E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, viti 2009 mbyllet me probleme të mëdha

Sistemi shëndetësor
 

 
Sipas mjekëve të qendrave shëndetësore, përveç mungesave profesionale, ekzistojnë edhe ato më elementaret
 
Marsel LELA
TIRANë - Ky vit mbyllet me probleme të mëdha për sistemin shëndetësor shqiptar. Kanë qenë vetë mjekët e qendrave shëndetësore, si dhe disa nga krerët e këtyre qendrave, që janë shprehur se sistemi shëndetësor nuk është funksional dhe nuk u përgjigjet kërkesave të pacientit.
Nga ana e tyre, krerët e Urdhrit të Mjekut kanë shprehur pakënaqësitë për mungesat e mëdha që vuan sot sistemi ynë shëndetësor. Sipas tyre, sistemi është në kolaps, për sa kohë si pacientët, ashtu edhe mjekët shprehin pakënaqësi për shërbimin, mungesën e ilaçeve, ryshfetin dhe pagat e ulëta.
Arsyet e ekzistencës së krizës në sistemin shëndetësor Urdhri i Mjekut i jep me anë të faktit se ka mungesë barnash nëpër spitalet e vendit, nuk gjendet gama e duhur e aparaturave, mungesa e laboratorëve nëpër poliklinika, mungesa deri edhe e kushteve elementare nëpër spitale, siç janë çarçafët, të cilët pacientët duhet t’i marrin me vete, për të mos harruar edhe banjat, të cilat thuajse nuk ekzistojnë fare.
Krerët e Urdhrit të Mjekut bëjnë fajtor mënyrën e qeverisjes për këtë gjendje në të cilën ndodhet sistemi shëndetësor, pasi sipas tyre, me 3 për qind të GDP-së në këtë sektor nuk mund të ndërtohet asgjë.
Sektori i infermierisë në Shqipëri gjithashtu paraqitet me probleme të mëdha, ku përveç mungesave profesionale, ekzistojnë edhe ato më elementaret. Kanë qenë vetë infermierët që kanë ngritur zërin në lidhje me mangësitë që paraqet ky sektor, si mangësitë në nivelin profesional të infermierëve, apo edhe gjërat më primare, siç janë veshjet.
Sipas Urdhrit të Infermierit, problematika e parë që ngrenë infermierët është ai i përfaqësimit të mangët të tyre në instancat e larta të shërbimit shëndetësor, atje ku në fakt merren dhe vendimet e rëndësishme për mbarëvajtjen e tij.
Urdhri i Mjekut bëri me dije se infermieri nuk është pjesë e niveleve drejtuese të sistemit shëndetësor në vend. Edhe pse ai është pjesë e rëndësishme e këtij sistemi, me shërbimin që kryen në çdo etape të jetës së njeriut, në çdo moment të tij, vendimet për të i marrin të tjerët që e shohin si më pak të vlerësuar këtë profesion.
Sipas këtij urdhri, infermierët nuk përfaqësohen madje as atje ku diskutohet për të ardhmen e profesionit të tyre, apo për rritjen e cilësisë në shërbimin spitalor, gjëra këto që kanë të bëjnë në mënyrë direkte me rritjen profesionale të tij.
Urdhri i Infermierit ka deklaruar se infermierët si sistem nuk janë të përfaqësuar ashtu siç e meritojnë në nivele institucionale dhe të drejtimit spitalor, por as edhe në institucionet qendrore ku hartohen politikat shëndetësore dhe merren vendimmarrje të rëndësishme lidhur me të.
Gjatë takimeve, infermierët kanë ngritur edhe shqetësimin për një mungesë të standardizimit të veshjes së tyre. Kjo është konsideruar nga këta të fundit si një detyrë institucionale për t’u përmbushur nga ana e spitaleve dhe është një dukuri, e cila vihet re në të gjithë qytetet. Sipas tyre, duhet një veshje standarde dhe jo të lihet në varësinë personale të zgjedhjes së secilit prej tyre.
Gjithashtu, ata vënë në dukje dukurinë e mungesës së veshjeve standarde për të gjithë infermierët, e cila ka të bëjë me paraqitjen, si pjesë e etikës profesionale së tyre. Sipas Urdhrit të Infermierit, duhet standardizuar veshja e infermierit dhe jo të lihet në varësinë të zgjedhjeve të ndryshme, pasi është pjesë e etikës profesionale.
Nga ana tjetër, gjatë diskutimeve në tavolinat e rrumbullakëta është ngritur edhe problematika e nivelit profesional të infermierëve. Ata pohojnë se ekzistojnë disa çështje të formimit të tyre profesional, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mangësi në arsimimin praktik të profesionit të tyre.
 
 
Shpërblimet
 
ISKSH, mjekët përfitojnë nga dy paga
TIRANë – Rreth 12 mijë mjekë do t’i kenë xhepat “e ngrohtë” këtë fundvit. Pas mbylljes së bilancit për vitin 2009, punonjësve të shëndetësisë do t’u akordohen shpërblime të majme nga Instituti i Shëndetit Publik.
Përfitime nga shpërblimet e fundvitit, të akorduara nga Instituti i Shëndetit Publik, do të kenë jo vetëm mjekët e qendrave shëndetësore, por edhe infermierët, laborantët dhe punonjësit e administratës të shërbimit shëndetësor.
Një pjesë e mjekëve do të përfitojnë deri në dy rroga shpërblim, ndërsa pjesa tjetër vetëm një rrogë. Instituti i Shëndetit Publik ka vendosur të tregohet bujar me mjekët këtë fund viti, duke i shpërblyer ata për punën e mirë.
Sipas bilancit të fundvitit, një pjesë e qendrave shëndetësore do të shpërblehen me afro dy paga, ndërsa në të gjitha qendrat e tjera punonjësit e tyre do të marrin një pagë shpërblim.
Duke iu referuar numrit të punonjësve të shëndetësisë në sistemin tonë shëndetësor, në rang vendi janë gjithsej 11 mijë e 888 punonjës të shërbimit spitalor në vend, të cilët përfitojnë shpërblim. Prej këtyre 1 mijë e 600 janë mjekë, 6 mijë e 300 janë infermierë dhe laborantë, ndërsa 3 mijë e 988 janë punonjës administrate.
 
 
Iu vonohet ndihma ekonomike
 
Patos, 60 persona ngujohen në bashki
PATOS – Varfëria nga njëra anë dhe mungesa e ndihmës financiare nga ana tjetër, kanë detyruar disa familjarë nga qyteti Patosit të ngujohen në bashkinë e këtij qyteti. Kanë qenë rreth 60 persona, të cilët janë ngujuar pasditen e së djeshmes në ambientet e Bashkisë së Patosit, ku kanë kërkuar të drejtën e tyre për marrjen e ndihmës ekonomike.
Informacionet bëjnë të ditur se personat janë futur në sallën e mbledhjeve të kësaj bashkie, duke kërcënuar se nuk do të largohen pa marrë ndihmën ekonomike. Të ngujuarit kanë qenë përfaqësues të 800 familjeve në nevojë, të cilët kërkojnë ndihmë ekonomike, pasi kjo e fundit iu është vonuar.
Për ngjarjen ne fjalë kanë reaguar edhe zyrtarët e Bashkisë së Patosit, të cilët kanë theksuar se fondi i qeverisë për familjet në nevojë ekonomike nuk është akorduar ende.
 
 
Darka e Vitit të Ri
 
Ushqimet, si ta shijoni më mirë natën e ndërrimit të viteve
 
 
Flasin dietologët: Si t’i shijoni ushqimet pa u velur dhe pa krijuar probleme në organizëm gjatë festës së Vitit të Ri
 
 
MARSEL LELA
TIRANë - Vetëm dy ditë na ndajnë nga festa e Vitit të Ri, kur të gjithë do të jemi ulur rreth tryezës më plot se ditët e tjera, për të festuar natën e ndërrimit të viteve. Sigurisht, kjo është një natë në të cilën askush nuk i vë “fre” gojës për sa i përket të ngrënit, por ideja se ky shfrenim nuk është i dëmshëm, sepse është vetëm për një natë, është diçka e gabuar.
Kjo jo vetëm se konsumi i ushqimit të tepërt mund të shkaktojë probleme pikërisht atë natë, të cilën askush nuk dëshiron ta kalojë në spital, por edhe për efektet që mund të japë më vonë në organizëm.
Mjekët e urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” rrëfyen se çdo vit ka pasur probleme lidhur me këtë çështje, ku shumë njerëz janë paraqitur në spital në orët e vona, si pasojë e konsumimit të tepërt dhe pa kriter të ushqimeve. Sipas tyre, simptomat e zakonshme që kanë paraqitur të sëmurët në këto lloj rastesh janë probleme të stomakut, të vjella, si dhe helmime.
Kjo e fundit shkaktohet zakonisht kur ata kanë konsumuar ushqime të skaduara, por në shumë raste kjo ndodh edhe për shkak të përzierjes që këta të fundit u bëjnë ushqimeve, të cilat krijojnë reaksion në organizëm.
Mjekët shpjegojnë se shkaktari kryesor i problemeve të personave që paraqiten në spital me këto simptoma, është yndyra e tepërt që ata konsumojnë gjatë natës së ndërrimit të viteve. Sipas tyre, kjo sasi e madhe yndyre përftohet nga konsumimi i shumtë i mishit, si dhe nga përzierja e disa lloje mishi që këta të fundit mund të kenë ngrënë gjatë natës së ndërrimit të viteve.
Gjithashtu, një problem tjetër janë edhe ëmbëlsirat që gjatë kësaj nate zakonisht konsumohen më tepër se ç’duhet. “ëmbëlsirat, si tortat e ndryshme apo pastat, të cilat nuk mungojnë në tryezë gjatë festës së fundvitit, kanë një sasi të konsiderueshme veze, e cila është një element që shkakton reaksion kur përzihet me ushqimet e tjera që nuk e durojnë praninë e saj.
Por mund të krijojë gjithashtu probleme, kur para konsumimit të saj është konsumuar një sasi e madhe ushqimesh”, tha njëri prej mjekëve të urgjencës së QSUT-së. Gjithashtu, konsumi i tepërt i ushqimeve në këtë natë është edhe një faktor që mund të shkaktojë probleme në peshën trupore të gjithsecilit.
Mjekët specialistë u shprehën se sasia e madhe e kalorive që përfton trupi i njeriut gjatë konsumimit të një sasie të madhe ushqimi krijon shtresa të tepërta dhjami, që trupi e ka shumë të vështirë t’i tresë në të ardhmen. Sipas tyre, personat që janë më të ekspozuar ndaj këtij problemi janë njerëzit e shëndoshë, apo mbipeshë.
Në të tilla raste, siç është ajo e festës së Vitit të Ri, mjekët këshillojnë që të konsumohet pak nga të gjithë ushqimet, në mënyrë që edhe të ngopesh, por edhe ta shijosh deri në fund këtë mbrëmje.
Gjithashtu, mjekët këshillojnë që përpara se të ulemi për të ngrënë darkën e Vitit të Ri, duhet konsumuar një vakt i lehtë, në mënyrë që të thyhet uria dhe mos të ndihet nevoja e konsumit të tepërt të ushqimeve.
 
 
Vaksina kundër A/H1N1
 
Specialistët: Medikamenti nuk ka efekte anësore të rrezikshme
 
TIRANë – Për shkak të shtimit të rasteve të të prekurve nga gripi i derrit, si dhe i viktimave të shkaktuara nga ky virus, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik këshillojnë popullatën të bëjë vaksinën kundër gripit, për të parandaluar përhapjen e tij.
Sipas specialistëve të ISHP-së, personat e parë që do të vaksinohen do të jenë fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe personeli. Për sa u përket personave më të rrezikuar nga virusi i gripit të derrit, kategoritë janë: të sëmurët me zemër, të sëmurët me bronkopneumoni, pacientët me probleme kronike në mushkëri, si dhe pacientët e prekur nga tumoret.
Specialistët e ISHP-së bëjnë të ditur se efektet anësore janë afatshkurtra, ashtu si efektet e të gjitha vaksinave. Sipas tyre, efektet shfaqen si reaksione alergjike.
Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka bërë të ditur se vaksinat e ardhura nga Hungaria janë aplikuar jo vetëm në atë shtet, por edhe në vendet e tjera dhe nuk ka asnjë raport që kjo vaksinë të ketë efekte anësore në vendet respektive. Gjithashtu, specialistët shprehen se askush nuk duhet të ndihet i frikësuar nga vaksina, pasi kjo është e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë gripit të derrit.
Sipas informacioneve të Institutit të Shëndetit Publik, deri më sot regjistrohen mbi 400 të prekur nga gripi i derrit, ku mosha mesatare e rasteve të prekura është 23 vjeç. Sipas ISHP-së, deri sot në këtë institut janë marrë 2357 mostra të grupmoshave 15-24 vjeç.
Virusi A/H1N1 është shumë agresiv te personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe që janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në të gjithë rastet virusi ka shkaktuar komplikacione të rënda në mushkëri.
Ulja e temperaturave, por edhe qarkullimi i gripit sezonal po ndikon në përkeqësimin e situatës shëndetësore. Në Shqipëri, vala e parë të prekurve nga ky virus u shënua gjatë muajit nëntor dhe pritet që në fillim të muajve janar dhe shkurt situata të jetë më e rënduar. Duke sjellë në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1 është veçanërisht e lartë te këta pacientë, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist, në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë.
 
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›