E Shtunë, 31 Tetor 2026

AIG,Obama bllokon bonuset,shpërdoroi ndihmat qeveritare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka dënuar me zemërim kompaninë AIG, duke iu bashkuar një kor zërash. AIG njoftoi humbje të mëdha, miliarda dollarëshe, dhe përfitoi ndihma qeveritare, duke iu paguar kështu ekzekutivëve të saj shpërblime që kapin shumën e 165 milionë dollarëve. Presidenti Obama deklaroi se kompania e sigurimeve, "American International Group" ose AIG, po përjeton probleme për shkak të pakujdesisë dhe pangopësisë. Ai u shpreh se është vështirë të justifikohet sjellja e kësaj kompanie tek taksapaguesit, të cilët po e mbajnë gjallë atë, madje, Obama u zotua se do të përdorë çdo formë ligjore për të bllokuar pagimin e shpërblimeve. Presidenti amerikan i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë, ku vuri në dukje ndihmat e reja të qeverisë për bizneset e vogla amerikane. Ai tha se këto biznese janë motori i krijimit të vendeve të reja të punës. Administrata Obama do të parashtrojë një plan për ta bërë më të lehtë për këto biznese që të marrin huatë, që ato kanë nevojë për të zgjeruar veprimtaritë e tyre dhe për të krijuar vende pune. Programi do të përdorë gjithashtu fonde nga paketa e stimulimit ekonomik në mënyra për të nxitur bankat t'u japin hua bizneseve të vogla. Ndërkohë, raporte të reja qeveritare tregojnë se prodhimi në industrinë amerikane ra për të katërtin muaj me radhë gjatë shkurtit. Të dhënat tregojnë se kapaciteti i përdorur fabrikave amerikane arriti në nivelin më të ulët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›