A/H1N1, virusi i merr jetën 18-vjçares shtatzënë
Viktimat bëhen pesë
Pacientja e re ka gjetur vdekjen nga virusi pandemik, ndërsa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë
Marsel LELA
TIRANë – Shkon në pesë numri i të vdekurve nga gripi i derrit në Shqipëri. Viktima e radhës e virusit vdekjeprurës ka qenë një 18-vjeçare shtatzënë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vdekja e 18-vjeçares ka ardhur si pasojë e prekjes nga virusi i rëndë. Pacientja ka qenë prej gjashtë ditësh e shtruar në spitalin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe mbahej në repartin e terapisë intensive. Sipas drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, 18-vjeçarja ka gjetur vdekjen rreth orës 16:00, ndërsa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. Pipero theksoi se infeksioni i gripit nuk u përballua dot nga pacientja, me gjithë ndërhyrjen e specializuar. Drejtori i Përgjithshëm i MSH-së, Pëllumb Pipero, u shpreh se situata e gripit pandemik është nën kontroll dhe vala e infeksioneve ka pësuar rënie, ndërsa bëri thirrje për kujdes ndaj higjienës personale. Viktima e katërt e virusit A/H1N1 në Shqipëri u shënua tri ditë më parë. Pacienti 31-vjeçar me iniciale E. M. nga qyteti i Vlorës, u shtrua në spitalin e këtij qyteti pas disa ditësh kurim në shtëpi, por pas përkeqësimit të gjendjes u transferua në Tiranë, ku humbi edhe jetën. Ndërkohë, një grua 47-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga mushkëritë, hipertensioni dhe hiperobeziteti, si dhe një 51-vjeçar po nga qyteti i Shkodrës kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit nga virusi A/H1N1 në Shqipëri. Viktima e parë e regjistruar në Shqipëri ishte një burrë 57-vjeçar nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga tumori në prostatë.
Sipas informacioneve të Institutit të Shëndetit Publik, deri më sot regjistrohen 334 të prekur nga gripi i derrit, ku mosha mesatare e rasteve të prekura është 23 vjeç. Sipas ISHP-së, deri sot në këtë institut janë marrë 2357 mostra të grupmoshave 15-24 vjeç. Virusi A/H1N1 është shumë agresiv te personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe që janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në të gjithë rastet virusi ka shkaktuar komplikacione të rënda në mushkëri. Ulja e temperaturave, por edhe qarkullimi i gripit sezonal po ndikon në përkeqësimin e situatës shëndetësore. Në Shqipëri vala e parë të prekurve nga ky virus u shënua gjatë muajit nëntor dhe pritet që në fillim të muajve janar dhe shkurt situata të jetë më e rënduar.
Duke sjellë në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1 është veçanërisht e lartë te këta pacientë, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist, në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë.
Personat më të rrezikuar nga A/H1N1
1. Të sëmurët me zemër
2. Të sëmurët me bronkopneumoni
3. Pacientët me probleme kronike në mushkëri
4. Pacientët e prekur nga tumoret
Gripi i derrit
Pandemia vdekjeprurëse, rrugët për t’iu shmangur infeksionit të rrezikshëm
TIRANë - Me përhapjen e virusit të gripit të derrave edhe në vendin tonë, çdo person është i rrezikuar nga infektimi. Kjo për arsye se jo vetëm që virusi shpërndahet nëpërmjet ajrit, por edhe për faktin se kjo sëmundje ka simptoma të njëjta me gripin e zakonshëm dhe ne kurrë nuk mund ta dimë nëse jemi prekur nga virusi A, nëse nuk bëjmë analizat.
Për të evituar infektimin nga ky virus, specialistët kanë dhënë këshillat paraprake që duhet të ndjekin qytetarët çdo ditë, si dhe informacione për t’u njohur me sëmundjen në fjalë. Gripi i derrit është një infeksion akut viral i rrugëve të frymëmarrjes së derrave që shkaktohet nga tipi A i virusit të gripit. Simptomat janë të ngjashme me gripin sezonal të zakonshëm të njerëzve si: fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbja e fytit, riniti, kolla, por vërehet edhe diarre. Në shumicën e rasteve transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me derrat. Rastet e transmetimit nga njeriu te njeriu më parë kanë qenë të rralla. Ky virus nuk transmetohet nga ngrënia e mishit apo produkteve të derrit.
Ky lloj gripi ka ngjashmëri midis viruseve H1N1 te derrat dhe njerëzit (ku përfshihet në vaksinën e gripit). Pandemia shkaktohet nga një virus i ri i gripit që përhapet në të gjithë botën dhe infekton një numër të konsiderueshëm të popullatës që nuk ka mbrojtje ndaj tij. Rregullat janë: të mënjanojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë, në rast se janë të sëmurë të qëndrojnë në distancë nga të tjerët për t’i mbrojtur ata, të qëndrojnë në shtëpi dhe të evidentojnë daljen nëse janë të sëmurë, të lajmërojnë menjëherë mjekun, të mbulojnë gojën dhe hundën me shami kur kolliten apo teshtijnë, të mos pështyjnë në tokë, shamitë e mbështjella t’i hedhin në koshin e plehrave, të lajnë sa më shpesh duart me ujë e sapun, sidomos pasi janë kollitur apo kanë teshtirë. Larja e duarve me alkool është gjithashtu e efektshme, si dhe nuk duhet të preken sytë, hunda dhe goja. Mikrobet përhapen edhe në rastet kur një person prek sipërfaqe të ndotura me mikrobe.