E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit mund të jetë fatal edhe për personat e shëndetshëm

 
Specialistët sqarojnë se nuk ka vend për panik, por duhet treguar vigjilencë ndaj virusit dhe korrektësi ndaj trajtimit
 
 
Marsel LELA
TIRANë – Pas rastit të fundit të vdekjes nga gripi i derrit i pacientes 18-vjeçare shtatzënë, specialistët këshillojnë që të tregohet më shumë vigjilencë gjatë gjithë kohës së shfaqjes së këtij gripi.
Deri tani në vendin tonë janë shënuar pesë viktima nga virusi A/H1N1, ku shumica prej tyre vuanin edhe nga komplikacione të tjera shëndetësore. Sipas shefit të Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Dhimitër Kraja, Shqipëria bën pjesë te vendet me vdekshmëri të ulët si pasojë e këtij virusi, krahasuar me vendet e tjera, madje edhe me ato fqinjë.
“Pavarësisht nga rastet fatale, Shqipëria po e kalon gripin A/H1N1 mjaft mirë, pa raste shumë të rënda dhe me vdekshmëri të ulët”, theksoi Kraja. Aktualisht në QSUT ndodhen rreth 12 raste të shtruara me sëmundjen e gripit të derrit, pjesa më e madhe e të cilëve kanë shfaqur forma të mesme dhe të lehta të gripit.
Sipas shefit të Shërbimit Infektiv, Dhimitër Kraja, dy prej këtyre rasteve, të cilët kanë qenë rëndë, po trajtohen në reanimacion në gjendje të përmirësuar. Ndërkohë, sipas specialistëve, pritet që rastet e prekura nga virusi A/H1N1 të jenë më të rralla dhe rastet fatale më të pakta.
“Ky është piku, maksimumi i rasteve që ka agresivitet. Nuk ka vend për panik, por për të qenë vigjilentë, për të kërkuar ndihmë mjekësore dhe për të qenë korrektë me trajtimin”, - theksoi Kraja. Ky i fundit shtoi se situata paraqitet me një ulje të rasteve me grip, ndërsa në spital paraqiten një e katërta e atyre që ishin më parë.
Megjithatë, rastet e rënda mund të paraqiten edhe kur është piku, por edhe kur prekshmëria është ulur. Në lidhje me rastin e fundit të vdekjes si pasojë e gripit të derrit, Kraja shpjegoi se vajza 18-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, i është nënshtruar protokollit të mjekimit që lëvizi në dinamikë.
Më parë ajo ishte trajtuar në spitalin e Beratit, ndërsa ka mbërritur në Shërbimin Infektiv të QSUT-së rreth shtatë ditë më parë. Sipas shefit të Shërbimit Infektiv, 18-vjeçarja pati një përmirësim ditën e parë në masën rreth 25 për qind, por më pas filluan të prekeshin organe të tjera.
“Ky rast tregon që ky virus mund të prekë edhe persona të shëndetshëm”, theksoi Kraja. Deri tani, të vdekurit si pasojë e gripit të derrit regjistrohen pesë raste. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A/H1N1 deri në datën 16 dhjetor 2009 është 334.
Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 23 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë, bëhet e ditur nga buletini i Institutit të Shëndetit Publik. Ndërsa shenjat klinike të tyre gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare.
 
 
Rreziku 
 
A/H1N1, vatra e virusit pandemik po zgjerohet çdo ditë, bashkë me të edhe rastet fatale
 
TIRANë - Epidemia e gripit të derrit po zgjerohet çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Pas viktimës së parë nga gripi i derrit në Shqipëri, vendi ynë është përfshirë në listën pozitive të vendeve me vdekje nga ky virus. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, infeksioni nga virusi pandemik ka kaluar tashmë në një fazë më të lartë rrezikshmërie. Rrezikshmëria nga ky virus e përfshin të gjithë popullatën, por veçanërisht ata persona që janë të prekur edhe nga ndonjë sëmundje, kryesisht kronike. Sipas specialistëve, rrezikshmëria nga A/H1N1 është veçanërisht e lartë te pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore. Duke sjellë në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1 është veçanërisht e lartë te këta pacientë, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist, në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë. Ministria këshillon gjithashtu evitimin në maksimum të mjediseve të mbifrekuentuara. Statistikat nga Ministria e Shëndetësisë flasin për mbi 300 të infektuar nga virusi i gripit të derrit. Bëhet e ditur se shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në kryeqytet. Përhapja me shpejtësi e gripit të derrave në Shqipëri ka vënë në alarm autoritetet shëndetësore të vendit. Një tjetër shqetësim përbëjnë edhe institucionet arsimore dhe çerdhet, ku gripi ka filluar të sulmojë ndjeshëm. Sipas specialistëve, në shumë çerdhe, kopshte dhe shkolla është vënë re një rritje e numrit të fëmijëve që nuk paraqiten, si pasojë e prekjes nga virusi stinor dhe gripi i derrave. Këshilla e mjekëve në këto raste, është që brenda këtyre institucioneve të ruhet një higjienë maksimale, ndërsa fëmijët të konsumojnë sa më shumë fruta dhe perime. Megjithatë, nuk është e gjitha kjo tabloja pandemike e gripit të derrave, pasi mjekët infeksionistë paralajmërojnë një shpërthim akoma më të madh të këtij virusi gjatë muajve në vazhdim.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›