Braçe: Nanoistët nuk janë më shqetësim për PS
Nënkryetari i grupit kuvendor, Erion Braçe shprehet për projektet e grupit të opozitës vitin e ardhshëm
TIRANË- Numri dy i grupit parlamentar socialist, tregon strategjinë opozitare të PS-së për vitin 2008. Vijimi i qëndrimit që është mbajtur deri më tani dhe përforcimi i disa aspekteve denoncuese të qeverisjes së PD-së, do të jenë linja kryesore që do të ndjekë opozita për vitin e ardhshëm.
Z.Braçe, shpeshherë gjatë vitit 2007 kemi parë se grupi parlamentar i PS-së, në disa momente kyçe si ai i zgjedhjes së Presidentit apo edhe Kryeprokurores së re, ka pasur rrjedhje votash. Për vitin 2008, çfarë parashikon PS në drejtim të një opozite më të unifikuar parlamentare?
Preferoj të flas për periudhën nga shtatori e këtej, kur grupi u riorganizua. Dhe për këtë periudhë nuk ka pasur absolutisht, as rrjedhje votash dhe as qëndrime të ndryshme në Kuvend, për çështje të ndryshme që kanë pasur lidhje me qeverinë e kryeministrit Berisha. Grupi ka qenë unik, ka diskutuar gjerësisht për çështjet që kanë qenë prokupuese për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe natyrisht grupi ka pasur alternativën e tij, siç ishte dhe rasti i buxhetit alternativ për vitin 2008. Pra, grupi ka forcuar pozicionin e tij opozitar në Parlament jo vetëm në planin e përditshëm, në gjykimin e projektligjeve dhe paraqitjes së opsioneve të ndryshme për këto ligje që ka sjellë qeveria, por edhe në planin e kontrollit parlamentar të qeverisjes, veçanërisht përmes interpelancave edhe nga njëri prej anëtarëve të kabinetit, pra ai që e drejton atë i është shmangur vazhdimisht, madje i është fshehur përgjegjësisë për t'iu përgjigjur interesit të opozitës në Parlament. Natyrisht që për vitin 2008 kjo linjë do të forcohet akoma më tej. Kemi vendosur për të bërë një opozitë që lidhet drejtpërdrejt me interesat e shqiptarëve, me ballafaqimin e tyre me qeverinë "Berisha". Veçanërisht për probleme jetike, siç janë ato për furnizimin me energji elektrike, furnizimi me ujë, rritja e pagave, rritja e pensioneve dhe kostoja e lartë e jetës. Viti 2008 është viti i fundit i qeverisjes së z.Berisha, natyrisht, një vit thellësisht i vështirë për të gjithë shqiptarët. Do doja t'ju sillja në vëmendje faktin që gjatë vitit 2008 qeveria ka rritur borxhin përmes buxhetit në mënyrë të pakuptimte dhe në mënyrë elektorale. Pikërisht për këtë arsye ne do të thellojmë kontrollin e qeverisjes, veçanërisht gjatë këtij viti.
Gjatë vitit 2008 politika shqiptare pritet të përballet dhe me dy sfida të tjera, siç është Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi. Përsa i përket reformës zgjedhore, megjithëse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, PS ende nuk ka një qëndrim të qartë në lidhje me pragun elektoral dhe sistemin zgjedhor.
Për ne, nuk janë shqetësim ende detajet që lidhen me sistemin zgjedhor apo me pragun që vjen prej sistemit zgjedhor. Për ne shqetësimi kryesor, që ka rrjedhur edhe nga raportet e OSBE-ODIHR-it, lidhet drejtpërdrejt me administrimin e votës. Ne kemi themelore sot në Shqipëri, identifikimin e shtetasve që votojnë, natyrisht, kjo përsa i përket zbatimit të parimit "Një njeri, një votë". Për sa kohë që ne deri më tani kemi pasur raste që një njeri voton 6 herë apo jashtë zonës së tij elektorale, problemi ynë madhor, së pari, është problemi i identifikimit të votuesit. Problemi i dytë, është ai i administrimit të votës. Pra, për sa kohë ne kemi pasur probleme me komisionet apo me grupet e numërimit të votës, atëherë, për ne problem përbëjnë këto dy çështje, pra përbërja e tyre dhe mënyra e funksionimit të tyre. Shqetësim për ne ka qenë përbërja e tyre kryesisht në mënyrë politike çka ka sjellë dhe dështimin e funksionimit të tyre ligjor, për shkak të urdhrave partiakë. Në momentin që ne zgjidhim këto dy probleme, atëherë ia vlen që të diskutojmë për sistemin apo për pragun. Natyrisht që ne do të na duhet një sistem zgjedhor që të jetë më pak i kushtueshëm për shqiptarët, por edhe që të jetë real. Siç e dini sot në Parlament ka parti minore, të cilat nuk janë në gjendje të krijojnë as grup parlamentar, madje marrin deputetë nga grupet e tjera parlamentare, kryesisht partive të mëdha, për të krijuar grupet e tyre parlamentare dhe për të marrë ato përfitime financiare që rrjedhin nga ky fakt. Unë mendoj se spektri politik shqiptar tashmë ka nevojë për qëndrueshmëri dhe për përfaqësim real të partive politike në Parlament, dhe jo për përfaqësim të stimuluar të partive politike. Pra, ka ardhur koha që partitë të masin realisht peshën e tyre në elektorat dhe natyrisht, të përfaqësohen në Parlament vetëm mbi bazën e votave dhe të askujt stimulim tjetër.
Në lidhje me reformën në drejtësi PS ka pasur disa luhatje në qëndrimin e saj. Menjëherë pas zgjedhjes së Kryeprokurores deklaroi mospjesëmarrjen, ndërsa ditët e fundit i është rikthyer idesë së bashkëpunimit me mazhorancën. Cili do të jetë qëndrimi përfundimtar për këtë çështje?
Nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj luhatje në qëndrimet e PS-së, qoftë përsa i përket reformës zgjedhore, qoftë edhe për atë në drejtësi. Që nga 18 shkurti i këtij viti, ne i kemi bërë një ftesë PD-së për t'u ulur në tavolinë apo për të diskutuar për këto reforma që lidhen drejtpërdrejtë me korrigjimin e qeverisjes së PD-së. Gjatë momentit të zgjedhjes së Presidentit, ne ishim shumë pranë realizimit të një marrëveshjeje për të kryer këto reforma të rëndësishme të vendit dhe për shqiptarët. Natyrisht që kryeministri Berisha zgjodhi një rrugë tjetër, që lidhet drejtpërdrejtë me korruptimin e çdo lloj procesi, deri tek blerja e votave në Kuvend për të zgjedhur Presidentin e vendit. Natyrisht, kjo rrugë largoi vendin nga realizimi i reformave të qenësishme, që do të korrektonin dhe trajektoren e qeverisjes së vendit. Pra, ne kemi qenë në kontakt me qeverinë për realizimin e reformave në vend. Nga ana tjetër, kemi një palë krejtësisht të pavetëdijshme dhe e pamundur për të kryer këto reforma në vend. Reforma në drejtësi, është edhe një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e vendit në NATO por edhe për të plotësuar një sërë standardesh që ne kemi si detyrim ndaj BE-së. Kam përshtypjen se Berisha ka zgjedhur një rrugë tjetër për t'u afruar qoftë me NATO-n, qoftë edhe me BE-në, ka zgjedhur rrugën e lobingjeve të korruptuara, të lobingjeve që kanë në thelb elementë të korruptuar sesa rrugën e realizimit të standardeve që kërkojnë këto dy çështje. Përsa i përket reformës në drejtësi ne jemi të gatshëm për bashkëpunuar, por tashmë kostot për të janë shtuar shumë. Ajo që është themelore për këtë reformë është rikthimi i parimeve bazë të sistemit të drejtësisë që është pavarësia dhe depolitizimi.
Përsa i përket denoncimit të asaj që ju e konsideroni keqqeverisje, a do të ketë grupi një strategji ndryshe, pra duke minimizuar konferencat për shtyp dhe ndërmarrjen e hapave të tjera?
Strategjia që ne po aplikojmë nga shtatori e këtej, ka qenë shumë efikase. Kam përshtypje se ne kemi kapur në flagrancë qeverinë, në një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore. Por edhe në një sërë veprimesh të drejtpërdrejta të përditshme të qeverisë të kundraligjshme, për të mos thënë korruptive. Kjo punë ka rënë në sy edhe të shqiptarëve dhe se qeverisja po zhytet gjithmonë e më shumë në paaftësi dhe korrupsion. Natyrisht që kjo linjë e grupit do të forcohet edhe më tepër. Ne nuk do të lëmë punën e përditshme që të bjerë në rutinë dhe do t'i tregojmë përditë shqiptarëve se si aktet ligjore që vijnë në Kuvend nuk janë në shërbim të interesave të shqiptarëve, por në interes të një grupi të vogël njerëzish që po pasurohen në mënyrë të paligjshme. Pra do të vazhdojmë të bëjmë një opozitë të fortë dhe të përditshme për t'i treguar shqiptarëve që qeverisja e tyre nuk shërben më.
Një grup deputetësh socialistë paraqitën para disa ditësh një promemorie e cila në thelb kërkonte rishikim të statutit dhe mbledhjen e kongresit të jashtëzakonshëm….
Nuk ka asnjë lloj vlere me vëmendja përkundrejt kësaj historie. Për fat të mirë tonin dhe të shqiptarëve PS mbylli me sukses një fazë shumë të rëndësishme të reformimit të saj dhe të demokratizimit të saj. PS arriti të ndërtojë një nga projektet më të suksesshme të saj, siç ishte projekti "Dialogu me Shqipërinë", i cili do të jetë dhe angazhimi kryesor i PS-së për vitin 2008. Ajo që na kishte munguar në vitin 2005, pra kontakti me njerëzit po korrigjohet pikërisht me anë të këtij projekti. Ne po bëhemi gati të përfaqësojmë të gjitha interesat publike dhe jetësore të shqiptarëve që ne po i takojmë çdo ditë. Ky do të jetë projekti ynë në vazhdim. Jashtë këtij projekti natyrisht që mund të ketë sensibilitete të ndryshme por që nuk lidhen me sensibilitetin e qytetarëve shqiptar. Unë them se PS duhet të mendojë gjithnjë e më shumë dhe të orientojë veprimin e saj gjithnjë e më shumë drejt interesave të shqiptarëve sesa përkundrejt interesave personale të të ndenjurave të njërit apo të tjetrit në PS.
Megjithatë këto sensibilitete duket se përbëjë një numër të konsiderueshëm brenda PS….
Më vjen keq nuk përbëjnë asnjë lloj numri. Absolutisht nuk ka asnjë lloj shqetësimi të tillë brenda PS-së. Edhe mbledhja e fundit e Asamblesë demonstron këtë fakt që nuk ekziston asnjë lloj sensibiliteti i tillë. Se cili do të jetë fati i karrierës individuale të njërit apo të tjetrit kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie përball interesave të shqiptarëve të cilët janë të detyruar që edhe për shkak të gabimeve të rënda që PS ka bërë në të shkuarën, duke menduar thjesht për të ndenjurat e njërit apo të tjetrit të vuajnë keqqeverisjen e djathtë.
Ka parti minore të cilat nuk janë në gjendje të krijojnë as grup parlamentar, madje marrin deputet nga grupet e tjera parlamentare kryesisht partive të mëdha, për të krijuar grupet e tyre parlamentare dhe për të marrë ato përfitime financiare që rrjedhin nga ky fakt. Unë mendoj se spektri politikë shqiptar tashmë ka nevojë për qëndrueshmëri dhe për përfaqësim real të partive politike në parlament, dhe jo për përfaqësim të stimuluar të partive politike
Se cili do të jetë fati i karrierës individuale të njërit apo të tjetrit kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie përball interesave të shqiptarëve të cilët janë të detyruar që edhe për shkak të gabimeve të rënda që PS ka bërë në të shkuarën, duke menduar thjesht për të ndenjurat e njërit apo të tjetrit të vuajnë keqqeverisjen e djathtë.
Unë them se PS duhet të mendojë gjithnjë e më shumë dhe të orientojë veprimin e saj gjithnjë e më shumë drejt interesave të shqiptarëve sesa përkundrejt interesave personale të të ndenjurave të njërit apo të tjetrit në PS.