Gjirokastër, sekuestrohen 140 kg marijuanë, trafikantët shkëmbejnë 20 minuta zjarr me policinë, dy të arrestuar

Marijuana e sekuestruar
Gjashtë persona janë përpjekur të nxjerrin nga Lazarati 140 kilogramë marijuanë por policia u ka bërë pritë. Policia informon se rreth orës 5 të ditës së sotme, tre persona po transportonin me mushka lëndën narkotike në drejtim të antenave të malit Sopot.
Forca të policisë së Qarkut Gjirokastër si dhe një grup i Focave Delta kanë u kishin ngritur dy pika grackë trafikantëve. Plani i trafikantëve ishte që droga të transportohej deri në rrugën automobilistike me tre mushka dhe më pas të ngarkohej në një automjet.

Mushkat me të cila po kryhej transporti
Tre persona të armatosur po kujdeseshin për transportimin e lëndës me mushka ndërsa tre të tjerë po afroheshin me një automjet tip Isuzu, pa targa për të marrë atë.

Automjeti Isuzu
Policia ka ndërhyrë në momentin që dy grupet po ngarkonin drogën në automjet. Forcat e policisë kanë ndërhyrë por ndaj tyre është hapur zjarr me armë kallashnikov dhe pistoletë. Shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar për 20 minuta.
Policia ka mundur të vërë në pranga vetëm dy nga gjashtë trafikantët. Të arrestuarit janë Arben Ahmeti , 47 vjeç, nga Delvina, i cili ishte armatosur me armë zjarri pistoletë. Ahmeti është i dënuar më parë me 9 vite burg në Greqi për trafik të lëndëve narkotike. Ai ishte pjesë e grupit që po priste lëndë narkotike me automjetin Isuzu.
I arrestuari tjetër është Dhimitraq Rrapushi, 37 vjeç, po nga Delvina, i armatosur me armë zjarri kallashnikov, pjesëtar i grupit që transportonte lëndën narkotike me kafshë dore.

Armët e sekuestruara
Kurse në kërkim janë shpallur: SH.H , 25 vjeç, S.M, 22 vjeç, K.L, 23 vjeç dhe A.P, 26 vjeç që të katërt nga Delvina. Këta të katërt duke përfituar nga terreni dhe nga sulmi me armë zjarri janë larguar duke i shpëtuar ndjekjes së policisë.
Në vendngjarje u sekuestruan edhe dy armë të tjera zjarri, një pistoletë TT dhe një kallashnikov. Po ashtu u sekuestruan edhe katër çanta ku gjendeshin 140 kg marijuanë. Synimi ishte që droga të dërgohej në Delvinë dhe më pas të trafikohej për në Greqi. /F.S/