Kryeministri Berisha priti Drejtorin e Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në KiE, Jean Louis Laurens

Kryeministri Berisha priti Drejtorin e Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në Këshillin e Europës, Zotin Jean Louis Laurens.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me Këshillin e Europës dhe ndihmën e kontributin që ky institucion prestigjioz i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë, në konsolidimin e demokracisë në të gjitha drejtimet.
Drejtori Laurens, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë e miqësore, e uroi Kryeministrin Berisha për arritjen historike, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Zoti Laurens vlerësoi se Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe.
Në takim u diskutua mbi situatën politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh, siç është edhe rinovimi i marrëveshjes së prezencës së Këshillit të Europës në Tiranë.
Kryeministri Berisha i shprehu Drejtorit Laurens që raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës.
Gjithashtu, në takim u diskutua për situatën e përmbytjeve e shkaktuara nga reshjet e shumta dhe u vlerësua lart fakti që nuk ka pasur asnjë viktimë dhe se qeveria iu gjet pranë me shërbim mjekësor dhe shërbime të tjera qytetarëve të prekur nga kjo situatë.
15/12/2010