E Diel, 1 Nëntor 2026

AK, Spahiu: Kufizim mandateve, të eliminojmë përjetësinë politike

TIRANE -  Aleanca Kuq e Zi nisi aksionin e saj të ri politik, i cili ka në thelb kërkesat për ndryshime ligjore dhe kushtetuese. Në konferencën me temë: "Rinovimi i klasës politike shqiptare në Tiranë-Prishtinë-Shkup, domosdoshmëri për çlirimin e demokracisë", të zhvilluar në “Hotel Tirana International”, përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi konsideruan të nevojshëm kufizimin e mandateve të liderëve politikë, për të mos e lënë vendin në një diktaturë moderne.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryetari i Aleancës, Kreshnik Spahiu nënvizoi nevojën e ndryshimeve ligjore, me qëllim që asnjë lider të mos jetë i përjetshëm në politike.

“Ky nuk është sistemi demokratik që ëndërrojnë shqiptarët, por thjesht një diktaturë moderne. Fundi i mandatit lidhet me dështimin, me humbjen me standardet dhe rregullat mbi te cilat ndërtohet sistemi demokratik. Të eliminojmë përjetësinë e tyre në politikë, nuk mund të lidhet vdekja fizike me vdekjen politike.”- deklaroi Spahiu.

Ndërkohë kryetari i aleancës theksoi se ndryshimet duhet të ndodhin duke ruajtur figurat, pasi shqiptarët duhet t’i japin fund kohës së denigrimit dhe hedhjes baltë ndaj njëri-tjetrit.

Duke komentuar akuzat ndaj aleancës, Spahiu theksoi se Kuq e Zi nuk është në koalicion me askënd dhe nuk i shërben asnjë kauze tjetër përveç bashkimit të shqiptarëve.

“Aleanca Kuq e Zi është një front për bashkimin shqiptarëve, që tashmë është i pashmangshëm. Kuqezinjtë kanë një ideal, ngritjen dhe mbrojtjen e vlerave kombëtare. Koalicioni i kuqezinjve është vetëm Bashkimi Europian dhe bashkimi i shqiptarëve.”- theksoi Spahiu, i cili e mbylli fjalimin e tij me vargje të himnit kombëtar.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: AK, Spahiu: Kufizim mandateve, të eliminojmë përjetësinë politike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›