E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meteorologët: Reshje shiu gjatë gjithë javës

 
Gjatë ditëve në vazhdim, moti do të shoqërohet me vranësira dhe reshje shiu në të gjithë territorin e vendit
 
Marsel LELA
TIRANë - Moti i keq dhe reshjet e shumta të shiut dhe dëborës që kanë pushtuar gjithë vendin do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe gjatë ditëve në vazhdim. Deri tani, reshjet e dendura të shiut kanë sjellë me vete përmbytje të mëdha në disa zona të vendit, kryesisht në Shkodër, Lezhë dhe Librazhd.
Reshjet e shiut kanë ndikuar në krijimin e baticave të detit, si pasojë e të cilave janë përmbytur me qindra shtëpi në qytetin bregdetar të Lezhës. Gjithashtu, nga shirat e shumtë që kanë rënë këto ditë janë përmbytur rreth 750 shtëpi në Qarkun e Shkodrës.
Sipas burimeve nga Instituti Meteorologjik, reshjet e shiut do të vazhdojnë përgjatë ditëve të kësaj jave. Kjo situatë pritet të krijojë një gjendje akoma më alarmante, sidomos për banorët e zonave malore.
Përveç shtëpive dhe banesave të personave që banojnë në këto zona, reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur edhe qindra hektarë tokë bujqësore. Sipas meteorologëve, java me shi që lamë pas do të përsëritet edhe gjatë kësaj jave, ku përveç reshjeve të shiut, do të jenë edhe ato të dëborës që kanë bllokuar deri tani disa zona në veri dhe jug të vendit.
Përkatësisht, reshjet e dëborës kanë krijuar probleme jo të vogla në zonat verilindore, ku shumë komuna janë bllokuar. Trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 centimetra në zonat e Kukësit, Bulqizës, Peshkopisë, Burrelit dhe Pukës.
Ndërsa në zonat e thella malore, sipas meteorologëve, trashësia e dëborës ka shkuar deri në gjysmë metri. Reshjet kanë vazhduar të bien të dendura gjatë gjithë ditës së djeshme në këto zona, duke izoluar komuna të tëra dhe një situatë e tillë parashikohet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Zonat e bllokuara që në orët e para të ditës së djeshme kanë qenë zonat e Lurës në Dibër, Kalasë së Dodës, Klenjës, Selishtës dhe Sllovës. Në këto zona trashësia e dëborës ka arritur në rreth gjysmë metri.
 
 
Vranësira dhe shi gjatë ditëve në vazhdim
Meteorologët parashikojnë që reshjet e shiut do të vazhdojnë përgjatë gjithë javës, ku situata do të paraqitet më kritike në zonat veriore të vendit. Sipas tyre, gjatë ditëve të kësaj jave do të ketë sërish reshje shiu, ndërkohë që situata paraqitet shumë e rëndë në disa zona të vendit, si pasojë e reshjeve të tepërta.
Sipas meteorologëve, java do të shoqërohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në pjesën më të madhe të territorit. Sa u përket vranësirave të mëdha, ato do të jenë të përhapura kryesisht në zonat malore të vendit. Meteorologët theksojnë se gjatë ditëve në vazhdim, moti do të shoqërohet me vranësira në të gjithë territorin, kryesisht gjatë pasditeve. Kjo situatë do të bëjë që gjatë mbrëmjeve dhe netëve të ketë shira në të gjithë territorin shqiptar, ndërsa moti në zonat malore do të shoqërohet me reshje dëbore. Ndërsa sa u përket temperaturave, ato do të pësojnë një rënie deri në katër gradë në të gjithë territorin e vendit gjatë mëngjesit, ndërsa gjatë pasditeve priten të ruhen vlera konstante.
Gjithashtu, meteorologët theksuan se era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi 45 kilometra në orë në drejtimin juglindor, ndërsa deti pritet të ketë një dallgëzim deri dy ballë.
 
 
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›