AKEP: Nuk ka ligj që i rregullon. Ka probleme
Tregu i shërbimit celular në vend po përjeton një zhvillim të konsiderueshëm, me fitime të kompanive që shkojnë mbi 50 për qind, si dhe me një gamë të gjerë produktesh. Aktualisht numri i përdoruesve vlerësohet të jetë mbi 3 milionë, duke arritur penetrimin në treg në masën 100 për qind (BE e ka 110 për qind). Pavarësisht këtyre zhvillimeve konstatohet se tarifat e bisedave celulare me parapagesë kanë pësuar një ulje të ndjeshme në raport me bisedat me kontratë. Në ofertat e kompanive celulare bie në sy interesimi për abonentët e kartave me parapagesë, duke iu ofruar kosto të ulët për impulset, madje edhe falas në raste festash, apo sms pa fund. Kurse abonentët që kanë kontratë, që kryesisht janë biznesmenë, zyrtarë të administratës etj., vijojnë të paguajnë tarifa të larta. Këtë fakt e pranon edhe vetë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në dokumentin “Analiza e tregut celular: tregjet me shumicë të terminimit dhe tregu me pakicë i shërbimeve publike celulare”, duke e argumentuar se mungon ligji për rregullimin e tarifave (metodologjia), sikurse ekziston për bisedat me parapagesë (kartat rimbushëse). Duke marrë shkas nga kjo situatë, Autoriteti i Konkurrencës ka analizuar me vëmendje dokumentin e AKKEP dhe në raportin vjetor të vitit 2009 jep disa rekomandime, që në thelb synojnë uljen e tarifave. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, i cili mbron me ligj konsumatorët, tregu i kompanive celulare, edhe pse në dukje konkurrent, ka ende probleme. Në vendimin e saj, Autoriteti i Konkurrencës i kërkon AKEP-it, “Aplikimin e metodologjisë së rregullimit të tarifave jo vetëm për shërbimin me parapagesë, por edhe për shërbimin me kontratë; mesazhet elektronike (sms) dhe shërbime të tjera”.
TreguPër disa vite rresht, Autoriteti i Konkurrencës i është dashur të përballet me të gjitha format ligjore me kompanitë celulare. Në betejën mes tyre, palët kanë shkuar deri në gjykatë për gjobat e majme dhe ende pa zgjidhje. Gjatë takimeve të zhvilluara mes Autoritetit dhe AKEP-së në 2009-n, palët kanë rënë dakord të shkëmbejnë informacione rreth tregut, ndërsa Konkurrenca i ka kërkuar Entit Rregullator kalimin e të gjitha të dhënave, në mënyrë që të nisë hetimin në rast konstatimi të shkeljes së konkurrencës. Edhe pse aktualisht në treg janë tri kompani, sërish vërehet një përqendrim, ndërsa shteti po studion me kujdes futjen e operatorit të katërt, në mënyrë që përfitimi për konsumatorin të jetë sa më i madh. Për vitin 2008, AKEP thotë se fitimet e kompanive shkonin nga 55 deri në 70 për qind, ndërsa vërehet një tkurrje gjatë 2009-s. Sa u takon tarifave për bisedat me parapagesë dhe sms, kemi një ulje që shkon deri me 40 për qind në tre vitet e fundit. Megjithatë, AKEP gjykon se rregullimi i tarifave të terminimit të operatorëve celularë duhet të kryhet brenda 31 gushtit 2010.
#