Prokuroria mbyll dosjen "Rusmali"
Prokuroria: Nuk është shkaktuar dëm ekonomik. Edmond Rusmali nuk kreu "korrupsion aktiv"
TIRANË- Përgjimi i bujshëm i vëllait të ish-ministrit Ilir Rusmali nuk i ka mjaftuar prokurorisë, për të ngritur akuzë kundër tij. Pasi kanë marrë në pyetje thuajse të gjithë protagonistët e bisedës për tenderin e paraburgimit në Durrës, prokurorët e çështjes janë urdhëruar të pushojnë hetimin. "Prokuroria e Tiranës, gjatë hetimit dhe verifikimit paraprak të bisedës së regjistruar mes Edmond Rusmalit dhe Zija Teferiçit ka arritur në përfundimin se nuk është kryer vepër penale, ndaj edhe vendosi pushimin e çështjes". Ky është konkluzioni i prokurorit të Tiranës, i cili me anë të një urdhër-vendimi u ka bërë me dije prokurorëve të çështjes të mbyllin dosjen e përgjimit,ku Edmond Rusmali kërkonte hapur favorizimin e një kompanie për tenderin e ndërtimit të paraburgimit të Durrësit. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, mësohet se edhe pse vetë vëllai i Rusmalit ka pranuar bisedën, hetimi është mbyllur me pretendimin se nuk ka dëm ekonomik, nuk ka elementë të veprës penale të "korrupsionit aktiv" dhe tenderi i shumëpërfolur është anuluar.
Edhe pse përgjimi i bisedës në zyrën e ish-kreut të Policisë së Burgjeve, Zija Teferiçi, shkaktoi mjaft debate dhe u pasua nga dorëheqja e ministrit të Drejtësisë, si dhe tregoi mekanizmin e ndarjes së tenderave në administratë, për organin e akuzës nuk ka vepër penale. Nga ana tjetër, biseda e përgjuar edhe pse një fakt i pakundërshtueshëm, është cilësuar provë e paligjshme nga prokuroria. Gjatë marrjes në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni, shtetasi Edmond Rusmali, i cili është edhe protagonisti kryesor i bisedës, ka pranuar se ka kërkua favorizim nga Zija Teferiçi për firmën private të njohur prej tij në fitimin e tenderit. Edhe Zija Teferiçi ka pranuar para hetuesve bisedën, duke theksuar se ajo është bërë në ish-zyrën e tij dhe është e vërtetë. "Mua më ka kërkuar vetëm favorizimin e një firme të caktuar, duke mos më ofruar të holla materiale",-ka thënë Teferiçi.Ndërkohë, denoncuesi i kësaj ngjarjeje, ish-drejtori i Burgjeve, Sajmir Shehri, ka thënë para prokurorëve se: "regjistrimi është bërë nga vartësi i tij, Zija Teferiçi, duke shtuar se ishte mosdhënia e këtij tenderi ai që solli shkarkimin e Teferiçit".
Sipas prokurorisë, ndaj shtetasit Edmond Rusmali nuk mund të ngrihet akt-akuzë, pasi gjatë bisedës së verifikuar dhe dëshmive të marra nuk ka elementë të veprës penale që vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali, mund të merret në hetim. Në mbylljen e hetimeve duket se ka ndikuar mënyra e regjistrimit të bisedës në një kasetë, që sipas ligjeve shqiptare është provë e paligjshme. Vetëm 42 ditë më parë, kjo kasetë e përgjuar u publikua dhe shkaktoi një tronditje të madhe në sistemin e Drejtësisë. Me dorëheqjen e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, me datë 13 nëntor u vu në pikëpyetje edhe qëndrimi i mëtejshëm i Rusmalit në krye të drejtësisë. Pa u mbushur as 24 orë nga publikimi i kësaj kasete, ministri Ilir Rusmali dha dorëheqjen, çka u pranua më pas nga kryeministri Sali Berisha. Dhe me dorëheqjen e tij, kreu i qeverisë zëvendësoi Rusmalin me Enkelejd Alibeajn, ndërkohë që ky i fundit po shqyrton për më shumë se një muaj listën e emrave për kreun e burgjeve.
DËSHMITË
Edmond Rusmali
"Zija Teferiçin e kam takuar miqësisht dhe për këtë takim, vëllai im nuk ishte në dijeni. I kam kërkuar një nder, pa i ofruar para apo ndonjë gjë tjetër në këmbim. Nuk i kam kërkuar të zgjidhte pa të drejtë firmën e mësipërme"
Zija Teferiçi
Edmond Rusmalin e kam pritur në zyrën time. Më kërkoi favorizim për një tender të ndërtimit të paraburgimit në Durrës. I thashë që fituesi zgjidhet nga një komision, në bazë të ofertës. Nuk e di kush e ka bërë regjistrimin"
Sajmir Shehri
"Vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë ka bërë presion për një tender. Ai ka kërkuar favorizim, e kur Zija Teferiçi nuk e përzgjodhi atë firmë, u shkarkua nga detyra. Përgjimi është realizuar nga ish-drejtori i Policisë së Burgjeve"
PRESIONI
BISEDA E PLOTË/ Ndërhyrja për tenderin e ndërtimit të paraburgimit në Durrës
Biseda e përgjuar mes Zija Teferiçit dhe Edmond Rusmalit
E.Rusmali: Tani që të hyj direkt në temë. Unë erdha për një bisedë këtu realisht.
Teferiçi: Po?
E.Rusmali: Mund të flas…Na intereson për këtë tenderin e firmës që kemi ne.
Teferiçi: Për kë? Për tenderin e Durrësit?
E.Rusmali: Po, të Durrësit.
Teferiçi: Jam te komisioni, bile këtë po shikoja për të ngritur komisionin.
E.Rusmali: Po ja, thashë të interesoheshe. Ka vajtur një miku tim që ka një firmë që plotëson të gjitha kushtet.
Teferiçi: Kush është miku yt?
E.Rusmali: Firma "Lika"sh.p.k
Teferiçi: Që të jem i sinqertë fare, është një tender
E.Rusmali: Unë dua që nëse plotëson të gjitha kushtet dhe ka bazë ligjore, nuk mund të ketë një çikë preferencë? Këtë dua unë. Nuk dua që të them se është Mondi aty që i plotëson kushtet dhe t'i themi Mondit, ik ti se do e marrë ky.
Teferiçi: Një gjë të garantoj unë, hakun s'ia ha njeriu. Kam 20 e ca vite që punoj dhe gjithandej, nuk di që jo t'i kem ngrënë hakun, por të jetë ankuar njeri. Dhe të garantoj me siguri…
E.Rusmali: Nuk e diskutoj këtë punë, problemi është se hyn firma ..., kjo më shqetëson. Ja ikën dy vjet dhe nuk po arrijmë të punojmë.
Teferiçi: Ç'të të them. Unë kam qenë kryetar tenderash dhe nuk di të kem pasur ndonjë kontestim. Jam i prirur të fitojë ai që i takon.
E.Rusmali: Ok. Në rregull dhe unë po të them se prej tre vitesh gëzon një rol, nuk është një firmë kështu, është goxha eksperiencë.
Teferiçi: Nuk mund të të them nëse fiton ose nuk fiton. Ka një komision, le të vijë të marrë pjesë në tender, hakun s'ia ha kërkush. Çfarë të thotë Zijaji.
E.Rusmali: Për një fije preferencë, në rast se është midis dy të barabartëve të zgjidhet kjo firmë.
Teferiçi: Vendimi është i një komisioni, që t'ia hajë këtij dhe t'ia japë një tjetri s'e bëj dot. Janë të gjithë specialistë.
E.Rusmali: As unë s'e kërkoj. Vetëm dua një vëmendje më të madhe, në raport me këto të tjerat.
Teferiçi: Në drejtim të drejtësisë, pa diskutim që vëmendja është e madhe, pa më ndërhyrë njeri. Është ndryshe ku e ke diçka taten, është ndryshe kjo. Është tender i hapur.
E.Rusmali: Unë nuk dua padrejtësi, por ndërmjet atyre të barabartëve, të ketë preferencë kjo, kaq dua unë. Mua më gjeni në kushte të barabarta, kush do ta marri, Mondi apo Zijaji. Do ta marri Mondi, sepse ka…
Teferiçi: Të kuptova