E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP, mbi 50 pronarë dorëzojnë dokumentet

Vazhdon dorëzimi i dokumenteve nga pronarët fitues të fondit 5 mln $
 
 
 
TIRANË- Ka arritur në mbi 50 numri i subjekteve të shpronësuara që kanë dorëzuar deri më tani dokumentet pranë Agjencisë së Pronave, me anë të të cilave do të mund të marrin kompensimin financiar nga fondi i parashikuar për vitin 2007. Fluksi më i madh i subjekteve të shpronësuara, që kanë dorëzuar dokumentet pranë zyrës së Financës në Agjencinë e Pronave, është vërejtur ditën e hënë, ditë që shënonte dhe hapjen e procesit të dorëzimit të tyre. Gjatë kësaj dite numri i ish-pronarëve që kanë dorëzuar dokumentet ka arritur në 46. Por, edhe gjatë ditës së djeshme nuk ka munguar dorëzimi i dokumenteve, nga një pjesë e subjekteve të shpronësuara. Deri në orët e mesditës, pranë Zyrës së Financës ishin depozituar dokumentet për përfitimin e kompensimit financiar nga 6 subjekte të shpronësuara, ndërkohë që pritja e dokumentacionit vazhdoi edhe gjatë orëve të pasdites, deri në përfundimin e orarit zyrtar të punës. Siç bëhet e ditur nga punonjësit e zyrës së Financës, pranë AKKP-së, shumica e subjekteve të shpronësuara që janë paraqitur gjatë këtyre ditëve kanë qenë të mirë informuar mbi dokumentet që duhet të paraqisnin, për të përfituar nga fondi prej 5 milionë dollarësh i kompensimit financiar. Vetëm një pjesë shumë e vogël e këtyre subjekteve nuk kanë pasur informacionin e duhur dhe, për këtë arsye, ata janë udhëzuar nga Zyra e Financës mbi dokumentet që duhet të paraqesin. Subjektet e shpronësuara duhet të dorëzojnë pranë Agjencisë së Pronave deri në datën 29 dhjetor, dokumentet përkatëse, me anë të të cilave do të mund të marrin kompensimin financiar për pronën e tyre. Përsa i përket dokumenteve që duhet të paraqiten nga subjektet e shpronësuara, ato janë: dokument identifikimi; një numër llogarie bankare në “Reiffeisen Bank”; prokura e posaçme për të tërhequr lekët në emrin e të gjithë trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar apo paraqitja e të gjithë trashëgimtarëve me numër llogarie më vete në këtë institucion bankar, në rast të mungesës së prokurës së posaçme nga njeri prej trashëgimtarëve të subjekteve të shpronësuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›