E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD rikonfirmon Fullanin, PS propozon Meksin

01/11/2011  Shqyrtohen kandidaturat për BSH-nw

Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi dje tri kandidaturat e qeverisë për bordin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Tri kandidaturat e propozuara nga qeveria janë: guvernatori aktual i BSH-së - Ardian Fullani, Elizabeta Gjoni - kryetare e AMF-së, Petraq Milo - këshilltar për fushën e Financave. Ndërkohë Partia Socialiste në mbledhjen e djeshme të grupit, ka propozuar kandidaturën e deputetes Ermelinda Meksit për këtë post. Në rast se Meksi heq dorë nga mandati dhe detyrat e saj në kuvend, vendi i saj do zëvendësohet djali i ish deputetit Fatmir Xhindi. Kandidatura e Ermelinda Meksit në krye të Bankës së Shqipërisë dhe propozimit të Arben Ahmetaj për postin e kreut të KLSH mund të jenë dhe kushti i socialilstëve për të votuar ligjet me shumicë të cilësuar prej 84 votash. Ky këshill përbëhet nga nëntë anëtarë. Sipas ligjit, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi mbështetur në propozimet e bëra. Më konkretisht: pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në këtë komision, Mimi Kodheli, akuzoi qeverinë se “kandidaturat e përzgjedhura prej saj janë bërë pa konkurrencë”. Ajo u shpreh se ky proces është me shumë rëndësi. Sipas saj, ekonomia shqiptare vuan mungesën e shifrave dhe nevojiten institucione të pavarura. Ndërsa guvernatori aktual, Fullani, prezantoi para komisionit karrierën e tij në krye të institucionit të Bankës së Shqipërisë, ku theksoi se gjatë drejtimit të tij “Banka e Shqipërisë ka ruajtur stabilitetin e çmimeve”. Sipas tij, sistemi bankar është solid, pasi përballoi krizën ekonomike. Lidhur me borxhin, Fullani nënvizoi se “ai nuk duhet të kalojë 60% dhe për këtë gjatë dy vjetve të fundit janë ulur shpenzimet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›