E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha feston 20 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë

Kryeministri Berisha dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike mori pjesë pjesë sot në mbrëmje, në ceremoninë festive të organizuar me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

 

Në këtë festë ishin të pranishëm, Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, Kryetarja  e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ish studentë të dhjetorit 90’ përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, ambasadorë, drejtues të komuniteteve fetare në vend, përfaqësues të biznesit, përfaqësues dhe drejtues të mediave, si dhe shumë qytetarë, simpatizantë të Partisë Demokratike.

 

Duke përshëndetur këtë ngjarje, kryeministri Berisha, në fjalën  e tij solli në kujtesën e qytetarëve, disa prej zhvillimeve politike më të rëndësishme, gjatë këtyre 20 viteve.

Kryeministri rikujtoi  me respekt dhe nderim të thellë, të gjithë ata të rinj dhe të reja, të cilët u bënë nismëtarët  e parë të ndryshimeve demokratike në Shqipëri.

 

Kryeministri u shpreh se tashmë Shqipëria, nga vendi i humbur i telave me gjemba u shndërrua, në një vend të lirë, të hapur, të zhvilluar ekonomikisht, i cili në këto 20 vjet njohu solidaritetin, mbështetjen dhe miqësinë më të madhe në të gjithë historinë kombëtare.

Më tej, në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

I nderuar, Zoti President

Zonja Kryetare e Kuvendit,

Zotërinj Ministra,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të dashur demokrate dhe demokratë shqiptarë,

Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë,

Jemi mbledhur sot për të kremtuar së bashku 20 vjetorin e themelimit të pluralizmit politik dhe njëherazi  të partisë parë opozitare në historinë e vendit, Partisë  Demokratike të Shqipërisë, ngjarjen më të madhe në historinë e lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve, pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe pathyeshmëria e saj, prosperiteti i botës së lire dhe dështimi i plotë i doktrinës marksiste të ekonomisë, Akti i Helsinkit, ishin faktorët më madhorë që përcaktuan agoninë dhe më pas falimentimin e pashmangshëm të sistemit socialist, eksperimentit më tragjik të njerëzimit, sistemit skllavo-pronar të shekullit të 20-të në Europë.

Në këte proces të pashmangshëm ndërrimit të sistemeve, tre personalitete botërore luajtën rolin më të veçantë: Presidenti Ronald Regan,  që me 12 qershor të vitit 87 do t’ju deklaronte  berlinezve dhe botës së çështja e lirisë gjermane është çështje e lirisë së njerëzimit dhe do t’i  drejtonte apelin e madh të lirisë, Mihail Gorbaçov “tear down that wall …..”, Papa i lindjes, Papa Vojtila që do të shndërronte Kishën Katolike në Evropën ish komuniste, në strehën  dhe djepin e mendimit të lirë, qëndresës paqësore antikomuniste. Presidenti Gorbaçov që, me një guxim mbinjerëzor, do të zëvendësonte doktrinën famëkeqe Brezhneviane me perestrojken dhe glaznostin. Këta faktorë dhe këta burra  të mëdhenj, ndikuan dhe nxitën popujt e shtypur  të vendeve ish komuniste Polonisë, Gjermanisë Lindore, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë të ngriheshin me trimërinë, vendosmërinë e paparë, të shembnin Murin e Berlinit, Perden e hekurt dhe të përmbysnin gjatë fundvitit të viteve ’80-të sistemin totalitarist në vendet e tyre.

Por, çështja e lirisë Gjermane triumfoi dhe së bashku me të, liria në botë, mori përmasa të tjera sepse Presidentit Xhorxh Bush dhe Kancelari Helmut Kohl, qëndruan në zenitin e horizontit të ri të lirisë.

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipërinë hoxhiste këto ngjarje do ta gjenin të zhytur në varfërinë dhe mjerimin më të tejskajshëm, në izolimin më të thellë, shtypjen dhe represionin më të egër të planetit, monizmin më totalitar, në vetëharresën dhe harresën ekstreme. Në vitet e përmbysjes së sistemit në Evropën ish-komuniste, të dukej se Shqipëria ishte dënuar për të mbetur e burgosura e kontinentit, në bunkerin e regjimit të vet, muzeu i socializmit totalitar.

Prandaj dhe transformimeve epokale të Europës ish-komuniste, klika hoxhiste në pushtet në Tiranë, do t’ju përgjigjej me cinizëm ekstrem. Në fushën ekonomike ajo reagoi me reformat e kecit dhe qengjit, në fushën politike me shndërrimin e levave të saj në subjekte elektorale, për të krijuar pluralizëm burokratik në vend të atij demokratik, kërkesës për lëvizjen e lirë me ekzekutime të panumërta në kufi.

Por, ndryshe mendonin qytetarët shqiptarë, të cilët ndonëse ishin qeniet më të shtypura të globit, me sakrificën e tyre mbinjerëzore për liritë dhe dinjitetin e tyre, kishin mbushur burgjet e diktaturës apo dalë para skuadrave të pushkatimit dy herë më shumë se të gjitha kombet e Europës ish-komuniste të marra sëbashku, përveç Bashkimit Sovjetik dhe thellë në shpirtin e tyre, kishin mbajtur gjallë dritëzën e lirisë. 

Shqiptarët, rënien e klikave komuniste në Europë e pritën me lutjet e para publike për Zotin, Krishtin, Muhametin që regjimi ua kishte ndaluar me Kushtetutë, si dhe me organizimin e demonstratave të fuqishme në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë.

Ndryshe nga regjimi hoxhist, mendonin intelektualët shqiptarë dhe botues zyrtarë të guximshëm, që në hapësirën e vdekur informative shqiptare, në shkrime, intervista, takime, ngritën zërin e tyre fuqishëm kundër izolimit dhe kërkuan hapjen e vendit, respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore, lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij, dënuan dhunën policore, kërkuan vendosjen e pluralizmit politik duke dëshmuar se, vlerat universale të qytetërimit perëndimor ishin të tilla edhe për shqiptarët.

Ndryshe nga klika në pushtet mendonte rinia e Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit të cilët, ditët e fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut ’90, me guxim, trimëri të pashembullt epike, u vërsulën dhe shembën në Tiranë Murin e Berlinit, mbushën ambasadat e vendeve mike, gjunjëzuan rregjimin.

Klika hoxhiste në pushtet, do të arrinte me aparatin e vet represiv, të ringrinte sërish Perden e hekurt por jo, kurrë, të ndalonte Marshin e Lirisë së shqiptarëve.

Me datën 8 Dhjetor në darkë, studentët e universitetit të Tiranës, nën udhëheqjen e Tribunit legjendar Azem Hajdarit, do të nisnin Lëvizjen Studentore dhe të mbështetur nga intelektualë, qytetarët e Tiranës, do të mbushnin rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, në një betejë legjendare, që të kujton betejën e Davidit me  Galias, do të detyronin klikën në pushtet të firmoste më 11 Dhjetor, kapitullimin e saj, dhe po me datë 11 Dhjetor ora 23.00 të darkës, do të themelonin pluralizmin politik, Partinë Demokratike të Shqipërisë, Partinë e parë opozitare në historinë e vendit.

Nder për jetë studentëve liberatorë dhe atyre që themeluan pluralizmin në Shqipëri!

Azem – Ti je gjallë!

Rroftë Partia Demokratike

Pluralizmi politik dhe së bashku me të, Partia Demokratike, janë njëkohësisht ditëlindja e lirive  dhe të drejtave tona, sot 20 vjeçare, në këtë rilindje të dytë të madhe kombëtare.

Ndaj dhe unë nga zemra du të uroj cdo qytetar shqiptar, kudo që ndodhet, Gëzuar festën, Gëzuar ditëlindjen e lirive, dinjitetit tonë njerëzor!

Zonja dhe Zotërinj,

Partia Demokratike u themelua si parti e interesave kombëtare të tradhëtuara, si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me Kushtetutë, si parti e tregut të lire, në vendin e hiperkolektivizimit skllavërues, si parti e shpirtit, vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, parti e integrimit europian dhe ero-atlantik të vendit.

Sot, ne së bashku, duke shprehur nderimin tonë më të thellë për themeluesit e saj, për njëri-tjetrin, sakrificat tona kemi arsye të festojmë, të gëzojmë Shqipërinë 20 vjeçare dhe shqiptarët 20 vjeçarë, në liritë dhe dinjitetin e tyre, sepse sot me gjithë vështirësitë që kemi njohur, dhimbjet, jo të vogla që kemi provuar në rrugën tonë ne, duke shfrytëzuar lirinë dhe vlerat e saj, jemi 20 vite drite larg skëterrës dhe bunkerit të 20 viteve më parë.

Sot, pas 20 vitesh, nga njerëzit dhe kombi i lirive dhe të drejtave të ndaluara me Kushtetutë, jemi vendi i lirive dhe të drejtave të konsoliduara, vendi frymëzues i lirive dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, vendi në të cilin nuk ka më as edhe një proces të vetëm civil apo penal ndaj lirisë së mendimit, shprehjes së tij dhe mediave të lira.

Njëzet vite, pasi ne shpallëm pra shqiptarëve dhe botës se ylli ynë polar është çështja kombëtare, duhet të ndjehemi sot më krenarë se kurrë. Kosova është e pavarur. Drejtësia botërore ka hedhur poshtë traktatet e ndëshkimit dhe copëtimit të trojeve dhe kombit shqiptar. Shqipërtarët janë kudo të lirë, më të lirë se kurrë në historinë e tyre.

Ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë gjithnjë në mbështetje të interesit kombëtar të shqiptarëve, si interesi i tyre jetik, për të sotmen dhe të ardhmen e tyre evropiane.

“Shqipëria – si Europa”, ishte ëndrra jonë dhe lejtmotivi i lëvizjes sonë 20 vjet më parë. Shqipëria në Europë, Shqipëria në NATO ishte thirrje që buronte nga shpirti dhe zemra e studentëve dhe qytetarëve shqiptarë në dhjetorin e ftohtë të vitit ’90. Ata ishin të vetmit në kontinent që, të ndryrë në bunkerin dhe në telat me gjemba, Europën nuk e kishin njohur, nuk e kishin vizituar kurrë më parë dhe natyrshëm, nuk dinin as dhe rrugën drejt saj.

Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe shqiptarët, nesër do të  lëvizin të lirë në mbarë Europën. Shqiptarët ecin të sigurt në ndërtimin e Shqipërisë Europiane, integrimin e vendit të tyre në BE.

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Shqipëria që 20 vjet më parë kishte ekonominë më të falimentuar të planetit, përjetonte urinë, mjerimin, skamjen, triskat, tallonat, dhe kishte vetëm 200 dollarë për frymë në vit, të ardhura, ka sot ekonominë me rritjen më të shpejtë në Europë, me të ardhura për frymë 35 herë më të mëdha se sa 20 vjet më pare, renditet në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, është sot vendi që për rrogën mesatare, le mbrapa edhe ndonjë vend anëtar të BE-së.

Shqipëria, vendi i investimeve të huaja të ndaluara me Kushtetutë 20 vjet më parë, është sot ndër vendet më të preferuara për investimet nga mbarë bota. Vendi që qëndron në krye të listës të vendeve për regjistrimin e bizneseve, lehtësitë dhe garancinë  e investimeve të huaja.

Shqipëria është sot vendi me rritjen më të shpejtë të jetëgjatësisë së qytetarëve të saj, vendi në të cilin 91% e djemve dhe vajzave që mbarojnë shkollën 9-vjeçare, ulen në bangat e shkollave të mesme vendi në të cilin 70% e atyre që mbarojnë shkollat e mesme ulen në auditorët e universiteteve të vendit, vendi me internet në të gjitha shkollat e tij shkollë, me shkallën e penetrimit të internetit ngjitur me mesataren e BE-së.

Shqipëria që 20 vjet më parë, me gjithë trashëgiminë e saj përrallore  kulturore, nuk ekzistonte në hartën turistike të botës  sepse ishte vendi i turizmit të ndaluar, shpallet këtë vit “E bukura  e dheut” , për t’u vizituar nga qytetarë, nga mbarë bota.

Zonja dhe zotërinj,

Këto arritje, këto realizime, ky turravrap u bë i mundur para së gjithash dhe mbi të gjitha nga një solidaritet i jashtëzakonshëm i vendeve të lira , i vendeve mike, i organizmave ndërkombëtare, i institucioneve ndërkombëtare. Ne që 20 vjet më parë ishim pothuaj komb i ndaluar, i zhytur në honet  e historisë, i copëtuar, i ndëshkuar, në mënyrat më të përsëritura, njohëm këto 20 vjet solidaritetin, mbështetjen, miqësinë më të madhe në tërë historinë tonë kombëtare.

Zoti i bekoftë të gjitha vendet e lira që e ndihmuan Shqipërinë,

Zoti e bekoftë Shqipërinë,

Rroftë Shqipëria!


14/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›