E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 13 shqiptarë në anijen me 1.5 tonë kokainë

Asgjësohet rrjeti ndërkombëtar i kokainës. Vlera e drogës, 375 milionë paund. Skema e funksionimit të trafikut me origjinë nga Kolumbia dhe roli i shqiptarëve
Përkrah trafikantëve të drogës nga Anglia, Spanja, Karaibet dhe Kolumbia, tashmë janë vendosur dhe ata shqiptarë. 13 shqiptarë janë vënë në pranga bashkë me 150 persona të tjerë, pasi janë ndaluar në një anije me 1.5 tonë kokainë pranë brigjeve spanjolle. Lajmi bëhet i ditur nga ana e agjencive ndërkombëtare, të cilat njoftojnë se një ish-anije e rojës bregdetare u zbulua nga policia duke transportuar një ngarkesë prej 1.5 tonësh kokainë që kap vlerën e rreth 375 milionë paundve. Anija është bllokuar në brigjet e Spanjës të mërkurën në mëngjes. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se anija “Empress Destiny” mund ta ketë origjinën nga Chaguaramas, Trinidad, nga Kolumbia. Burime të Policisë angleze kanë thënë se një ekip elite, përfshirë zyrtarë të doganave, Akciza Ndarja dhe Antikrimit Special Unit (SAUTT) janë ngritur për të hetuar. Hetuesit po verifikojnë nëse anija hyri në ujërat e Trinidad dhe sa kohë qëndroi aty. Hetimi ka përfshirë të gjitha vendet ku mendohet se ka kaluar tranzit në ujëra anija e ngarkuar me kokainë. Ndërkohë që nga ana e banorëve të Trinidad Tabako mësohet se ata kanë informuar se anija mund të jetë ankoruar për disa kohë, disa milje larg nga kjo zonë. Besohet se shumica e drogës vinte nga Kolumbia dhe si treg kryesor dyshohej ai i Londrës. Sipas një raporti të Times-Online, rreth orës 8, të mërkurën, policia spanjolle, duke punuar me Forcat Qendrore të Policisë Metropolitane dhe Agjencinë e Krimit të Organizuar (SOCA), hipi në një anije 200 milje larg bregdetit Iberik dhe gjeti një rreth 1,5 tonë kokainë. Në anije janë arrestuar rreth 150 persona që po udhëtonin për në Spanjë. Mes të arrestuarve janë edhe 13 shqiptarë dhe disa të tjerë nga Kosova që jetojnë në Britani. Deri tani ende nuk janë bërë të ditur emrat e 13 shqiptarëve të arrestuar. Lajmi në fjalë konfirmohet dhe nga një zëdhënës i Metropolitan Police, i cili thekson se është kryer një numër arrestimesh, duke përfshirë edhe anëtarë të ekuipazhit të anijes. Detektivët thonë se kjo është ngarkesa më e madhe e drogës që është bllokuar ndonjëherë. Rrjeti besohet se përbëhet nga kriminelë me përvojë dhe ka një shtrirje nga Londra e Spanja në Karaibe dhe Kolumbi.
Raportet
Rasti më i fundit përforcon edhe më shumë raportet e nxjerra nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët shprehen se kriminelët shqiptarë tashmë janë duke u fuqizuar dita-ditës dhe duke bashkëpunuar me personazhe të njohur të botës së krimit në botë. Vetëm në fillim të këtij viti, Instituti Kërkimor në Uashington vuri alarmin mbi të ashtuquajturën “Mafia ballkanike”. Në këtë raport, ky institut shprehej se rrjetet e drogës në Ballkan janë fuqizuar ndjeshëm. Grupet mafioze të trafikut të heroinës, kokainës, të qenieve njerëzore, por edhe të kontrabandës së cigareve, janë fuqizuar duke investuar paratë e tyre në disa sektorë të industrisë. “Përmes lidhjeve që kanë me politikën, ata lehtësojnë rrugët për pastrimin e parave. Aktualisht Serbia konsiderohet si një nga qendrat e fuqishme rajonale, që lidh fijet e grupeve të drogës me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Madje nga Beogradi janë krijuar rrjete efikase të bashkëpunimit të grupeve mafioze në Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri”, – thuhej në këtë raport. Katër javë më parë, edhe ekspertë të strukturave të specializuara europiane në luftën kundër krimit pohuan se “grupet kriminale në Ballkan, me mbështetjen e qendrave politike të caktuara të fuqisë, po ngrenë një organizatë të përbashkët me forcën e vet të armatosur, me institucionet e veta financiare dhe me shërbimin e vet të zbulimit. Sipas tyre, mafia në Ballkan po krijon një rend të ri, ndërsa grupet kriminale, të ndihmuara edhe nga kolegët e tyre europianë, po zhvillojnë një forcë të vetën të armatosur, duke u bërë kështu gjithnjë e më të rrezikshëm.
Rrugët e drogës
Po sipas raporteve të publikuara gjatë kohëve të fundit nga ana e ndërkombëtarëve, mësohet se rrugët kryesore të trafikut të drogës kalojnë nga Ballkani. Një drejtim vjen nga Turqia, përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, kurse tjetri nga Bullgaria të çon drejt Maqedonisë, Serbisë, Kosovës dhe Kroacisë. Kontrabanda përmes kësaj rruge, krahas me makina dhe kamionë, zhvillohet edhe me aeroplanë, pasagjerë, ndërkohë që janë konstatuar edhe raste kur droga dërgohet edhe me dërgesa postare. Nga ana e saj Europol bën të ditur se përmes rrugës që përdoret, më së shumti për kontrabandën e heroinës nga Afganistani, vitet e fundit është transportuar intensivisht edhe kokaina, e cila, fillimisht është sjellë nga Amerika Jugore dhe, përmes porteve të Afrikës Perëndimore, ka mbërritur në Portugali dhe Spanjë. Grupe të mafies shqiptare dhe tetë klane kriminale në Malin e Zi janë marrë vesh tashmë me narko-liderët në Kolumbi, Bolivi dhe Peru dhe kështu droga me anije transportohet për në portet e Barit në Malin e Zi, si dhe në portet e Kroacisë, Shqipërisë ose edhe në Itali.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›