E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita, Kisha Ortodokse kërkon pronat në Voskopojë

Mitropolia e Korçës kërkon pronat në Voskopojë. Berisha premton zgjidhje, por pa u cenuar turizmi në këtë zonë turistike
Ndihma për fenë, Berisha: Taksë për besimtarët
Korçë- Kryeministri, Sali Berisha është përballur dje me shqetësimet e komuniteteve fetare për kthimin e pronave të tyre. Gjatë vizitës së djeshme në qytetin e Korçës, ndërsa dha urimet me rastin e Krishtlindjeve në Mitropolinë e Shenjtë, ku u prit nga Hirësia e tij Imzot Johani, klerikët e lartë të Kishës Ortodokse kanë paraqitur para kryeministrit Berisha kërkesat e tyre lidhur me pronat që ka kjo Kishë. Një prej këtyre kërkesave ka qenë ajo për një pronë në shkollën 9-vjeçare "Sevasti Qirjazi", ku është duke u ndërtuar një palestër. Për këtë, kryeministri Berisha pohoi se do t'i japë një zgjidhje të shpejtë problemit dhe shtoi se, Kisha duhet të marrë pronat e saj të trashëguara. Një tjetër pretendim i klerikëve ortodoksë ka qenë dhe ai për një tjetër pronë në Manastirin e Shën Prodhomit, në Voskopojë. "Ne kërkojmë kthimin e saj në pronësi të Kishës, për të ngritur atje një qendër ballkanike për fëmijë",- u shpreh Mitropoliti i Korçës. Në lidhje me këtë kërkesë, kryeministri Berisha tha se, "ishte për kthimin e kësaj prone, që aktualisht e ka në zotërim Sindikata e Pavarur, por në një zgjidhje funksionale, që të mos dëmtohet edhe zhvillimi i turizmit në Voskopojë". Për këto dhe kërkesa të tjera, Kryeministri ka garantuar se do të gjejë zgjidhjen për të respektuar dhe besimtarët e shumtë të këtij besimi, ndërkohë që ka hedhur idenë e një takse të besimtarëve, të ardhura të cilat mund të vilen prej tyre, që të përdoren në dobi të këtyre komuniteteve, si ortodokse, ashtu dhe atyre myslimane. Kryeministri Berisha u shpreh se, qeveria do të veprojë me anë të Agjencisë së Pronave për të ndihmuar procesin e kthimit të pronave për komunitetet fetare, duke theksuar se, kjo nuk i përket vetëm qeverisjes qendrore, por edhe asaj lokale. "Shteti do të përpiqet t'ju ndihmojë nëpërmjet Agjencisë së Kthimit të Pronave, por nuk i përket vetëm qeverisjes qendrore që të ketë si detyrë të parë të saj qëndrimin ndaj çështjes së pronave të komuniteteve fetare, por edhe qeverisjes lokale",- tha Kryeministri. Ndërsa premtoi se qeveria do të përpiqet të gjejë një zgjidhje të kënaqshme përsa i përket pronave të komunitetit ortodoks në Korçë, kreu i qeverisë u shpreh se do të ketë në vëmendje kthimin e pronave të vjedhura, sidomos ato që u përkasin komuniteteve fetare. "Jam për zbatimin e ligjit amerikan për pronat e vjedhura dhe do të bëj përpjekje që një ligj i tillë të kalojë edhe në Parlament. Prona e vjedhur nuk mund të trashëgohet deri në 120 breza e ne do të punojmë që të rregullojmë ligjet",- tha Kryeministri. Para pak ditësh, ka qenë vetë kreu i ekzekutivit, Berisha, që ka pranuar se prona e vjedhur nuk mund të mirëbesohet, prandaj qeveria duhet t'i japë fund situatës aktuale, kur lejohet ligjërisht pronësia mbi të patundshmet edhe për ata që nuk e miratojnë, duke shtuar se nuk mund të bëhet pasuri mbi prona të vjedhura. Ndaj, Kryeministri kërkoi që për këtë të shqyrtohej edhe Kodi Civil, qe e vjedhura të konsiderohej e tillë edhe pas 7 brezash.
 
Berisha ka hedhur idenë e një takse të besimtarëve, të ardhura të cilat mund të vilen prej tyre dhe të përdoren në dobi të këtyre komuniteteve, si ortodokse, ashtu dhe atyre myslimane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›