E Diel, 1 Nëntor 2026

AKA pa monitorues

Agjencia Kosovare e Akreditimit, e cila është themeluar në vitin 2008 nuk ka monitorues, të cilët do të monitoronin cilësinë përgjatë një viti në universitetet publike dhe kolegjet private. Vlerësimi i tyre bëhet vetëm atëherë kur duhet të akreditohen dhe ri-akreditohen. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, Ferdije Zhushi- Etemi, thotë për Radio Kosovën, se mungesa e monitoruesve është një dëm i madh, pasi sipas ligjit një nga detyrat e agjencisë është edhe monitorimi i vazhdueshëm i institucioneve të akredituara.

“Është një proces të cilin deri sot si rezultat i mungesës së kuadrit nuk kemi mundur ta realizojmë. Por fatmirësisht na është lejuar ngritja e kapaciteteve humane në agjenci. Ne kur e kemi përcjell gjendjen ka pasur raste që ndonjë institucion ka ndryshuar dhe ne nuk kemi qenë të informuar, prandaj nevojitet që patjetër të kemi monitorues”.

Zhushi-Etemi bëri të ditur se kanë kërkuar inspektorë nga Ministria e Arsimit, por jo gjithmonë kanë hasur në gatishmëri për bashkëpunim të mirëfilltë në terren.

“Ne i kemi letrat kur iu kemi bërë kërkesa, kur për shembull nuk na kanë dorëzuar asnjë raport, asnjë informatë nëse kanë shkuar për të inspektuar institucionin apo jo”.

Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, Zhushi- Etemi, bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për dy monitorues në Agjenci, duke sqaruar se cilat do të jenë detyrat e tyre.

“Monitoruesit duhet të jenë kuadër së paku me nivel mastar, të cilët duhet t’i nënshtrohen një procedure të trajnimit në Agjenci, t’i mësojnë mirë procedurat e akreditimit dhe standardet tona, në mënyrë që të jenë të aftë dhe të shkojnë të monitorojnë institucionet se sa iu përmbahen kritereve, për të cilat janë akredituar”.

Ligji për arsimin e lartë, e sqaron qartë që Agjencia e Akreditimit e Kosovës, bënë inspektimin e bartësve të arsimit të lartë dhe këshillimin me Ministrinë lidhur me dhënien, ndryshimin ose anulimin e licencave. Gjithashtu, bënë të ditur se kjo Agjenci ka kompetenca për kryerjen e kontrolleve periodike mbi cilësinë e bartësve të licencuar të arsimit të lartë dhe marrjen e vendimit për akreditimin apo ri-akreditimin e tyre, duke përfshirë të drejtën për dhënien e titujve dhe diplomave./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›