E Shtunë, 31 Tetor 2026

AI kërkon drejtësi për vrasjet e vitit 2007 në Prishtinë

PRISHTINE - Organizata ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut Amnesty International i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë që të jepet drejtësi për familjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të vrarë në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007 në Prishtinë.

Të dy këta persona humbën jetën gjatë ndërhyrjes së policisë së Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë protestat e lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila kundërshtonte negociatat për statusin politik të Kosovës.

Hetimet, të cilat u drejtuan nga prokurori amerikan Robert Dean, vërtetuan se ata u qëlluan më plumba gome nga pjesëtarët rumunë të policisë së UNMIK-ut. Por policët u kthyen në Rumani para përfundimit të hetimeve.

Amnesty International nënvizon se nuk janë hapur hetime të pavarura lidhur me vrasjet dhe plagosjet e asaj dite, ndërsa hetimet e një prokurori ushtarak rumun janë mbyllur pa identifikimin e autorëve.

Organizata thekson se për pesë vjet me radhë familjet e të vrarëve kërkojnë drejtësi dhe i bënë thirrje EULEX-it që fillojë një hetim të paanshëm dhe të pavarur.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›