E Shtunë, 31 Tetor 2026

AIPS: Zhoze Murinjo është trajneri më i mirë në botë

Lionel Mesi përzgjidhet si sulmuesi më i mirë që mund të shkëlqejë në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010 Gazetarët sportivë ndërkombëtarë ngjisin në pod Fergusonin dhe Hidink

Sipas një sondazhi të realizuar gjatë 73-vjetorit të Kongresit të AIPS-së, Shoqatës Ndërkombëtare të Shtypit Sportiv, të zhvilluar në mëngjesin e djeshëm në qytetin Antalia të Turqisë, Zhoze Murinjo është trajneri aktual më i mirë dhe më i vlerësuar në botë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur një komunikatë për shtyp e botuar edhe në faqen zyrtare të Interit në internet. Dyqind gazetarëve pjesëmarrës nga 96 vende të ndryshme u është kërkuar të votojnë se kush është trajneri më i mirë i botës? Dhe rezultati i votimit ka qenë si më poshtë: 36% e pjesëmarrësve kanë zgjedhur trajnerin e zikaltërve, 20% kanë votuar Aleks Ferguson (Mançester Junajtid), 13.3% për Gus Hidink (ish-trajnerin e Kombëtares ruse), 9.3% për Fabio Kapelo (trajnerin aktual të Kombëtares angleze), 8% për Marçelo Lipi (trajneri i Kombëtares italiane), 6.7% për Karlos Dunga (trajneri i Kombëtares braziliane), 4% për Marselo Bielsa (trajnerin e Kombëtares së Kilit) dhe 2.7% Luis Van Gal (trajnerin e Bajernit të Mynihut). Në komunikatën e AIPS nënvizohet aftësia e Murinjos në fushën e komunikimit: “Trajneri zikaltër, është shprehur presidenti Xhani Merlo, është një teknik me aftësi të jashtëzakonshme komunikuese, di se si të tërheqë interesin e të gjithëve mbi veten dhe reagimet e tij të ashpra apo heshtjet e tij përbëjnë lajm për shtypin e shkruar dhe televiziv. Murinjo është gjithnjë nën reflektorët e mediave. është shumë i kujdesshëm për mënyrën e tij të të veshurit dhe di se si të veprojë në çdo situatë. U vjedh skenën të gjithëve, për faktin se pëlqehet apo urrehet shumë. Shkruaj shumë rrallë për futbollin, argëtohem duke diskutuar me Lipin dhe Kapelon, sepse ka gjithmonë diçka për të mësuar dhe e pranoj, do të më pëlqente shumë të kem mundësinë të flas për sportin me Zhoze Murinjon, sepse ai ka vërtet një mendje plot jetë. Nuk është rastësi, që është përzgjedhur nga shumë gazetarë si numri 1 i botës”. Gjatë kongresit në Antalia, gazetarëve u është bërë edhe një pyetje në lidhje me përcaktimin e sulmuesit që do të shkëlqejë gjatë botërorit të programuar për në Afrikën e Jugut dhe, me një lehtësi të jashtëzakonshme, Lionel Mesi është përzgjedhur nga 43% e pjesëmarrësve në sondazh. Pas sulmuesit argjentinas, me 14.9% vjen Runi, me 9.2% është Kaka, 8.1% për Luis Fabiano, 6.9% për Torres, 5.8% për Ronaldo dhe Vila, 4.6% për Drogba dhe 1.2% për Klose. Po në të njëjtën situatë, Kombëtarja braziliane është përzgjedhur si favoritja kryesore për të fituar botërorin me një diferencë prej 4.4% ndaj Argjentinës (28.3% kundrejt 23.9%, ndjek Spanja me 19.6%, Anglia me 10.9%, Italia, Gjermania me 6.5% dhe Holanda me 4.4%).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›