Gripi i derrit, 5 të shtruar rëndë në sanatorium
Përveç nëntë viktimave që ka lënë pas, gripi i derrit shënon në vendin tonë mbi 410 të infektuar
Marsel LELA
TIRANë – Gripi i derrave që ka shënuar deri tani nëntë viktima në vendin tonë, vazhdon të godasë në mënyrë fatale. Muaji dhjetor i vitit që lamë pas ka shënuar deri tani numrin më të madh të të prekurve nga virusi i gripit A/H1N1 dhe ka rritur edhe numrin e viktimave.
Pandemia e virusit vdekjeprurës që pushtoi tërë botën ka qenë një ngjarje që tronditi mjekësinë shqiptare, por edhe shoqërinë gjatë vitit që shkoi. Shqipëria regjistroi nga ky virus nëntë viktima dhe shumë të prekur.
Sipas informacioneve të marra nga Instituti i Shëndetit Publik, për vitin 2010 kemi gjithsej pesë të shtruar të prekur nga gripi i derrit. Njëri prej të infektuarve ndodhet në spitalin infektiv, ndërsa katër të tjerët në sanatorium.
Duke iu referuar informacioneve të ISHP-së, gjendja e këtyre të infektuarve është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, përveç nëntë viktimave që ka lënë pas, gripi i derrit shënon në vendin tonë mbi 410 të infektuar.
Një pjesë e viktimave të shkaktuara nga ky grip kanë qenë të rinjë dy prej të cilëve edhe dy nëna shtatzëna në muajin e tetë, ndërsa tjetra një shtatzënë e cila priste dy binjakë. Sipas mjekëve, kemi një ulje të numrit të të infektuarve nga virusi A/H1N1, duke marrë parasysh ritmin me të cilin është rritur ky numër në dhjetor të 2009-ës. Sipas mjekëve, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike janë të më rrezikuarit për jetën nga virus tipit A.
Viktimat e tjera të shënuara nga gripi i derrit kanë qenë më parë të diagnostikuara nga sëmundje të rënda, si zemra apo mushkëritë.
Deri në datën 22 dhjetor, numri i personave zyrtarisht të infektuar në vendin tonë kapte shifrën e rreth 400 personave, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se janë marrë deri në datën 22 dhjetor 2500 mostra nga Tirana dhe rrethet.
Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 deri 24 vjeç, ku vihet re edhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se survejanca në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin mbi shtrimet në të gjithë spitalet e vendit, si dhe është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratore.
Ndërkohë, prej muajit dhjetor të vitit që shkoi në Shqipëri ka nisur vaksinimi kundër gripit të derrit i stafit mjekësor dhe i kategorive të tjera të rrezikuara.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të rriskuara dhe prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi dje, se nga gripi pandemik, sipas të dhënave të fundit, deri tani në botë kanë vdekur të paktën 11 mijë e 516 persona.
Vatra e infeksionit
A/H1N1, rastet fatale të virusit vdekjeprurës po shtohen përditë
TIRANë -Epidemia e gripit të derrit po zgjerohet çdo ditë e më shumë në vendin tonë dhe bashkë me të, edhe rastet fatale. Shqipëria tashmë është përfshirë në listën pozitive të vendeve me vdekje nga A/H1N1, që pas viktimës së parë të shkaktuar nga ky virus. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, infeksioni nga virusi pandemik ka kaluar tashmë në një fazë më të lartë rrezikshmërie.
Rrezikshmëria nga ky virus përfshin të gjithë popullatën, por veçanërisht ata persona që janë të prekur edhe nga ndonjë sëmundje, kryesisht kronike. Sipas specialistëve, rrezikshmëria nga A/H1N1 është veçanërisht e lartë te pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore.
Duke sjellë në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1 është veçanërisht e lartë te këta pacientë, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist, në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë. Ministria këshillon gjithashtu evitimin në maksimum të mjediseve të mbifrekuentuara. Statistikat nga Ministria e Shëndetësisë flasin për mbi 400 të infektuar nga virusi i gripit të derrit. Bëhet e ditur se shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në kryeqytet. Përhapja me shpejtësi e gripit të derrave në Shqipëri ka vënë në alarm autoritetet shëndetësore të vendit.
Shqetësim përbëjnë së tepërmi institucionet arsimore dhe çerdhet, ku gripi ka filluar të sulmojë ndjeshëm. Sipas specialistëve, në shumë çerdhe, kopshte dhe shkolla është vënë re një rritje e numrit të fëmijëve që nuk paraqiten, si pasojë e prekjes nga virusi stinor dhe gripi i derrave.
Këshilla e mjekëve në këto raste, është që brenda këtyre institucioneve të ruhet një higjienë maksimale, ndërsa fëmijët të konsumojnë sa më shumë fruta dhe perime. Megjithatë, nuk është e gjitha kjo tabloja pandemike e gripit të derrave, pasi mjekët infeksionistë paralajmërojnë një shpërthim akoma më të madh të këtij virusi gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit 2010.