AIDS:Një krijim kolonial

Porosia e librit të Timberg, “Tinderbox: How the West Sparked AIDS Epidemic and How the World Can Finally Overcome It”, që u botua javën e kaluar, është se kolonializmi, të cilin fuqitë evropiane ia imponuan Afrikës, është përgjegjës për përhapjen e infeksionit me HIV/AIDS qysh para 100 viteve.
Ndryshe, ky libër provokativ është vepër e përbashkët e epidemiologut Daniel Halperin, që është ekspert për AIDS në Universitetin North Carolina, dhe i gazetarit Timberg, ish-korrespodent i gazetës ‘The Washington Post’ nga Afrika e Jugut, njërit prej shteteve me më së shumti të prekur nga HIV/AIDS. Autori i librit ditë më parë shpalosi disa detaje të tij edhe për gazetën kroate ‘Jutarnji List’.
Fillimi i Epidemisë
Meqenëse mes viteve 2004 dhe 2008 ishte udhëheqës i zyrës korrespondente të ‘The Washington Post’ në Johanesburg, Timberg sigurisht që përcolli me vëmendje ngjarjet që lidheshin me të në Afrikën e Jugut dhe në shtetet e tjera afrikane. Fillimisht Timberg u pyet se a e dimë ne sot se si ka filluar epidemia e HIV/AIDS.
“Sipas të gjitha gjasave kurrë nuk do t’i kuptojmë të gjitha detajet për atë se si filloi epidemia e AIDS. Por, sot e dimë se burim i sëmundjes ishte jugu i Kamerunit, ku shkencëtarët gjetën disa shimpanze që bartin një virus që praktikisht është i njëjtë me atë të HIV’it”, u përgjigj Timberg, duke nënvizuar këtu një studim të botuar në vitin 2006, në revistën ‘Science’.
Këtij studimi i prinë Beatrice Hahn, nga Universiteti në Alabama, dhe Paul Sharp, nga Universiteti në Edinburgh. Ata mblodhën me kujdes jashtëqitjet e shimpanzeve nëpër xhunglat e jugut të Kamerunit. Dhe, analizat e këtyre jashtëqitjeve treguan se HIV është një pasardhës i drejtpërdrejtë i virusit SIV, i cili me shekuj të tërë jetonte në organizmat e shimpanzeve kamerunase. Në ndërkohë, virusi kaloi nga shimpanzetë tek njeriu dhe filloi marshimin e tij vdekjeprurës.
“Është pothuajse e sigurt se rasti i parë i infektuar me virusin HIV ishte njeriu që po gjuante një shimpanze për ta ngrënë. Ai pastaj e preu shimpanzenë, dhe virusi SIV, me gjasë, hyri në organizmin e njeriut nëpërmjet ndonjë plage - mbase në duar. Siç e dimë, gjatë prerjes së kafshëve ka shumë gjak, e shpesh edhe plagë. Pasi që hyri në organizmin e njeriut, virusi pastaj pësoi mutacione dhe u shndërrua në HIV”, sqaroi Timberg për gazetën.
Ai konsideron se kalimi i virusit nga shimpanzeja te njeriu ndodhi disa herë gjatë shekujve të kaluar, por asokohe rajoni i jugut të Kamerunit ishte plotësisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Ose të paktën deri në fund të shekullit të 19’të, kur fuqitë evropiane u nisën drejt kolonizimit brutal të Afrikës.
“Inxhinierët e gjenetikës mendojnë se shndërrimi i SIV në HIV ndodhi diku mes viteve 1884 dhe 1924 - sipas të gjitha gjasave në vitin 1908. Sepse, atëherë ndodhi kulminacioni i okupimeve koloniale në ato zona, dhe ngase kjo ishte periudha kur anijet me avull, rrugët dhe hekurudhat rezultuan me një lëvizje të re të madhe nëpër vendet që deri atëherë ishin krejtësisht të izoluara nga pjesët tjera të botës.
Është mundësi e madhe që në mesin e të infektuarve të parë me virusin HIV të kenë qenë vetë punëtorët që nëpër xhungël transportonin fildish, gomë dhe gjësende të tjera të ngjashme. Për kryerjen e kësaj pune ata detyroheshin nga pjesëtarët e armatosur rëndë të ushtrive koloniale”, theksoi Timberg, derisa sqaronte porosinë e librit të tij që nxiti shumë debate në botën anglosaksone.
Virusin HIV, me të cilin punëtorët u infektuan në xhunglat e Kamerunit, dhe që pastaj ua transmetuan partnereve të tyre, me anijet që udhëtonin nëpër lumenjtë Sangha dhe Kongo e sollën edhe nëpër qytete të mëdha, si Kinshasa (asokohe quhej Leopoldville). Kinshasa ishte një “pikënisje” e epidemisë HIV/AIDS, pohon autori i librit “Tinderbox”.
“Ishte ky qyteti i parë i madh në rrjedhën e lumit Kongo, ndërtimin e të cilit në vitin 1881 e urdhëroi mbreti belg Leopold II, sipas të cilit edhe e mori emrin. HIV udhëtoi nga Kameruni jugor deri në Leopoldville në fil,im të shekullit të 20’të.
Kështu, kombinimi i popullatës së dendur, komunikacionit modern dhe prostitucionit, e ndihmoi me të madhe përhapjen e sëmundjeve të transmetueshme seksualisht. Për shembull, përgjatë rrugëve kryesore tregtare të Kongos koloniale asokohe mbretëronin epidemitë e gonoresë dhe sifilizit. Atëherë askush nuk e dinte, por edhe HIV përhapej njësoj si ato”, përfundon Timberg.