Shpërndarja e vaksinës, dozat në të gjitha spitalet dhe poliklinikat
Vaksina e sapoardhur e gripit të derrit është shpërndarë në të gjitha poliklinikat, nga ku ka nisur edhe faza e parë e vaksinimit. Specialistët e shëndetit publik bëjnë të ditur se tashmë çdo gjë është nën kontroll dhe se do të vazhdojë vaksinimi për personelin shëndetësor. Njëkohësisht, Instituti i Shëndetit Publik i bën apel qytetarëve që janë caktuar në listën e personave më të riskuar nga gripi i derrit ta aplikojnë vaksinën e re dhe të mos kenë frikë për sigurinë e saj. Drejtori i ISHP, Alban Ylli, pak ditë më parë, garantoi popullatën se 10 mijë dozat e vaksinës janë testuar nga një agjenci evropiane dhe efektet anësore të saj janë të papërfillshme. Dozat e para të vaksinave janë shpërndarë pasditen e së hënës në poliklinika dhe spitale. Drejtori i ISHP ka dhënë garanci dhe për ruajtjen e vaksinave në kushtet e kërkuara. “Sistemi ynë i vaksinimit ka një traditë të mirë përsa i takon ruajtjes së vaksinave, pra zinxhiri ftohës funksionon më së miri. Vaksina është shumë komode përsa i takon përdorimit, pasi është një dozëshe dhe ka ardhur e shoqëruar me shiringën përkatëse”, - theksoi Ylli. Sipas ISHP-së, pas mbylljes së fazës së parë të vaksinimit do të procedohet me grupet e tjera të riskut ku është përllogaritur të jenë rreth 210 mijë persona të tjerë. Porosia e blerjes së dozave për ta është mbyllur dhe sasitë e tjera të vaksinës pritet të vijnë pas Vitit të Ri. Autoritetet e shëndetësisë thonë se vaksina nuk do të jetë me detyrim.
Blerja e vaksinës, kompania Hungareze mundësoi vaksinimin
Vaksinat u blenë nga një kompani hungareze me bashkëpunimin e OBSH-së për sigurimin e tyre. Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar kategoritë më të rrezikuara nga gripi i derrit. Sipas përfaqësuesve të shëndetësisë, grupet e para që do të vaksinohen janë fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç, gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe të sëmurët kronikë. “Unë besoj që vaksinat e para ndaj gripit pandemik A/H1N1, janë 10 mijë dozat e para që vijnë nga Hungaria. Ka një plan dërgese nga kompania në të cilën janë prenotuar vaksinat në Hungari. Në javët në vijim pritet të vijnë 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapacitetit prodhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transportit”, - shprehet Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. MSH-ja ka përjashtuar nga kryerja e vaksinës disa kategori qytetarësh. Sipas specialistëve personat që vuajnë nga alergjitë dhe fëmijët që nuk kanë mbushur ende 1 vjeç nuk duhet të kryejnë vaksinimin kundër gripit të derrit. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli bëri të ditur se vaksina nuk përbën rrezik për popullatën pavarësisht se disa kategori do të përjashtohen nga kryerja e saj. Ndërkohë që bëhet e ditur se vaksina është e testuar nga kompania Hungareze dhe nuk përbën rrezik edhe pse ka efekte anësore, të cilat shfaqen brenda 24 orëve nga kryerja e saj. Vaksina nuk do të aplikohet tek personat që kanë alergji nga veza, ndërkohë që efektet në momentin e injektimit janë afatshkurta si ato të vaksinave të tjera.
26 Dhjetor 2009