E Diel, 1 Nëntor 2026

AKBN gjobit 67 subjekte minerare

02/11/2011  Subjektet duhet të fillojnë procedurat për të paguar detyrimet

Shkak mosparaqitja e planit dhe informacionit vjetor financiar

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore vendosi masa administrative për 67 subjekte minerare. Grupi i punës ka shqyrtuar dokumentacionin që këto subjekte kanë paraqitur pranë AKBN-së dhe ka konstatuar shkelje që lidhen me moszbatimin e ligjit minerar. 64 subjekte nuk kanë paraqitur planin vjetor të punës dhe informacionin vjetor financiar, dy subjekte u ka mbaruar afati i lejes minerare dhe nuk kanë paraqitur asnjë dokumentacion. Ndërsa për një tjetër subjekt është propozuar revokimi i lejes minerare sepse që nga marrja e lejes minerare nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumentacioni. “AKBN-ja bën me dije se subjektet e gjobitura, pasi të vihen në dijeni të këtij njoftimi duhet të fillojnë procedurat për të paguar detyrimet dhe të merren masa në mënyrë që veprimtaria minerare e tyre të jetë në përputhje me plotësimin e detyrimeve dhe kërkesave ligjore në fuqi. AKBN bën me dije se subjektet do të jenë në vëzhgim dhe objekt i kontrolleve të vazhdueshme. Nëse ky institucion vëren se do të vazhdojë mosrespektimi i detyrimeve ligjore atëherë masat që do të merren është propozimi i revokimit të lejes minerare”, - thekson njoftimi. AKBN promovon, shqyrton dhe monitoron të gjitha projektet dhe investimet në shfrytëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›