Jaka: Shqipëria, me çmimet më të larta të karburanteve

Përfaqësuesit e biznesit shqiptarë kanë kërkuar sot që në pakën e re fiskale të përfshihet edhe ulja e çimeve të karburanteve. Në fjalën e tij në mbledhjen e METE-s ku është prezantuar skema për ndryshimin e taksave kreu i dhomës së tregëtisë Nikolin Jaka ka theksuar se çmimet e karburanteve në vendin tonë janë shumë të larta të krahasuara edhe me vendet fqinje.
“Ne jemi vendi që kemi çmimet më të larta të karburantit si për industritë ashtu edhe për konsumatorin. Një litër karburant ka arritur në 1.4 euro në Shqipëri dhe ky çmim nuk është as në Maqedoni apo në Greqi” theksoi Jaka.
Sipas tij qeveria duhet të jetë më e angazhuar për të stimuluar industrinë e karburantit ndërsa kërkoi që mbledhja të shtyhet pasi grupet e interesit nuk janë njohur me paketën e propozuar nga ministria e Financave.
“Kemi një procedurë që duhet t`ia kalojmë paketën të gjitha grupet e interesit. E mbështes fjalën e ministrit për të promovuar dhe stimuluar prodhimin vendas por mesa shoh shumica e ndryshimeve në paketë nuk e promovojmë prodhimin vendas qoftë edhe për ekpsportet” theksoi Jaka.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i Zv.ministrit të financave Rrushaj I cili ka theksuar se akciza e karburanteve është në nivel të pranueshëm. Sipas tij qeveria ka vënë rregulla të forta për konkurencën në industrinë e karburanteve si dhe ka vënë në zbatim projekte që ndihmojnë bizneset prodhuese në këtë sektror.