E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këto shtete mund të fundosen çdo çast!

Një nga ekonomistët më të njohur në botë, amerikani Kenneth Rogoff paralajmëroi se për shkak të borxhit të krijuar publik disa shtete do të ngrenë flamurin e falimentimit. Ish krye ekonomisti i FMN dhe tani profesor i ekonomisë në universitetin e Harvardit, Rogoff u shpreh kështu: “Në përgjithësi pas krizave bankare shohim se brenda një periudhe kohore disa shtete janë të predispozuara të shkojnë drejt falimentimit. Edhe këtë herë parashikoj që do të ndodhë e njëjta gjë.”

Pjesëmarrës në një forum ekonomie të zhvilluar në Tokio, Rogoff theksoi se interesat e tregut financiar do të rriten dhe shtetet europiane si Greqia e Portugalia do të përjetojnë probleme të mëdha.

Parashikimi i bërë në lidhje me falimentimin e bankave të mëdha amerikane në vitin 2008 nga Rogoff doli i drejtë. “Është shumë, shumë e vështirë të përcaktosh kohën e këtij fenomeni por do të ndodhë, – tha Rogoff i cili ka shkruar dhe një libër mbi historikun e fatkeqësive financiare.

Duke theksuar se tek shtetet e zhvilluara si Gjermania, ShBA dhe Japonia do të ketë një rritje të ngadaltë, Rogoff tha se kur të rriten interesat e këtyre shteteve, do të mund ta dalin në krye duke përdorur metodën e shtrëngimit të rripave.

Ka pesëfishin e borxhit të Rusisë
Megjithëse Rogoff nuk jep asnjë emër në lidhje me parashikimin e falimentimit, sytë me të drejtë kthehen nga Greqia e cila ka një deficit buxhetor prej 12,7 % mbi të ardhurat kombëtare bruto dhe një borxh publik prej 112,6 % mbi mesataren e GDP-së. Krahas Greqisë, problematike duken edhe shtete të tjera të Europës si Portugalia, Irlanda, Italia dhe Spanja, borxhet e të cilave qëndrojnë shumë lart kufirit të caktuar.

Totali i borxheve të Greqisë në fund të vitit 2009 ishte 300 miliard euro. Kjo shifër është pesë here më e madhe se shuma e borxheve të papaguara nga Rusia në vitin 1998 dhe nga Argjentina e cila falimentoi në vitin 2001.

Në fjalën e mbajtur, Rogoff theksoi se investitorët do t’i bëjnë presion qeverisë amerikane që të kufizojë shpenzimet. Strategu i bankës japoneze Tokyo - Mitsubishi UFJ, Naomi Fink, u shpreh se “Greqia na kujton edhe një here një nga rreziqet me të cilat ndodhemi ballë për ballë, me falimentimin e shtetit. Por nuk është e drejtë të krijojmë panik dhe të përgatisim një skenar të ngrirjes së kredive.”

përgatiti: Aisa Kaduku Kokiçi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›