Serbia nuk kalon, policia blindon kufijtë

Pamje të kufirit. Foto: Express
MERDARE- Policia e Kosovës ka dërguar një numër të madh të pjesëtarëve të njësive elitë në dy pikat kufitare, Merdare dhe Dheu i Bardh, njofton reporteri i gazetës Express i vendosur tashmë në pikën e kalimit kufitarë të Merdarës.
Raportohet se rruga deri në kufij është pothuajse e zbrazët, ndërsa në pikën kufitare vërehen forca të mëdha policore. Sipas tij, njësitë elite janë të pajisura edhe me makineri të rëndë.
Aktualisht qytetarë dhe mallra po hyjnë dhe po dalin normalisht, sikurse në çdo ditë të zakonshme pune.
Vetëvendosja sot bllokon dy pikat kufitare
Lëvizja Vetëvendosje sot në ora 13:00, pritet të dalë në dy pikat kufitare, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, për ti bllokuar mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Kjo, sipas udhëheqësve të Vetëvendosjes, do të bëhet për ta zbatuar vendimin e Kuvendit të Kosovës të 7 dhjetorit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, të cilin, Qeveria e Kosovës nuk po e përfill.
Udhëheqësit e Vetëvendosjes kanë njoftuar se aksioni do të jetë paqësore dhe se do të ndalohen vetëm kamionët që vinë me mallra serbe.
Thirrja e Vetëvendosjes për të dale në dy pikat kufitare, është kundërshtuar nga presidentja Jahjaga, kryeparlamentari Krasniqi, kabineti qeveritar, partitë politike dhe vendet e Kuintit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për aksionin e paralajmëruar dhe ka hartuar urdhrin operativ të quajtur Lëvizja dhe qarkullimi i lirë.(kosovapress)