AI:Iraku t'i japë fund dënimit me vdekje

"Amnesty International" ka bërë të ditur se Iraku duhet t'u japë fund dënimeve me vdekje, në një kohë që rreth 130 të burgosur mund të ekzekutohen së shpejti. Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me qendër në Londër i ka kërkuar me anë të një komunikatë Ministrisë së Drejtësisë të ndërhyjë, duke u shprehur se ekzekutimet e ardhshme mund të kryhen javën në vazhdim. Sipas saj, presidenti dhe dy zëvendësit e tij kanë miratuar 128 dënime me vdekje. "Autoritetet mendohet t'i kryejnë ekzekutimet në grupe me nga 20 në javë", shkruhet në komunikatë. Ajo shkruan se rivendosja e dënimit me vdekje në vitin 2004, pas një pezullimi për një vit, nuk ka arritur të pengojë aktet e përgjakshme të dhunës. "Realiteti tregoi se dhuna vazhdoi në nivele shumë më të mëdha dhe se dënimi me vdekje rezultoi të mos ketë efekt", bëri të ditur drejtori i departamentit për Lindjen e Mesme, Malkolm Smart. Smart tha se emrat e të dënuarve nuk janë publikuar dhe se procesi mund të mos jetë i drejtë. "Shumica duket të jenë dënuar me vdekje nga Gjykata qendrore kriminale e Irakut, procedurat e të cilës nuk përputhen me standardet ndërkombëtare", deklaroi ai, duke shprehur se tortura vazhdon. Smart i bën thirrje qeverisë të urdhërojë ndalimin e menjëhershëm të këtyre ekzekutimeve dhe të vendosë një moratorium për të gjitha ekzekutimet e tjera.