AK: Stavro Dimas cënoi drejtësinë shqiptare, MPJ të reagojë

Stavros Dimas
Aleanca Kuqezi e ka cilësuar fyerje për drejtësinë shqiptare interferimin e Ministrit të Jashtëm të Greqisë në dënimin e kreut të Omonias të qarkut Korçë, Naum Disho.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavro Dimas duke iu përgjigjur deputetëve të LAOS në parlamentin grek, tha se dënimi me një vit burg për Dishon është një zhvillim i turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit etnik grek në Shqipërisë.
“Dënimi me një vit burg dhe mos pezullimi i dënimit për Naum Dishon është një zhvillim i turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit etnik grek në Shqipëri duke prekur pa dyshim dhe marrëdhëniet e dy vendeve, ishte shprehur Dimas.
Aleanca Kuqezi ka kërkuar që Greqia të distancohet nga dhunuesit e varreve dhe të dorëzojë Dishon, për të vuajtur në Shqipëri dënimin e dhënë më parë nga Gjykata e Korçës.
AK duke dënuar ndërhyrjen e ministrit grek Stavro Dimas në sovranitetin e Shqipërisë ka kritikuar edhe mosreagimin e palës shqiptare. Turp heshtja e diplomacisë shqiptare, thuhet në reagimin e AK-së.
Kreu i Omonias për qarkun e Korçës u dënua me një vit burg për dhunimin e varrezave të Boboshticës, gjatë punime për ngritjen e një kryqi për dy ushtarë grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Disho është në kërkim pasi i është arratisur policisë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për mos ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. /F.Stafa/