AKEP dorëzon licencën e parë 3G kompanisë Vodafone Albania
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), me përfundimin e tenderit për ofrimin e shërbimeve 3G, organizoi sot, në Hotel Rogner, ceremoninë e dorëzimit të autorizimit individual kompanisë fituese “Vodafone Albania”, në prezencë të Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Z. Genc Pollo.
Gjatë ceremonisë Ministri Pollo tha ndër të tjera: “Sot dorëzojmë licencën e parë të teknologjive të brezit të tretë, 3G, një proces që u mbyll me sukses në nëntor dhe që nxori fitues kompaninë Vodafone Albania, për të dhënat e saj, por edhe për ofertën e saj mjaft të lartë. Do të theksoja edhe një herë që është një hap i parë për të zhvilluar tregun e komunikacioneve në këtë nivel, në mënyrë që të ofrojmë shërbime të reja, të japim konektivitet, lidhje interneti me një shpejtësi dhe cilësi, e cila nuk ka qenë e mundur më parë, dhe të mos harrojmë, për ne është e rëndësishme, të ofrojmë konektivitet me çmime të ulëta, çka do të thotë me çmime të orientuara drejt kostos. Kjo është një çështje që do ne dhe strukturat përgjegjëse do të ndjekim në vijim.”
Kompania Vodafone Albania ofroi 31.4 milionë Euro për të blerë licencën 3G, shifër gati tre herë më e lartë se sa çmimi dysheme i caktuar prej AKEP-it. Ky investim i Vodafone Albania tregon besimin që kompania më e madhe në botë e kësaj fushe ka tek Shqipëria, te tregu i saj në rritje dhe tek Qeveria shqiptare, institucionet shtetërore dhe politikat e ndjekura prej tyre.
Duke aplikuar teknologjitë 3G hidhet një hap i rëndësishëm në realizimin e projektit Shqipëria Digjitale.
Shërbimi 3G në celular do të jetë operativ në Tiranë deri në mars të vitit tjetër; do të mbulojë 65% të territorit në 12 muaj dhe 85% të tij në një vit e gjysmë.
Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë (të njohura si 3G apo Third Generation) nga kompanitë celulare do të sjellë një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në aparatet celularë dhe do të rrisë shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate.
15/12/2010