E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Pranova ofertën, Rama më premtoi post ministror pas fitores

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Parkal Milo ka zbuluar disa detaje të marrëveshjes parazgjedhore me Partinë Socialiste të firmosur mbrëmë prej tij.

Në një bashkëbisedim me gazetaren Ola Bruko, në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, Milo pranon se Rama i ka ofruar atij post ministror, nëse Aleanca “Për Shqipërinë Europiane” do të fitojë zgjedhjet. 

“Kemi arritur edhe një marrëveshje tjetër për të qeverisur së bashku në nivele që do të varen nga rezultati në zgjedhje. Pra jemi të bindur që në qeverisje do mund të mbajmë poste ministrore”, tha Milo.

Milo deklaroi se PSD, i ka propozuar PS 3 kushte për koalicionin. Ai shtoi se nuk do të garojë në listat e PS, por se do të kryesojë listën e PDS në Qarkun e Tiranës. 

"Propozimet tona i kishim parashtruar që në muajin janar për marrëveshjen para dhe paszgjedhore. Kishim 3 propozime kryesore. E para që të gjendej një formulë bashkëpunimi jo e thënë drejtpërsëdrejti. E dyta, të kishte një bashkëpunim në çështjen e mbojtjes së votës. E treta të mos kishte frymë negativiste gjatë zhvillimit të fushatës. Pra të mos ketë një frymë të tillë që të luftojmë njëri-tjetrin, sic u bë në vitin 2009.

Milo sqaroi se nuk ka pranuar kushtin e pjesëmarrjes në lista, apo atë të shkrirjes së PDS me PS, gjë që sipas tij, coi në vonesën e firmosjes së marrëveshjes.

“Marrëveshjet padiskutim që kanë historinë e tyre dhe vlerat e tyre. Negociatat vazhdojnë edhe më gjatë kur ka qëndrime që nuk përputhen. Marrëveshja u nënshkrua pasi u arrit në disa konkluzione për bashkëpunimin në terma konkrete. Ka pasur një kusht nga PS për pjesëmarrjen tonë në listat zgjedhore të PS që pas 24 qershorit ne të deklaronim shkrirjen e partive tona politike. Sigurisht që ne nuk u krijuam për tu shkrirë në një ditë të bukur vere, jemi një parti e qendrës së majtë, me baza të qëndrueshme me elektorat stabël, nuk mundet që me një të rënë të lapsit të eliminohet një parti qoftë edhe për interesat personale të një kryetari. Një gjë të tillë nuk e pranova, prandaj u vonua kjo marrëveshje”, tha Milo.

Paskal Milo shtoi ndër të tjera se, edhe Skënder Gjinushi është pjesë e PS.

I pyetur se a mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme me kodin aktual zgjedhor dhe me situatën e fundit të krijuar në KQZ, Milo sqaroi se, “Është e vështirë të kemi zgjedhje të standardeve evropiane, që do të thotë zgjedhje të ndershme, sepse mund të jenë të lira dhe jo të ndershme. Po vazhdon i njëjti marifet për ta keqshfrytëzuar KQZ për qëllime politike e manipulative”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›