AK: “Sulltanëve” politikë u ka ardhur fundi
Aleanca Kuq e Zi ka nisur sot aksionin e saj politik. Në një konferencë për shtyp nga përfaqësues të kësaj aleance dhe në kuadër të nismës që ata kanë ndërmarrë, vetë lideri i AK ka kërkuar kufizim të mandateve të kryetarëve të bashkive dhe kufizim të mandateve të kryetarëve të partive. Deklarata e tij ka shigjetuar vetë Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike që nga krijimi i saj. Apeli është zgjeruar dhe më tej duke duke përfshirë boshtin e lidërve Tiranë-Shkup-Prishtinë, duke theksuar se është krijuar një klan sulltanësh politikë, një oligarki politike që kërkon ndryshim të menjëhershëm.
“Ne u bëjmë apel lidërve në Tiranë, Shkup, Prishtinë. Duhet të kemi ndryshime ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të kemi mandate të përjetshme andaj kërkojmë kufizim të mandateve të kryetarëve të partive, kufizim të mandateve të kryeministrave, kufizim të kryebashkiakëve dhe kryekomunarëve.Kufizimi i mandateve është parim kushtetues, krerët e institucioneve duhet të kenë mandate të kufizuar. Janë këta krerë politikë që na drejtojnë prej dy dekadash. Ka ardhur koha për një rinovim të politikës, pasi mandatet e përhershme nuk janë asgjë më shumë veçse një diktaturë moderne. Në të gjithë trevat shqiptare kemi oligarki politike, ku këto mandate të përjetshme na kanë krijuar “sulltanët” e politikës, që nuk lëshojnë dretimin e partive të tyre që në gjenezën e formimit. AK është frymë e shqiptarëve, vetëm ata antishqiptarë dalin kundër kuqezinjve”-tha Spahiu.