Fule: Vendi në qorrsokak, jepini fund betejës politike
E përditshmja “Prague Post” ka botuar një intervistë me Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Stefan Fule. Komisioneri futet në thellësi të negociatave për zgjerim, për situatën në Bjellorusi, Afrikën e Veriut dhe politikën e Komisionit Europian për zgjerimin. Në tetor, Komisioni do të prezantojë raportet e progresit për disa vende, ndërsa Kroacia pritet të jetë tanimë vendi i 28-të i Bashkimit Europian. Një numër i konsiderueshëm vendesh të tjera të Ballkanit janë në proces bisedimesh.
Zoti Fule, a ekziston ndonjë mundësi për shtyrjen potenciale të pranimit në BE të Kroacisë nisur nga qëndrimet poemizuese të Çekisë?
Sa i takon traktatit të pranimit të Kroacisë dhe ratifikimin e tij mund të them se ne kemi përmbyllur negociatat dhe pres së traktati të firmoset në fund të këtij viti, ndoshta në fillim të muajit dhjetor. Më pas, procesi i ratifikimit nga 27 vende do të fillojë. Nuk kam frikë se ndonjë shtet do të ketë problem idenë se Kroacia mund të bëhet e 28-ta e Bashkimit Europian.
Pas Kroacisë, cila është axhenda e zgjerimit të Bashkimit Europian?
Së pari dua të hedh poshtë spekulimet e hedhura se gjoja pas Kroacisë, dera do të jetë, në mos e mbyllur, thuajse e mbyllur dhe se do të jetë një kohë e largët deri në pranimin e një tjetër vendi. Dua të theksoj se negociatat e pranimit janë kredibile, sepse ato bazohen mbi një politikë të re drejt zgjerimit. Për herë të parë me Kroacinë, ne negociatat prezantuam përdorimin e standardeve në hapje dhe në mbylle, ndaj procesi është shumë më tepër rigoroz. Janë 138 kërkesa për t’u adresuar në 35 kapituj, çka do të thotë se shtetet anëtare kanë të drejtën të vendosin veton në 138 raste, pasi secili prej tyre duhet të pranohet nga vendet anëtare me konsensus.
Atëherë, cilat mund të jenë vendet që mund të pasojnë Kroacinë?
Fakti se Ratko Mladic është tanimë në gjykim, besoj se ka krijuar një moment të ri për zgjerimin dhe ka disa lëvizje të rëndësishme. Ka gjithashtu një rekomandim të Komisionit, sa i takon ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë, ku sipas Komisionit ky vend është në pozicionin për të nisur negociatat e pranimit. Vetëm një çështje politike mbetet për t’u zgjidhur nga vendet anëtare, për të rënë dakord me këtë rekomandim. Kjo ka të bëjë me emrin e këtij shteti. Mali i Zi ka marrë statusin e vendit kandidat, që prej dhjetorit të kaluar. Vitin e shkuar, vendet anëtare i dhanë statusin dhe rekomanduan se nisja e procesit të negociatave duhet që të bëhet sapo shtatë prioritete të jenë implementuar në zbatim të plotë me kriteret e Kopenhagenit. Mund të them se Mali i Zi po bën një punë të shkëlqyer. Ka punuar fort që prej fundit të vitit të shkuar dhe tanimë ekziston një nivel i lartë konsensusi midis partive politike dhe procesi ka përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile. Ndaj nëse ata i kanë adresuar shtatë parakushtet, Komisioni mundet që në tetor të rekomandojë nisjen e procesit të negociatave. Pse në tetor? Sepse në 12 tetor, Komisioni ka qëllim të prezantojë ato çka njihen si progres raportet e zgjerimit. Këto janë raporte vjetore në të cilat ne në një këndvështrim shumë strategjik dhe nga pikëpamja individuale e secilit vend, skanojmë aspiratat e shteteve dhe vendeve kandidate. Ndaj, vlerësimi ynë ndaj Malit të Zi dhe progresit të këtij vendi do të bëhet mbi bazën e këtij progres raporti. Serbia është në një situatë më të ndryshme se sa Maqedonia dhe Mali i Zi. Na është kërkuar tetorin e kaluar që të mund të përgatisnim një opinion në lidhje me çfarë duhet të bëjë vendi për të plotësuar kriteret e Kopenghagenit dhe të jetë gati për të nisur negociatat e pranimit. Ne kemi dërguar mijëra e mijëra pyetje Serbisë, dhe tanimë jemi duke mbledhur përgjigjet dhe duke dërguar një numër misionesh për konsultim. Ne jemi duke punuar për përmbajtjen dhe substancën e opinionit. Në këtë kohë, Serbia është duke adresuar 10 sugjerime konkrete, të cilat ne i kemi nënvizuar në raportin e progresit të vitit të shkuar. Sërish, nuk mund të garantoj, sepse topi është totalisht në anën e Serbisë, por nëse ata i adresojnë këto 10 çështje, atëherë unë mund të imagjinoj se në vend të ndarjes së procesit mes dhënies së vendit kandidat dhe më pas nisjes së negociatave, ne mund të jemi në pozitën që të rekomandojmë negociatat e pranimit. Është interesant rasti i Islandës, të cilës nuk i është dhënë statusi kandidat. Pse? Sepse vendet anëtare vendosën të nisnin negociatat e pranimit me Islandën, dhe bazuar mbi këtë vendim është logjike se vendi është njëkohësisht një kandidat për aq kohë sa po negocion. Ka qenë vetëm në rastin e Ballkanit Perëndimor, kur ne kemi ndarë statusin kandidat nga negociatat e pranimit. Ndoshta kjo është shumë teknike, por dua ta sqaroj paksa. Ky është skenari më optimist. Sërish, unë nuk mund të garantoj njeri se kjo do të ndodhë. Është shumë në dorë të politikanëve, qeverive dhe parlamentare, aktorëve të tjerë të rëndësishëm në këto shtete dhe sa do jenë në gjendje të adresojnë prioritetet e konstatuara, me qëllim nisjen e negociatave të pranimit. Ne jemi duke i mobilizuar këto vende, jemi duke i ndihmuar që të shohin se kjo është një mundësi që këtë vit të avancojnë vendin e tyre drejt një niveli tjetër të zgjerimit. Jemi duke u ndenjur pranë sa më shumë po mundemi. Ka vende tjera në ballkanin perëndimor që e ndajnë perspektivën europiane. Në Shqipëri, siç ishte rasti i Malit të Zi, ne gjithashtu prezantuam një opinion vitin e shkuar. Por, në rastin e Shqipërisë, ne nuk propozuam statusin e vendit kandidat, dhe në vend të shtatë prioriteteve ne kemi adresuar 12 të tilla. Arsyeja se pse në atë kohë ne nuk propozuam statusin kandidat për Shqipërinë, dhe diferenca midis Shqipërisë e malit të Zi është se Shqipëria nuk plotësoi një prej kritereve thelbësore të Kopenhagenit, stabiliteti i institucioneve demokratike. Këtu po i referohem faktit se ndryshe nga Mali i Zi, qeveria në Shqipëri nga njëra anë dhe opozita nga ana tjetër, nuk janë të afta të gjejnë një rrugë për të bashkëpunuar në parlament dhe vendi ka hyrë në qorrsokak, që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Por sërish, dua të nënvizoj se nuk ka pasur pengesa artificiale nga ana jonë. Ata kanë të njëjtat mundësi si edhe tre vendet që unë i përmenda më parë. Është vetëm në dorën e tyre t’i japin fund betejës politike dhe të gjejnë një zgjidhje për qorrsokakun politik dhe të adresojnë 12 prioritetet që janë vendosur si kushte për ecurinë në procesin e zgjerimit. Në rastin e Bosnje Hercegovinës, mendoj se ka pasur zhvillime të rëndësishme në mars të këtij vitit, kur ministrat e jashtëm ranë dakord në një marrëveshje që mund të lëvizë Bosnjën nga hapësira e Dejtonit (marrëveshja e Dejtonit u nënshkrua 15 vite më parë) drejt zonës së Bashkimit Evropian. Ajo çka dua të them është se mes gjërave të tjera, ministrat ranë dakord se duhet të sigurohemi se ka më shumë BE në Bosnje Hercegovinë. Ata qartësuan kushtet që Bosnja të jetë vend anëtar dhe kemi nisur një dialog të strukturuar me politikanët e Bosnjes, për të adresuar disa çështje të procesit të zgjerimit duke nisur nga çështjet e drejtësisë. Topi është në anën e tyre. Prioriteti është krijimi i qeverisë, pasi të jetë formuar, besoj se nuk duhet të ketë më vonesa për të ndërmarrë plotësimin e atyre dy kushteve që mundësojnë aplikimin e Bosnjes për anëtarësim. Kosova ka gjithashtu një perspektivë europiane dhe axhenda e saj është e gjatë. Shumë kohë është humbur.... Në krahasim me Bosnje Hercegovinën, nuk mund të them se ka një konsensus aq të qartë dhe të fortë mes vendeve anëtare për hapat e tjerë të Kosovës. Nuk ka asnjë problem me perspektivën evropiane, këtu konsensusi është i qartë dhe nuk ka pikëpyetje rreth saj. Por nuk ka konsensus rreth hapave të tjerë dhe të formës së këtyre hapave, pasi jo të gjitha vendet anëtare e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur.