Kryeministri Berisha përcjell një grup të rinjsh në udhëtimin e tyre të parë pa viza drejt vendeve të hapësirës shengen

- Kryeministri Berisha: Çdo qytetar shqiptar që do të udhëtojë në zonën shengen do të sillet në mënyrë shumë dinjitoze
- Kryeministri Berisha shpreh mirënjohje dhe një falënderim të veçantë ndaj të gjithë atyre që morën këtë vendim fisnik për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë
Në prani të Kryeministrit Berisha mëngjesin e sotëm u nis nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit një grup të rinjsh dhe gazetarësh në udhëtimin e tyre të parë pa viza drejt vendeve të hapësirës shengen në Bashkimit Evropian. Studentët dhe nxënësit e gjimnazeve, të cilët shoqërohen në këtë udhëtim nga ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha, do të vizitojnë fillimisht Brukselin ku do të priten në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Europian.
Ndërsa nesër, e enjte, ata do të takohen me Komisioneren për Çështjet e Brendshme znj. Cecilia Malmstrom dhe pas këtij takimi, si dhe një turi shëtitës në qytetin e Brukselit, do të udhëtojnë drejt Romës ku do të zhvillojnë një takim me ministrin e Jashtëm z. Franco Frattini dhe më tej do të vizitojnë muzeun Capitolini dhe sallën e firmosjes së Traktatit të Romës.
Duke i uruar rrugë të mbarë këtij grupi të rinjsh, Kryeministri Berisha shprehu edhe një herë mirënjohje dhe një falënderim të veçantë ndaj të gjithë atyre që morën këtë vendim fisnik për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri Berisha shprehu, gjithashtu, besimin se çdo qytetar shqiptar që do të udhëtojë në zonën shengen do të sillet në mënyrë shumë dinjitoze dhe do të zbatojë me përpikmëri të gjitha rregullat dhe detyrimet që shoqërojnë procesin e liberalizimit.
Në një prononcim për mediat e pranishme në aeroportin “Nënë Tereza”, Kryeministri Berisha u shpreh: Ky është momenti më i veçantë në historinë e udhëtimit të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Një grup të rinjsh, studentë të universiteteve dhe nxënës të gjimnazeve, së bashku me pedagogë e mësues, nisen sot për në kryeqytetin e Evropës, në Bruksel, në një udhëtim turistik pa viza.
Ky është fluturimi i parë i kësaj natyre që hap siparin e një Evropë pa mure. U rrëzua edhe muri i fundit që ishte muri i Shengenit. Kjo është një arritje jete për çdo qytetar shqiptar. Unë u uroj rrugë të mbarë studentëve dhe të gjithë shqiptarëve që udhëtojnë sot. Ky është rasti që të shpreh dhe një herë mirënjohje ndaj të gjithë atyre që morën këtë vendim fisnik; të shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë administratën shqiptare dhe institucionet e këtij vendi, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me një kompleks të madh reformash bënë që qeveritë e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian të votojnë së bashku më datë 5 nëntor për heqjen e vizave për Shqipërinë. Ky akt prek, sot e tutje, jetën e çdo qytetari shqiptar, sepse ai do të jetë më i lirë se kurrë në historinë e këtij vendi në lëvizjen e tij.
Theksoj, gjithashtu, se një ndër ëndrrat më të bukura dhe më fisniket e një populli, për të cilin lëvizja ishte e ndaluar 20 vjet më parë, u shndërrua në realitet. Një premtim, më i vështiri dhe më seriozi që kam bërë gjatë jetës time, u mbajt dhe u realizua. Për mua kjo përbën një lehtësi të madhe, sepse nuk ka qenë premtim i lehtë. Marrja e këtij vendimi për shqiptarët nuk ka qenë e lehtë. Një kompleks rrethanash e komplikuan procesin shumë më tepër nga sa mund të mendohet. Kompleks që kësaj radhe nuk kishte të bënte specifikisht me shqiptarët, por me një klimë të ndryshuar nga disa vende nga faktorë të tjerë. Sidoqoftë, vendimi për qytetarët shqiptarë ishte vendim jashtëzakonisht dinjitoz. Gjithashtu, ky ishte një vlerësim shumë i madh për përpjekjet e qeverisë shqiptare për të realizuar të gjitha standardet në mënyrë që qytetarët e këtij vendi të lëvizin njëlloj si qytetarët e Evropës.
Unë kam shumë kënaqësi që sot shqiptarët kudo që shkojnë janë të pajisur me dokumentet më moderne që ekzistojnë në këtë kontinent. Ata shkojnë thellësisht të informuar dhe më të informuar se të gjithë të tjerët për këtë proces.
Një tjetër specifikë është se grupi i parë që nisen pa viza janë studentë dhe gjimnazistë. Askush nuk mund të nisej para tyre, sepse unë sa herë gjendem midis tyre shoh Evropën në sytë dhe fytyrën e tyre. Faktikisht ata janë fytyra evropiane e Shqipërisë. Kështu që sot ata ulen në Bruksel si evropianë të vërtetë dhe u uroj rrugë të mbarë.
Ministri Basha, i cili i shoqëron në këtë udhëtim, është njohës i mirë i atij rajoni dhe do t’i shëtis në zona e qendra turistike që Brukseli i ka të shumta.
Unë besimin më të madh se çdo qytetar shqiptar, iluminist dhe fisnik, do të sillet në mënyrë shumë dinjitoze. Shqiptarët në shekuj kanë qenë imperialist, i kanë dashur hapësirat. Tani Evropa është perandoria e vlerave, kështu që ata gjenden në shtëpinë e tyre”.
15/12/2010