E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Internet falas në çdo qendër universitare

Kryeministri Berisha i kërkoi sot ministrit të Arsimit nisjen e projektit për ofrimin e internetit falas në çdo qendër universitare të vendit. Duke e sjellë këtë çështje në mbledhjen e qeverisë si një shqetësim të studentëve, Kryeministri tha se  në të gjitha korpuset e kampuset universitare, interneti do të ofrohet falas nga qeveria.

“Qyteti Studenti dhe qytezat studentore, kudo që janë, duhet të kenë internet falas. Një pjesë e siguron Posta Shqiptare, pjesën tjetër do ta sigurojë qeveria. Ndaj të merren masa për këtë. Një student më dërgoi një shqetësim, ku më thotë se deri para një muaji sallat e internetit ishin pa pagesë, ndërsa tani ia kanë kthyer me pagesë. Pas interesimit tim, nuk ishte Posta, pasi ajo e ka shërbimin e internetit pa pagesë, por gjithsesi Posta nuk mund t’u shërbejë të gjithë studentëve, për shkak të mjediseve të vogla. Studentët duhet të kenë salla interneti dhe ne duhet t’i subvencionojmë. Në të gjitha korpuset e kampuset universitare, interneti duhet të ofrohet falas nga qeveria. Ministria të fillojë ta projektojë. Janë 138 mijë studentë, të cilët duhet të ketë akses sa më të madh në internet,” tha Kryeministri.


15/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›