E Diel, 1 Nëntor 2026

AK, e vetme në zgjedhje, Spahiu: Jo aleancë me PS, ku është dhe partia e grekëve

TIRANE - Në prag të përfundimit të afatit zyrtar për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu bëri të ditur vendimin e kuqezinjve për të hyrë të vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një konferencë për shtyp, Spahiu shpjegoi arsyet që i shtynë kuqezinjtë të mos i bashkohen aleancës opozitare "Për Shqipërinë Europiane", duke theksuar si pengesë kryesore marrëveshjen e PS-së me PBDNJ-në e Vangjel Dules.

“Këto ditë nuk kemi reshtur nga negociatat për tu bërë pjesë e një fronti tërësisht opozitar, jo mbi doktrina politike. Personalisht larg çdo paragjykimi kam kontaktuar çdo lider politik të spektrit opozitar. Me bindje të plotë kemi punuar me qëllimin e vetëm për domosdoshmërinë e një rotacioni politik, ku të gjithë kundërshtarët e këtij regjimi të mblidheshin, të bashkoheshin në një kauzë, sjelljen e një filozofie të re që do ndryshonte Shqipërinë. Shqiptarët kërkojnë shpresë, jo ndryshim xhaketash në pushtet. Me këtë qellim propozuam dje disa kërkesa që lidhen me një ndryshim thelbësor të standardeve dhe të ardhmes së Shqipërisë. Në kauzën e AK-së është realizimi i aspiratës për bashkim kombëtar. Për hir të prezencës së një partie greke ne nuk mund të tradhtojmë kauzën e bashkimit kombëtar, se është një kauze e cila nuk mund të tradhtohet”- deklaroi Spahiu.

Sipas Spahiut, AK synon të maksimalizojë votat për rrëzimin e kryeministrit Berisha, por nuk mund të tradhtojë kauzën e saj për bashkimin kombëtar.

“Shqipëria ka sot vetëm një kundërshtar, ky është shtetasi Berisha. Ne duam të maksimalizojmë votat për rrëzimin e Berishës. Por nëse AK do të tradhtonte kauzën e vet, kjo nuk do të ishte e drejtë, pasi shqiptarët nuk do ta konsideronin më një aleancë kuq e zi, por një aleancë të kuqe, bardheblu. Për këto arsye kemi vendosur që aleanca kuq e zi të mos garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, por të ketë aleancë popullin shqiptar dhe gjithë kyqezinjtë”- vijoi Spahiu.

Më tej kryetari i AK-së nënvizoi se gjatë negociatave me PS-në nuk ishte arritur marrëveshja për disa nga pikat, me të cilat Aleanca Kuq e Zi kishte kushtëzuar përfshirjen e saj në koalicionet parazgjedhore.

“Kërkuam konsensus dhe koalicion për mbrojtjen e votës së lirë nga kasapi i votës së lirë, i cili ka masakruar çdo votë të shqiptarëve. Viktimë e kësaj vote të vjedhur ka qenë edhe zoti Rama, ja vodhën votat në sytë e ndërkombëtarëve se ishte fitues i kryeqytetit. Nuk mundet bardheblutë apo të kuqtë të numërojnë votat kuq e zi. Për këtë arsye ne nuk mundëm të gjejmë hapësira në ato tryeza ku numërohen votat.
Kërkuam me bindje se kishte ardhur koha të hiqen barrierat me Kosovën. Kërkuam të kemi një Shqipëri europiane, ashtu siç është emri dhe slogani i atij koalicioni, por dhe këtë nuk e gjetëm.”- u shpreh Spahiu.

Lideri i AK-së theksoi se pas 23 qershorit do të ketë bashkëpunim me partitë e frontit opozitar, "kur partia greke të mos jetë më në parlament me asnjë deputet".

“Ndoshta sot ka disa të zhgënjyer, që kanë pretenduar të ishim në një kamp apo në një kamp tjetër, kini besim se edhe bashkëpunimi do të vijë. Ne do pranojmë në çdo rast bashkëpunim me të gjitha partitë shqiptare, por do të vijë në datë 24, kur partia greke të mos jetë më në parlament me asnjë deputet. Kemi 100 herë më shumë mbështetës dhe vota se grekët e Dules dhe ne do të prodhojmë një numër të konsiderueshëm deputetësh, duke shkuar atje me një kauzë, me një verdikt, me një program, duke nxjerrë njëherë e përgjithmonë PD-në nga skena politike, e cila ka thyer rregullat e Kushtetutës dhe të politikës”- u shpreh Spahiu.

Një ditë më parë kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu deklaroi se kuqezinjtë do të bëjnë koalicion me çdo parti që pranon paketën prej 6 pikash ose në të kundërt do garojë e vetme.
1. Konfigurim të mekanizmit elektoral, në të gjithë komisionet zgjedhore, deri në KQZ.
2. Marrëveshje elektorale për hapjen e debatit për ndryshimin e sistemit elektoral në sistem kombëtar dhe të korrektuar.
3. Marrëveshje për heqjen e kufirit dhe doganave mes dy shteteve shqiptare Shqipëri dhe Kosovë.
4 Marrëveshje politike për të standardizuar demokracinë nëpërmjet kufizimit të mandateve politike.
5. Reformë Kushtetuese në sistemin e drejtësisë, duke hequr pengesat për kallëzimin e çdo zyrtari të lartë duke i dorëzuar së pari drejtësisë shtetasin Berisha.
6. Marrëveshje politike për ndarjen e 3 pushteteve.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera PS, Tahiri: Shqiponja Kuq e Zi doli një sorrë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›