E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trekëndëshi i rrezikshëm dashuror, dy vëllezër dhe një grua

Autori i Lajmit: Redaksia

Çfarë ndodh kur vëllai i madh bie në dashuri me të fejuarën e vëllait të vogël?
Dy vëllezër dhe një grua. Patrick Besson ka zgjedhur temën universale të trekëndëshit dashuror për romanin e tij. Një histori që është e dënuar, për nga thelbi i saj, të përfundojë keq. Por në vend që ta lerë historinë të rrjedhë qetësisht, autori ka bërë një zgjedhje të mençur të personazheve për nga bukuria, ligësia, mirësia dhe prejardhja. Kunata, e sjellë në shqip nga “Dituria” me përkthim të Edmond Tupes, krijon një lloj suspensi, që më tepër të krijon një ndjesi bezdisëse, pasi të lind dëshira për të mësuar menjëherë fundin e romanit. Zhili, vëllai i madh që punon si gazetar, takohet me Anabelën, me të cilën Fabieni, vëllai i vogël që është një yll kinemaje, po mendon të bashkëjetojë. Ai marroset pas vajzës së re dhe lexuesit i lindin me mijëra pyetje: Do ta dashurojë vallë duke vuajtur në heshtje? “Anabela më zgjati faqen e lëmuar si fletë letre e bardhë. Shkrova atje dashurinë time për të në trajtën e një të puthure nga ato që këmbehen në gjirin e familjes. A nuk do të bëhej ajo kunata ime?” Apo do tia shprehë ndjenjat e tij? Në qoftë se po, si do reagojë Anabela? Po Fabieni? Zhili është një burrë, i cili të bën për vete që në fillim të librit, madje pa e kuptuar pse. Duket se e torturojnë disa gjëra, sidomos divorci që ka hedhur pas krahëve, megjithëse lexuesit nuk i bëhet i njohur ky fakt. Por njëherazi ai ruan një qetësi të habitshme në vetvete, pikërisht si burrat dyzetvjeçarë. E prek lexuesin kur bie në dashuri me të fejuarën e vëllait të vet, pasi në qoftë se do e kalojë kufirin e marrëdhënieve "familjare" me të, asgjë nuk do jetë më si më parë... Nga kjo ndjenjë lind një tension i madh, që vazhdon deri në fund të romanit. Gjatë shfaqjes së filmit gjashtë persona gjendeshim midis meje dhe Anabelës, domethënë gjashtë palë këmbë, megjithatë unë shihja vetëm të sajat që shkëlqenin në errësirë. Vuaja ngaqë Fabieni ishte aq i bukur në ekran dhe ma hante mendja se vetë Anabela ishte pushtuar, përmbytur, përpirë nga bukuria e tij. Përse im vëlla kishte vendosur të bëhej aktor filmash? Për të kjo donte të thoshte ta shumëzonte me njëzet ose tridhjetë përsosurinë e tij fizike duke na e dhënë si ndëshkim. Fabieni, vëllai i vogël i Zhilit, ka filluar të bëhet shumë i njohur. Ai është një djalë të ri, i dehur nga suksesi, që pëlqen shumë bredhërimet pas grave, por edhe shumë “kënaqësi” të tjera që të fal alkooli apo droga. Është e vështirë të lidhesh pas këtij personazhi, që duket i sheqerosur, i pasigurt në vetvete dhe mban një qëndrim, pas të cilit duket sikur fsheh me kujdes dhimbjen. Por çështë kjo dhimbje? Fabieni parapëlqente të vazhdonte me uiski dhe Koka-Kola. Pinte uiski me Koka-Kola që pesëmbëdhjetë vjeç e gjysmë. Së shpejti këtë do ta tregonte fytyra e tij dhe, kur ime më dhe unë ia bënim këtë vërejtje, ai thoshte se e pranonte që tani rrënimin fizik, duke mos e ditur se, një vit e gjysmë më vonë, do ta shmangte atë duke shkuar në botën e amshuar me gjithë bukurinë e tij. Katerina është nëna e dy djemve. Në pamje të parë mund të duket si personazh i dorës së dytë, e parëndësishme, por shumë shpejt kuptohet se është vetëm e kundërta. Ajo është një grua e fortë, “ndëshkuese”, që krejt e vetme mbizotëron në familje. Sështë për tu habitur, që ka fare pak vend për bashkëjetuesin e saj, Saverion që pavarësisht të gjithave është një burrë tërheqës. Për të dashurat e Fabienit, nëna jonë shpaloste përçmimin buzagaz të bashkëshortes që i pranon me zemërgjerësi dhe shpengim harbimet e bashkëshortit më të ri se ajo, duke e ditur që ai do të kthehet në gjirin e familjes për tu strukur në krahët e dhembshur, ndonëse pak të dobët, të gruas së tij të ligjshme. Ajo i kushtoi pak vëmendje Anabelës, gjë që e vura re nga mënyra se si u bë copë për të. Pastaj, kur e kuptoi se im vëlla dhe gruaja e re e kishin seriozisht, të paktën më seriozisht se zakonisht, ajo pati një zmbrapsje, çka donte të thoshte se po përpiqej ta vriste mendjen. Përfundimisht, ajo gjykoi se Anabela ishte e pranueshme si nuse, ndonëse u ankua fillimisht se ishte e heshtur, kurse, më vonë, se ishte e zhurmshme. Anabela, e dashura e Fabienit, është një grua e re, delikate, e dashur, dhe me sa duket e tërhequr tej mase nga fama ... Asaj do ti duket shqetësuese sjellja e Zhilit karshi saj, por a do ti dorëzohet vallë pasionit të tij? Kur e depërtova, u ndjeva më në fund si në shtëpinë time të ligjshme pas një jete endacake shumëvjeçare. I shtrirë, trupi i saj ishte bërë sërish më i gjatë. Ai kishte pamjen e një shtëpie. Të shtëpisë sime, pra.
Nëse pena e Patrik Besson-it është në mënyrë konstante mjaft e ashpër dhe e mprehtë, madje shpeshherë nuk e njeh kompromisin apo finiturat, stili i tij gjithsesi mbetet elegant.
Me një qëndrim prej psikologu, ai arrin të përshkruajë personalitete delikate dhe të paqëndrueshme duke shpalosur një tis humori që depërton me lezet në atmosferën e rënduar të subjektit. Kjo teknikë përdoret me sukses, pasi karakteret e Kunatës janë të paparashikueshëm. E fshehta që mbulon gjithë historinë, në fakt mbart mjaft sekrete të tjera. Të dashnorit me dashnoren, të vëllait me vëllanë, të nënës me djalin, pra thelbin e këtij romani e përbëjnë marrëdhëniet sentimentale, bashkë me dëshirat, xhelozitë, keqardhjet, fjalët e pathëna që mund tu helmojnë shpirtin. Kunata na tregon se Patrick Besson do ti kuptojë lexuesit e vet.

Rreth autorit

Patrick Besson është shkrimtar dhe gazetar francez. Ka lindur më 1 qershor 1956 nga një baba rus dhe një nënë kroate. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare boton romanin e tij të parë Les Petits maux damour. Dhjetë vjet më vonë fiton Grand prix du roman për romanin Dara nga Akademia Franceze dhe çmimin Renaudot më 1995 për Les Braban. Ka botuar mbi dyzet libra dhe me mijëra faqe në gazeta e revista. Ndër romanet e tij më të suksesshëm mund të përmendim Saint Sépulcre, Les Braban, Açessible a certaine mélancolie, Défiscalisées, Zodiaque amoureux, Le sexe fiable etj.

Titulli: Kunata
Autor: Patrick Besson
Përktheu: Edmond Tupja
Nr. faqeve: 156
Çmimi: 600 lekë
Shtëpia Botuese: Dituria

Ky lajm është publikuar: 15/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›