend. Si pasojë e tij, kemi pasur shtim të rasteve të paraqitura në spital dhe rritje të rasteve me komplikacione serioze për jetën. Aktualisht, kemi një pacient rëndë në spitalin infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Sipas informacioneve nga spitali, para pak ditësh pacientja paraqitej në një gjendje të rëndë shëndetësore, por mësohet se ajo ka shpresa për të dalë nga kjo situatë”,- thanë burime zyrtare nga ISHP. Nga survejimi i situatës epidemiologjike në vend, mësohet se ka rënie të kurbës së shtrimeve në spital dhe qetësimit të rasteve të rënda prej gripit. Specialistët e shëndetit publik thonë se në dy javët e fundit të dhjetorit ka pasur një numër më të ulët të shtrimeve krahasuar me nëntorin, por gjithsesi situata epidemiologjike po survejohet çdo ditë. Instituti i Shëndetit Publik ka nisur investigimin e rasteve të rënda në të gjithë vendin për ti paraprirë situatës, e cila mund të përkeqësohet nëse nuk ka vëmendjen e sistemit shëndetësor. Aktualisht në Tiranë numërohen rreth 4 raste të rënda me gripin e derrit, tre prej të cilëve në sanatorium dhe një në QSUT. Mjekët thonë se grup-mosha e tyre është 20-45 vjeç dhe pjesa më e madhe vuajnë nga sëmundje të tjera shoqëruese. Në të gjithë vendin numërohen zyrtarisht rreth 310 persona të prekur deri tani me gripin e derrit, ndërkohë në laboratorin e virologjisë konfirmohen çdo ditë rreth 6 raste të reja me AH1N1. Mjekët bëjnë apel që popullata të mos neglizhojë shenjat klinike të ngjashme me gripin dhe ti drejtohet mjekut të familjes në çdo rast për të marrë mjekimin e duhur.

2.229
mostra janë marrë nga Tirana dhe rrethet, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus në Shqipëri është 310. Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.

310 persona
në të gjithë vendin numërohen zyrtarisht të prekur deri tani me gripin e derrit, ndërkohë në laboratorin e virologjisë konfirmohen çdo ditë rreth 6 raste të reja me AH1N1.

4 viktima
u shënuan brenda një jave nga gripi i derrit AH1N1 në vendin tonë. Mjekët konfirmuan se viktimat vuanin edhe nga sëmundje kronike

16 mijë
pacientë kanë paraqitur shenja gripale (gripi sezonal) gjatë muajit nëntor e deri më tani dhe kanë marrë mjekimin në QSUT

20-45 vjeç
është mosha mesatare e të prekurve me gripin e derrit. Mjekët thonë se pjesa më e madhe e të prekurve ( bashkë edhe me 4 viktimat) vuajnë nga sëmundje të tjera shoqëruese

Ky lajm është publikuar: 15/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›