AI: Është rritur numri i dënimeve me vdekje

Në një raport vjetor, grupi deklaroi se Iraku, Irani dhe Arabia Saudite, janë vendet përgjegjëse kryesore për rritjen e ekzekutimeve.
Por organizata vë në dukje se është edhe Kina, që ka ekzekutuar më shumë persona se gjithë pjesa tjetër e botës së bashku.
Gjithsesi, në raport theksohet se janë të pakta vendet që ushtrojnë dënimin kapital, me numrin e rasteve që ka rënë për një të tretën krahasuar me një dekadë më parë.
“Vetëm 20 vende dihet që kanë kryer ekzekutime, që do të thotë se 178 të tjera nuk po praktikojnë dënimin me vdekje”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i AI, Salil Shetty për BBC.
Sipas raportit të publikuar, të paktën 676 persona janë ekzekutuar në 20 vende të botës gjatë vitit 2011, krahasuar me 527 në 23 vende që ishin në vitin 2010.
Amnesty nuk publikon më shifrat për Kinën, ku të dhënat mbi dënimet me vdekje mbahen të fshehta. Grupi i të drejtave të njeriut beson se janë me mijëra.