Omarët falin banesën, ngrihet Qendra Artizanale
Qafës së Pazarit në qytetin e Gjirokastrës, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, do t’i shtohet një qendër për prodhimin dhe shitjen e produkteve artizanale. Projekti po realizohet në banesën e familjes së njohur gjirokastrite të Omarëve (e shpallur monument kulture) lënë falas për qëllime publike. Puna për çeljen e kësaj atelieje moderne ka afro tre muaj që ka nisur në qendër të Pazarit Karakteristik, i cili shtrihet brenda zonës së mbrojtur historike nga shteti shqiptar dhe UNESCO. Ngritja e kësaj qendre vjen si një iniciativë dhe bashkëpunim shumëpalësh ndërkombëtar dhe lokal. Financimi i restaurimit është pjesë e programit dyvjeçar të UNDP-së dhe UNESCO-s në kuadrin e programit të tyre të përbashkët “Trashëgimia dhe kultura për zhvillim shoqëror dhe ekonomik”, ndërsa projekti teknik i restaurimit u përgatit nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO) në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Kombëtare (DRKM). Me këtë projekt të kombinuar synohet të realizohet fillimisht restaurimi dhe kthimi në identitet i ndërtesës karakteristike të ish-dyqaneve të familjes Omari. Punimet e restaurimit përfshijnë dy dyqane dhe një hapësirë në katin e dytë me sipërfaqe rreth 100 metra katrorë. Godina e gurtë ndodhet anës rrugës që të çon në Kalanë e Gjirokastrës. “Ndërhyrja parashikon zbukurimin e mjediseve të brendshme me elemente të shumta dekorative që përfaqësojnë traditën gjirokastrite dhe që përputhen me qëllimin e përdorimit të ndërtesës si qendër artizanati”, thotë Sadi Petrela, një ndër koordinatorët e këtij projekti. Pritet që punimet të përfundojnë brenda pak muajsh, ndërkohë organizata lokale dhe kombëtare po punojnë që Qendra e Artizanatit të bëhet menjëherë aktive në dobi të zhvillimit të artizanatit, e njëkohësisht edhe turizmit në këtë qytet. Qendra e re synon jo vetëm nxitjen e prodhimit të një game të gjerë të objekteve artizanale me materiale tradicionale si gdhendje në gur, dru, alabastër, thurje me fije leshi, pambuku dhe lini, prodhime xhami, hekuri, bakri dhe argjendi, por edhe për mësimin e zejeve artizanale nga të rinjtë, rikualifikimin e atyre që tashmë merren me këtë aktivitet dhe të ndihmojë në ngritjen e bizneseve të vogla të artizanëve në Pazarin Karakteristik. Rasti i familjes Omari është një nga të rrallët që ndodh në qytetin e gurtë. Pjesa më e madhe e banesave të shpallura monument kulture në Gjirokastër rrezikohen çdo ditë, ndërsa ndërhyrja në to shpesh bëhet e pamundur edhe si mungesë e bashkëpunimit mes pronarëve dhe institucioneve shtetërore që kujdesen për monumentet. Jo rrallë ndodh që numri i trashëgimtarëve ndër breza të këtyre banesave të shkojë mbi 200, çka e bën shumë të vështirë arritjen e një marrëveshje. Ky projekt hedh një hap të rëndësishëm në rijetëzimin e Pazarit dhe posaçërisht kateve të dyta të ndërtesave, që në pjesën dërmuese të tyre kanë qenë të zbrazura për afro 40 vjet, ndërkohë që me rastin e trashëgimtarëve të familjes Omari për herë të parë pronarët e monumenteve kthehen në bashkëfinancues dhe partnerë të rëndësishëm aktivë. Me këtë model të ri bashkëpunimi krijohet dhe shënohet një standard i ri, që në fakt përbën thelbin e shpëtimit të më shumë se 300 monumenteve të Gjirokastrës që janë në pronësi private dhe që shumë prej tyre janë në rrezik shembjeje. “Bashkëpunimi mes pronarëve të objekteve të shpallura dhe mbrojtura si monumente kulture dhe strukturave të shtetit shqiptar është një praktikë e re dhe një shembull ende i rrallë në Gjirokastër”, thotë drejtori i DRKM-së, Spartak Drasa. Sipas tij, projekti për një qendër artizanale hedh një hap të rëndësishëm në rijetëzimin e Pazarit dhe posaçërisht të kateve të dyta të ndërtesave, që në pjesën dërrmuese të tyre kanë qenë të zbrazura për afro 40 vjet. Sipas tij, ky model bashkëpunimi përbën thelbin e shpëtimit të më shumë se 300 monumenteve të Gjirokastrës, që janë në pronësi private dhe që shumë prej tyre janë në rrezik shembjeje.
#