E Diel, 1 Nëntor 2026

A/H1N1, viktima e 8-të, paralajmërim për MSH-në për masa të reja

Humbet jetën një grua 55–vjeçare nga qyteti i Tiranës
Emanuela Sako
Vendi ynë shënon viktimën e 8-të nga gripit i derrit, çka kërkon vendosjen e masave të reja nga Ministria e Shëndetësisë. Bëhet fjalë për një paciente 55-vjeçare nga Tirana, e cila humbi jetën gjatë kurimit në Spitalin Infektiv të Tiranës. Numri i rasteve të prekura dhe sidomos i pacientëve që kanë humbur jetën po shënojnë një rritje me ritme të shpejta. Numri i rasteve të prekura dhe të konfirmuara nga Ministria e Shëndetësisë po kap shifrën e 500 pacientëve, ndërsa shumë të tjerë nuk janë evidentuar por ndodhen në gjendje të lirë. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa vetëm për vaksinimin e disa kategorive të qytetarëve, me prurjen e 10 mijë dozave nga Hungaria. Duke pasur parasysh numrin e popullsisë dhe asnjë pengesë për përhapjen e virusit pandemik, qytetarët ndodhen më të ekspozuar se kurrë ndaj virusit vdekjeprurës. Tashmë që virusi është i lirë në popullatë nuk është më e nevojshme kontrolli në pikat kufitare apo aeroporte, por MSH-së i duhen masa të reja për të parandaluar situatën. Ndërsa vaksina nuk ndodhet në dozat e nevojshme për mbulimin e popullatës. E vetmja masë e MSH-së është përgatitja e ambienteve për pritjen e pacientëve të prekur dhe vaksinimi i kategorive më të rrezikuara.
Arsyet
Burime nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) bënë të ditur se viktima e djeshme është një 55-vjeçare nga Tirana, e cila ishte shtruar po gjatë ditës së djeshme në Spitalin Infektiv. Gruaja, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, vuante nga diabeti dhe hipertensioni. Mjekët u shprehën se pacientja ka mbërritur në spital në gjendje shumë të rëndë për shkak të temperaturës së lartë. Sipas bluzave të bardha shkak për vdekjen ka qenë gripi që ka rënduar gjendjen e të sëmurës me diabet dhe hipertension. Por, gjithsesi mjekët pohojnë se dhe vonesa e shtrimit të gruas në spital mund të jetë një nga arsyet e agravimit të sëmundjes.
Rastet
Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se deri më tani janë konfirmuar mbi 400 raste të prekura në të gjithë vendin. Ndërsa janë kryer ekzaminimet për 2800 persona. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 -24 vjeç, ku vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Ministria e Shëndetësisë konfirmon zyrtarisht 8 rastet e personave që humbën jetën nga virusi i gripit të derrit. Rasti i parë që humbi jetën ishte pacienti 57 -vjeçar nga Sukthi i Durrësit. Një tjetër rast, ishte ai një 51-vjeçare nga Kukësi e cila ndërroi jetë në spitalin infektiv në Tiranë. Deri më tani, nga rastet që kanë humbur jetën 5 persona kanë qenë të sëmurë kronikë dhe një tjetër ka qenë shtatzënë. Ndërsa rasti i 31- vjeçarit nga Vlora është i dyshimtë, pasi ai nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Po i tillë, konsiderohet edhe rasti i 18- vjeçares shtatzënë, e cila nuk vuante nga sëmundje kronike, por për shkak të shtatzënisë dhe një anemie që është normale në këtë periudhë, humbi jetën nga komplikacionet që shkaktoi virusi në mushkëritë e viktimës. Specialistët sqarojnë se kategoritë e mësipërme, e kanë të nevojshme kryerjen e vaksinës në kohë, pasi virusi pandemik është i predispozuar të krijojë komplikacione. Ndërkohë që shënohet edhe rasti i fundit, i gruas 55-vjeçare nga Tirana.

Rastet
51-vjeçarja nga Tirana
57– vjeçari nga Durrësi
47- vjeçarja nga Shkodra
53- vjeçari nga Shkodra
31- vjeçari nga Vlora
18- vjeçarja shtatzënë nga Berati
51- vjeçarja nga Kukësi
25- vjeçari nga Korça
Numri i të prekurve nga A/H1N1 mbi 400 raste

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›