Banda e parave false, si mashtronte pacientët e sëmurë në spitale
Tiranë- Dy skema mashtrimi, në një goditje të vetme. Kështu funksiononte rrjeti i “kambistëve” të parave false, të cilët stacionoheshin pranë spitaleve, në kërkim të pacientëve që thyenin kartëmonedhat. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtorë 12 personat, të cilët hodhën në treg një sasi të madhe parash të falsifikuara, duke mashtruar më së shumti pacientët apo të afërmit e tyre, që thyenin lekët për t’ua dhënë më pas ryshfet mjekëve dhe infermierëve. Në bazë të hetimeve të kryera, ky grup vepronte pranë spitaleve, ndërsa kartëmonedhat false ishin më së shumti të prerjes 2000-lekëshe. Nga muaji gusht deri në dhjetor të vitit 2009, në qytetin e Tiranës si dhe në disa rrethe të tjera të vendit, në mënyrë të vazhdueshme janë hedhur në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara 2000-lekëshe, fakt i cili është reflektuar me kallëzimet e shumta të qytetarëve të dëmtuar. Asokohe, persona nga Tirana, Shkodra apo Fieri i janë drejtuar policisë, duke pohuar se i kishin mashtruar, duke u dhënë kartëmonedha 2 mijë lekëshe, e me raste edhe 5-mijëshe në dyert e spitaleve. Mes denoncuesve ishin një burrë që kishte shtruar nënën në qendrën spitalore “Nënë Tereza” dhe një grua që kishte të shtruar në spital djalin e saj me leucemi. “Po kërkoja të thyeja para për t’ua dhënë doktorëve, kur m’u afrua për të më ndihmuar një djalë që nuk e njihja. Të gjitha paratë ishin false”, - do të denonconte në polici kjo grua fatkeqe. Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë, i pandehuri Altin Murrani, në deklarimet e dhëna gjatë hetimeve paraprake, ka parashtruar se ka falsifikuar kartëmonedha 2000-lekëshe, duke realizuar prodhimin e tyre me anë të fotokopjimit me ngjyra, kompjuterit dhe printerit. Pas printimit të tyre në fletë formati të bardhë, ky i pandehur ka deklaruar se i priste ato me anë të një prese në formatin e kartëmonedhës 2000-lekëshe. “Kartëmonedhat e falsifikuara ua kam dhënë të pandehurve Xhevahir Koldashi dhe Alfred Bushgjokaj, të cilët m’i kishin kërkuar. Këta të fundit, më pas i kanë këmbyer vetë ose ua kanë dhënë shtetasve të tjerë për t’i shpërndarë”-ka thënë Murrani. Ky i fundit ka deklaruar se pajisjet që ai dispononte, më 15 dhjetor 2009, ia ka dhënë bashkëpunëtorit tjetër Artur Pashkaj. Ndërsa Pashkaj, gjatë deklarimeve të tij ka pranuar faktin e prodhimit të kartëmonedhave të falsifikuara 2000-lekëshe, të cilat sipas tij më parë i ka marrë nga Altin Murrani. 12 të pandehurit e kësaj dosjeje kërkuan nga ana e Gjykatës pranimin e gjykimit të shkurtuar, kërkesë kjo që u pranua nga ana e Gjykatës së Tiranës. Pas shqyrtimit të të gjitha provave të paraqitura nga ana e organit të akuzës dhe pretendimet e dhëna nga të pandehurit, Gjykata e Tiranës vendosi deklarimin fajtor të tyre për veprën penale të falsifikimit të monedhave.