E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 20-vjeçari, masakron me thikë ish-të dashurën

TIRANË - Tentoi të vriste dy ditë më parë në Vlorë ish-të dashurën e tij, arrestohet në Tiranë Ardit Lusha. Arrestimi i 20-vjeçarit Lushi është bërë gjatë ditës së djeshme në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në qytetin bregdetar. Për t’i shpëtuar arrestimit, i riu ishte strehuar në një banesë në kryeqytet dhe në momentin e arrestimit, sipas policisë, nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe nuk ka deklaruar asgjë lidhur me ngjarjen. 20-vjeçari me banim në Durrës kishte shkuar dy ditë më parë për të takuar ish-të dashurën në Vlorë, me të cilën kishte njohje prej një viti. Pas sherrit, i cili mësohet se ka lindur pasi vajza nuk e lejoi djalin të hynte në shtëpi, 20-vjeçari e ka qëlluar minorenen 4 herë me thikë. Goditjet kanë qenë në grykë, kraharor, shpatull, në bark dhe duar. Pas ngjarjes autori u largua nga banesa duke arritur të udhëtojë drejt Tiranës për t’i shpëtuar policisë. Por arratia e tij zgjati vetëm 24 orë, pasi Policia e Tiranës dhe ajo e Vlorës bënë të mundur zbulimin e vendndodhjes së tij dhe arrestimin. Ka qenë vetë vajza që në momentin e nisjes për në spital u ka treguar policëve identitetin e masakruesit. Adoleshentja ndodhet sot e shtruar në Spitalin e Vlorës ku mjekët pohojnë se gjendja e saj paraqitet e rëndë. Ajo ka humbur një veshkë, ndërsa ka pasur dëmtime në mushkëri. Ardit Lushi akuzohet për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë", ndërsa të dhënat e para nga hetimet e policisë flasin se ngjarja ka pasur motive xhelozie.

Revoltë kundër shqiptarit që vrau indianin

ITALI – Parma e gjitha kundër një shqiptari. Një komunitet i tërë në këtë qytet është ngritur kundër një agresori të identifikuar si shqiptar, i cili qëlloi me thikë javën e kaluar një nxënës indian në moshë të re, fare pranë shkollës ku studionte viktima. Konflikti besohet se lindi brenda shkollës, ndërsa dy net më parë i riu indian ka gjetur vdekjen. Shokët e tij të shkollës, bashkë me familjarët, kanë shkuar ditën e djeshme pranë Mjekësinë Ligjore ku tërhoqën trupin e pajetë. Shumica e të njohurve të viktimës e kanë konsideruar ngjarjen pa shkak, duke thënë se i riu indian, i ardhur pak kohë më parë nga Panjab, gjeti vdekjen si pasojë e një grindjeje pa shkak. I riu 18-vjeçar u qëllua javën që shkoi nga një shqiptar. Media italiane abuzoi që në fillim duke thënë se shkak i ngjarjes ishte një mosmarrëveshje për drogë. Autoritetet ende nuk kanë dhënë një version në lidhje me shkakun e ngjarjes.

Qëlloi me pistoletë tre persona, arrestohet autori

KORÇË - Pranga të riut që qëlloi me armë tre persona. Policia e Korçës bën të ditur lajmin se ka arrestuar R. Metkon, i cili dyshohet se dy ditë më parë, në bashkëpunim me shokët e tij, K. Bode dhe D. Deli, kanë qëlluar me sende të forta dhe armë zjarri tre personat E. Lipo, A Zere dhe N. Cico. Sipas Policisë së këtij qyteti bëhet e ditur se ngjarja ndodhi pas një sherri për motive të dobëta mes dy grupeve të të rinjve. Mbi të arrestuarin rëndon akuza e “vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim” e mbetur në tentativë, si dhe “prishjes së rendit dhe qetësisë publike e kryer në bashkëpunim”. Uniformat blu të qytetit juglindor, në cilësinë e provës materiale, kanë sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë, e kalibri 9 mm, një karikator si dhe katër fishekë.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›