Ministër, a mund të dal për kafe?!
Urdhri i Alibeajt: Asnjë lëvizje pa marrë leje tek eprori. Drejtorët dhe Sekretari i Përgjithshëm, leje tek ministri
TIRANË- Një urdhër për disiplinë "titanike" e ka vendosur ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në qendër të batutave mes vartësve të tij. Në çdo ditë të javës, ministri Alibeaj ka vendosur t'i kushtojë vëmendje raportimit të hyrje-daljeve gjatë orarit të punës, apo vonesave të punonjësve të dikasterit të Drejtësisë. Urdhri i fundit, i lëshuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kërkon të vërë nën kontroll çdo lëvizje të punonjësve të tij, duke vendosur kështu një regjim pune prej 8 orësh, pa kafe apo pushim jashtë zyrave të punës. Urdhri i mësipërm, që mban nr.8016 të datës 17 dhjetor të këtij viti nuk përjashton as Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë apo drejtorët e Përgjithshëm, të cilët për çdo lëvizje duhet të marrin leje nga ministri.
Sipas urdhrit të shpjeguar në tre pika, parashikohet që çdo epror të njoftojë shefin e tij direkt apo t'i marrëatij leje me shkrim. "Çdo nëpunës civil dhe punonjës i administratës së Ministrisë së Drejtësisë duhet të njoftojë me shkrim eprorët direkt si dhe të marrë aprovimin me shkrim të tyre për çdo dalje nga institucioni: specialistët dhe përgjegjësit e sektorit duhet të njoftojnë dhe marrin aprovimin e Drejtorit të Drejtorisë; punonjësit e tjerë të ministrisë njoftojnë dhe marrin aprovimin e eprorit direkt të tyre sipas rastit; drejtorët e drejtorisë të njoftojnë dhe marrin aprovimin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe ky i fundit apo Sekretari i Përgjithshëm duhet të njoftojnë dhe marrin aprovimin e ministrit Alibeaj",-thuhet në urdhrin e firmosur nga ky i fundit. Sipas këtij urdhri, që tashmë ka filluar të zbatohet, thuhet se në çdo drejtori të Ministrisë së Drejtësisë do të krijohet një regjistër ku do të shkruhen të gjitha kërkesat me shkrim dhe lëvizjet gjatë hyrje -daljeve të punonjësve të kësaj administrate nga Ministria e Drejtësisë. "Regjistri duhet të përmbajë katër rubrika, në të cilat duhet të shënohen emri i punonjësitnënpunësit civil të Ministrisë së Drejtësisë, kohëzgjatja dhe arsyeja e daljes, firma e punonjësitnënpunësit civil të Ministrisë së Drejtësisë si dhe firma e eprorit që aprovon largimin",-thuhet në faqen e dytë të këtij urdhri.
Në pikën e dytë të këtij urdhri sqarohet mënyra e verifikimit të ardhjes në punë në orarin zyrtar të punonjësve. Ministri Alibeaj ka ngarkuar Sekretarin e Përgjithshëm të mbikëqyrë dhe të organizojë verifikimin e përditshëm të hyrjes dhe daljes së punonjësve të këtij institucioni, duke respektuar ose jo orarin zyrtar. Sekretari i Përgjithshëm duhet të raportojë çdo ditë pune pranë kabinetit të ministrit Alibeaj për mbarëvajtjen dhe respektimin e orarit zyrtar nga punonjësit. "Të kryejë raportimin e kontrollit të punonjësve sipas pikës 1 dhe 2, duke raportuar çdo ditë, deri në orën 16:00 për ditën e hënë, të martë, të mërkurë dhe të enjte dhe deri në orën 13:00 për ditën e premte, mbi rezultatin e verifikimit të zbatimit të orarit zyrtar nga punonjësit e administratës në bazë të këtij urdhri",-thuhet në faqen e dytë të këtij urdhri.
REAGIMI
Punonjësit: Urdhri, rikthim i regjimit të kaluar
Të kontaktuar nga "Shekulli", disa nga punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët nuk pranojnë të identifikohene quajnë urdhrin si një rikthim të regjimit të kaluar, duke u shkelur të drejtat e njeriut. "Kam filluar punë këtu e shtatë vjet më parë dhe kam ndërruardisa ministra. Asnjë nga ata ministra nuk kanë qenë kaq të ashpër. Me këtë urdhër, vetëm kur të dalim në tualet nuk duhet të lajmërojmë njeri",-thotë gruaja rreth të 45 –ave në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërkohë, edhe punonjësit e kësaj administrate të cilët kanë filluar punë në këtë institucion pas zgjedhjeve të 2005 e kundërshtojnë këtë urdhër, duke e quajtur atë absurd dhe iniciativëtë individëve që duan të duken se punojnë. Punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë shtojnë se disiplina nuk ka munguar asnjëherë, por nisma të tilla u kujtojnë shprehjen "8 orë në punë dhe jo 8 orë punë".
URDHRI
Specialistët dhe përgjegjësit e sektorëve njoftojnë dhe marrin aprovimin e drejtorit të drejtorisë
Punonjësit e tjerë të ministrisë marrin aprovimin e eprorit të tyre direkt, sipas rastit
Drejtorët e drejtorisë njoftojnë dhe marrin aprovimin e Drejtorit të Përgjithshëm
Drejtorët e Përgjithshëm dhe Sekretari i Përgjithshëm njoftojnë dhe marrin aprovimin e ministrit