E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët bashkohen me Vetëvendosjen. Masa të rrepta nga policia e Kosovës


 (I përditësuar)- Protesta e Vetëvendosje e parashikuar për tu mbajtur sot ka gjetur mbështetjen edhe të qindra shqiptarëve. Thirrjes së kreut të Vetëvendosjes për të mbështetur protestën i janë përgjigjur mbi 100 shqiptarë të cilët në dy autobusë janë nisur drejt Kosovës në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Policia e Kosovës është vënë në gatishmëri me qëllim shtimin ë masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje.

Sipas deklaratës së policisë së Kosovës sqaroi se do ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi  dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe mallrave përmes  vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në terë territorin e Republikës së Kosovës.

Në vijim bëhet e ditur se nga ana e forcave të rendit nuk do të lejohet asnjë bllokim i rrugëve si dhe asnjë afrim i protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimi i tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes.

*********

Pro dhe kundër protestës së Vetëvendosjes

Pavarësisht kritikave të ashpra sot “Vetvendosjado të organizojë një protestë në dy pikëkalime kufitare me Serbinë për të ndaluar futjen e mallrave nga Serbia në Kosovë. Në sfondin e thirrjes së partisë opozitare “Vetëvendosja” për të protestuar sot në Kosovë, presidentja Atifete Jahhaga ka bërë thirrje që të mos bllokohen kufijtë dhe që problemet të zgjidhjen përmes institucioneve. Edhe partitë e tjera kanë reaguar duke bërë thirrje, që qytetarët të mos i bashkangjiten një proteste të tillë, duke argumentuar se ajo nuk është rruga e zgjidhjes së problemeve.

Ndërkohë që kryetari  i Vetvendosjes Albin Kurti këmbëngul se organizimi i protestës nesër zhvillohet në kohën e duhur dhe në formën e duhur: “Protesta zhvillohet në momentin e duhur, pasi pritëm gati dy javë që qeveria e Kosovës të respektojë vendimin e marrë më 7 dhjetor të vitit të kaluar nga Parlamenti, që Kosova  të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Qeveria pati kohë deri më 1 janar që ta zbatojë këtë vendim, pra ta vendoste këtë reciproritet. Ne pritëm edhe dy javë të tjera dhe ky është momenti i fundit, që ta bëjmë këtë bllokim në zbatim të reciprocitetit. Mënyra gjithsesi është e përshtatshme për shkak se nuk ka më mjete të tjera institucionale, sepse Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë ligjvënës politik dhe përfaqësues në Kosovë.

Protesta jonë është edhe forma e duhur, pasi ajo është paqësore, plotësisht e ligjshme, e drejtë, universale dhe në kuadër të vlerave demokratike. Më parë përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith, pati reaguar duke e hedhur poshtë idenë e Vetvendosjes: “Kjo nuk është një sjellje e përgjegjshme nga ana e një organizate, e cila është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse veprimi i Vetvendosjes realizohet, ky do ta dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”, është shprehur ai.
Edhe përfaqësuesit diplomatikë të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së shprehën shqetësimin e tyre lidhur me protestën e Vetvendosjes.

Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë antiligjore, por ato mund të rrisnin tensionet politike në Kosovë dhe mund të ndikojnë negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit. Çdo bllokim i njëanshëm i tregtisë shkon gjithashtu kundër përkushtimeve të Kosovës në CEFTA, thuhet në një deklaratë, sipas së cilës Vetvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saj të planifikuara.

Zv.kryeministrja Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria nuk do të lejojë që të vijë puna deri tek bllokada e pikës së kalimit me Serbinë. Ajo thekson se një bllokadë e tillë nuk do të thotë vetëm bllokadë e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve me Serbinë, por edhe bllokadë e transportit me BE-në. “Kur kemi vendosur masat e reciprocitetit  në korrikun e vitit të kaluar njëra nga arsyet ka qenë që firmat kosovare nuk kanë pasur mundësi kalimi në tregun europian përmes Serbisë. Tranziti përmes Serbisë është për ne shumë i rëndësishëm, tranziti i mallrave dhe i njerëzve. Qeveria e Kosovës i ka bërë apel disa herë qytetarëve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e këtij bllokimi, sepse bllokimi nuk është rruga, për të cilën ka nevojë Kosova, por integrimi”, shpjegoi ministrja.

Albin Kuti: Pse duhet të protestojmë

Sipas Albin Kurtit organizimi i protestave pikërisht në pikat kufitare është i domosdoshëm thjesht për ta bllokuar Serbinë. Protesta jonë është  paqësore kundër shtetit të Serbisë dhe jo kundër qytetarëve serbë në Kosovë, që janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Kjo protestë nuk i bllokon qytetarët, nuk e pengon lirinë e lëvizjes së qytetarëve në qarkullimin e lirë, por pengon hyrjen e Serbisë në Kosovë. Edhe ne jemi për integrimin evropian, por duhet të kemi parasysh se marrëdhëniet midis shteteve sipas vlerave, kritereve, standarteve evropiane kanë të bëjë me njohjen reciproke midis shteteve. E në rastin tonë Serbia deklarohet se Kosovën nuk do ta njohë kurrë,- thotë Kurti

MPJ: Janë veprime ekstreme
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i dënoi thirrjet e “Vetvendosjes” edhe në Shqipëri për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë. Ky institucion shprehu besimin dhe porositë që energjitë të fokusohen në procesin e reformave për konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të integrimit të të gjitha komuniteteve. Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto, i cilësoi veprime ekstremiste, aksionin e fundit të Lëvizjes Vetvendosje për të bllokuar kufirin me Serbinë.

BE: Po pengoni integrimin
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Fernando Gentilini, paralajmëroi se bllokimi i lëvizjes së lirë me Serbinë, do të minojë procesin evropian të Kosovës. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i BE-së i bën thirrje organizatorëve dhe qytetarëve të ruajnë qetësinë. Ai nënvizon se Kosova ka bërë hapa të rëndësishme në përmbushjen e standardeve europiane, ndërkohë që vlerëson se veprimet e pamatura do të jenë kthim pas në axhendën europiane të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›